Tuesday, October 25, 2016

Adrenalin (injeksion)

VETITE FARMAKOLOGJIKE

Adrenalina është një katekolaminë endogjene, agonist i fuqishëm i receptorëve alfa dhe beta adrenergjikë.
Stimulimi i alfa1 receptorëve të enëve të gjakut shkakton vazokonstriksion arteriolar (lëkurë, mukoza dhe organet e brendëshme), ndërsa stimulimi i beta1 receptorëve është përgjegjës për efektet kardiake të adrenalinës.
Adrenalina shton frekuencën kardiake, rrit fuqinë kontraktuese të miokardit, rrit presionin arterial, shton eksitabilitetin dhe automatizmin e miokardit.
Adrenalina është nxitës i fuqishëm i receptorëve beta2 adrenergjikë, veprim ky që shpjegon veprimet bronkodilatatore, vazodilatatore mbi arteriolat e muskujve të skeletit dhe efektin hiperglicemiant.
INDIKIMET

Reaksione alergjike (urtikaria, angioedema, anafilaksia)
Bronkospazmë, astmë bronkiale, status astmatik
Ringjallje zemër-mushkëri (reanimimi kardio-pulmonar)
KUNDERINDIKIMET DHE KUJDESI GJATE PERDORIMIT

Adrenalina është e kundërindikuar në të gjitha format e shokut, me përjashtim të atij anafilaktik
Duhet të evitohet përdorimi i adrenalinës tek të sëmurët me sëmundje organike të zemrës, sëmundje të koronareve, kardiomiopati (forma e dilatuar), aritmi kardiake.
Adrenalinë është e kundërindikuar tek pacientët me glaukomë me kënd të ngushtë (por indikohet tek glaukoma me kënd të hapur).
Adrenalina kundërindikohet të administrohet në ekstremitete (gishtat e duarve, gishtat e këmbëve, hundë, organe gjenitale)
Ajo është e kundërindikuar në fazën aktive të lindjes pasi e pengon atë.
Adrenalina është e kundërindikuar të jepet gjatë anestezisë së përgjithshme me ciklopropan, kloroform, trikloretilen.
Adrenalina është relativisht e kundërindikuar tek të sëmurët me arteriosklerozë cerebrale apo sëmundje organike të trurit.
Adrenalina është relativisht e kundërindikuar tek të sëmurët me hipertension arterial, hipertiroidizëm dhe diabet melit.
Kundërindikohet përdorimi i adrenalinës për trajtimin e hypotensionit të shkaktuar nga fenotiazinat.
Gabimet gjatë administrimit të adrenalinës mund të jenë fatale, prandaj më parë duhet të sigurohemi lidhur me indikacionin, dozën, përqendrimin e solucionit dhe rrugën e administrimit.
EFEKTET ANESORE

Administrimi sistemik i adrenalinës mund të shkaktojë stimulim të SNQ të shprehur me frikë, ankth, nervozitet, pagjumësi, agjitim psikomotor, dizorientim. Këto janë më të shprehura tek të sëmurët me çrregullime paraprake psikiatrike.
Adrenalina mund të shkaktojë nauze, të vjella, zbehje, djerësitje, distres respirator, apne.
Në zemër adrenalina mund të shkaktojë kontraksione premature (ekstrasistola) ventrikulare, takikardi sinusale, palpitacione, hipertension, aritmi të rënda ventrikulare, ndryshime në EKG, anginë, dispne.
Ekstravazati i adrenalinës mund të shkaktojë nekrozë indore. Në këto raste duhen injektuar lokalisht 5-10 mg fentolaminë, të tretura në 10-15 mL solucion fiziologjik.
NDERVEPRIMET MEDIKAMENTOZE

Adrenalina dhe adrenomimetikët e tjerë, në përgjithësi, kanë efekte aditive. Ajo duhet përdorur me kujdes tek të sëmurët që ndërkohë kanë përdorur dobutaminë, dopaminë, isoproterenol, metaproterenol, noradrenalinë, fenilefrinë, fenilpropanolaminë, pseudoefedrinë, ritodrinë, salbutamol, salmeterol, terbutalinë.
Adrenalina kundërshton efektet kardiovaskulare të beta-adrenobllokuesve. Administrimi, qoftë edhe i sasive të vogla, të adrenalinës tek pacientët që marrin beta-adrenobllokues jo selektivë (propranolol) mund të shkaktojë rritje të theksuar të presionit arterial.
Efektet presore alfa-adrenergjike të adrenalinës mund të kundërshtohen nga doksazosina, prazosina, terazosina, fenoksibenzamina, fentolamina, alkaloidët e ergotit (dihidroergotamina).
Anestetikët e përgjithshëm (halotan, ciklopropan), glukozidët kardiakë dhe hormonet e tiroides rrisin ndjeshmërinë e miokardit ndaj veprimit të adrenalinës.
Kokaina, antidepresivët triciklikë, frenuesit e MAO (duke frenuar rikapjen) dhe bretiliumi, guanetidina, rezerpina (duke rritur ndjeshmërinë e receptorëve) rrisin ndjeshmërinë e indeve ndaj adrenalinës.
Dhënia e njëkohshme e adrenalinës me barna oksitocikë mund të shkaktojë hipertension të theksuar dhe të zgjatur.
PERDORIMI GJATE SHTATZENISE
Të evitohet përdorimi (Kategoria C).

PERDORIMI GJATE USHQYERJES ME GJI
Të evitohet përdorimi. Nuk ka informacion lidhur me sigurinë.

DOZA DHE MENYRA E ADMINISTRIMIT
Adrenalina mund të administrohet me rrugë subkutane (SC), intramuskulare (IM) ose intravenoze (IV). Injektimet IM preferohen të kryhen në m.deltoid ose në m.vastus lateralis (pjesa e përparme e kofshës), por jo në m.gluteus. Injektimi IV bëhet përgjatë 5-10 minuta tek të rriturit dhe 1-3 minuta tek fëmijët.

Për trajtimin e bronkospazmës, manifestimeve respiratore të anafilaksisë ose acarimeve të astmës
Tek të rriturit adrenalina perdoret me doza 0.3-0.5 mg SC ose IM, që mund të përsëriten nëse është e nevojshme, çdo 10-20 minuta apo më tepër, në vartësi të përgjigjes. Në rastet e rënda me shok anafilaktik duhet përdorur rruga IV me doza 0.1-0.25 mg (solucion i holluar 1:10 000) që administrohen përgjatë 5-10 minutave. Kjo dozë mund të përsëritet çdo 5-15 minuta. Mjekimi vazhdohet me infuzion IV 1-4 mikrogram/minutë.

Tek fëmijët përdoret 0.01 mg/kg, dozë kjo që mund të përsëritet në rast nevoje me intervale 20 minuta-4 orë. Mjekimi mund të bëhet edhe me doza 0.1 mg të administruara IV me ngadalë, përgjatë 5-10 minutave (si solucion i holluar 1:100 000), i pasuar nga infuzion IV prej 0.1-1.5 mikrogram/kg/minutë.

Trajtimi akut i rasteve të rënda me urtikarie ose angioedemë me shenja sistemike
Tek të rriturit përdoren doza parenterale 0.3-0.5 mg SC ose IM, që në rast nevoje përsëritet çdo 1-2 orë.
Tek fëmijët përdoren doza parenterale 0.01 mg/kg SC ose IM.

Për ringjalljen (reanimimi kardio-pulmonar)
Tek të rriturit përdoret 1 mg IV, që mund të rritet në rast nevoje.
Tek fëmijët përdoret fillimisht me 0.01 mg/kg dhe mandej vazhdohet me 0.1 mg/kg IV që mund të përsëriten në rast nevoje, çdo 3-5 minuta.
Administrimi intrakardiak rezervohet për urgjencat ekstreme.
Tek të rriturit doza për administrim intrakardiak është 0.1-1 mg.
Tek fëmijët 0.005-0.01 mg/kg.

Paketimi: solucion injektabël 0.1%-1ml ADRENALIN.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive