Thursday, October 27, 2016

Alges-X forte (tableta)

Çfarë është Alges-X/Alges-X forte dhe kur përdoret?
Alges-X/Alges-X forte përmban substancën aktive ibuprofen. Kjo ka cilësi të zbusë dhimbjen, të ulë temperaturën dhe të ndal pezmatimin. Ndikimi fillon pas afro 30 minutave dhe zgjat afro 6 orë.

Alges-X/Alges-X forte është i përshtatshëm për trajtim për kohë të shkurtër, d.m.th. për trajtim që zgjat maksimalisht 3 ditë për:

Dhimbje në pjesën e kyçeve dhe ligamenteve;
Dhimbje të kurrizit;
Dhimbje të kokës;
Dhimbje të dhëmbëve;
Dhimbjeve gjatë menstruacioneve;
Dhimbjeve pas lëndimeve;
Temperaturë gjatë sëmundjeve me grip.
Kur nuk duhet të përdoret Alges-X/Alges-X forte?

Nëse jeni alergjik ndaj substancës aktive ibuprofen ose ndaj inhibitorëve të tjerë të pezmatimeve (mjete kundër reumatizmit), mjeteve kundër dhimbjeve apo temepraturës (p.sh. acidi acetilsalicilik, aspirina). Një alergji e tillë shprehet p.sh. përmes astmës, gulçisë, ankesave të qarkullimit të gjakut, ënjtjeve të lëkurës dhe mukozave ose rrebullit të lëkurës (urtikaria).
Nëse jeni shtatzënë ose jepni gji (shiko edhe kreun „A guxon të përdoret Alges-X/Alges-X forte gjatë shtatzënisë apo në kohën e dhënies së gjirit?”).
Nëse vuani nga ndonjë ulcerë e stomakut apo zorrës dymbëdhjetëgishtore apo keni gjakderdhje në lukth dhe zorrë.
Gjatë sëmundjeve të pezmatimit të zorrëve si sëmundja e Crohn-it ose Colitis ulcerosa.
Gjatë kufizimeve të rënda të funksionit të zemrës, të mëlçisë ose të veshkës.
Për trajtimin e dhimbjeve pas një operacioni koronar by-pass në zemër (resp. përdorimi i një makine për zemër dhe mushkri)
Tek fëmijët nën 12 vjeç. Alges-X/Alges-X forte nuk u provua për përdorim tek fëmijët nën 12 vjeç.
Kur është i nevojshëm kujdesi gjatë pirjes së Alges-X/Alges-X forte?
Në situatat vijuese Alges-X/Alges-X forte duhet ta pini vetëm me udhëzim të mjekut ose nën mbikëqyrjen mjekësore:

Nëse aktualisht jeni në trajtim mjekësor për shkak të një sëmundjeje serioze.
Nëse më parë jeni sëmurë nga ndonjë ulcerë të stomakut apo zorrës dymbëdhjetëgishtore.
Nëse keni ndonjë sëmundje të veshkave apo një sëmundje të mëlçisë.
Nëse trajtoheni për shkak të një sëmundjeje të zemrës, veçanërisht për shkak të dobësisë së zemrës apo tensionit të lartë gjakut; nëse pini të ashtuquajtur ACE-inhibitorë.
Nëse trajtoheni me ilaçe që ndalin koagulimin e gjakut (hollues të gjakut, antikoagulant) ose vuani nga një çrregullim në koagulimin e gjakut.
Nëse vuani nga astma.
Nëse pini mjete kundër reumatizmit apo mjete të tjera kundër dhimbjeve (p.sh. acid acetilsalicilik, aspirinë).
Nëse pini ilaçe për trajtimin e sëmundjes së sheqerit (me përjashtim të insulinës), ilaçe për rritjen e jashtëqitjes së urinës (mjete nxitëse për urinim), ilaçe për trajtimin e infektimeve (antibiotikët me kinolone) ose ilaçe me njërën prej këtyre substancave: litium, digoksinë, metotreksat, baklofen, fenitionë, probenecid ose sulfinpirazon.
Informojeni mjekun tuaj ose  farmacistin, nëse vuani nga sëmundje të tjera, keni alergji apo përdorni ilaçe të tjera (edhe të blera vetë!).
Alges-X /Alges-X forte mund të pengojë aftësinë e reagimit dhe aftësinë për të punuar me vegla ose makina.

A duhet të përdoret Alges-X/Alges-X forte gjatë shtatzënisë apo në kohën e dhënies së gjirit?
Gjatë shtatzënisë dhe në kohën e dhënies së gjirit Alges-X/Alges-X forte nuk duhet të pihet, me përjashtim kur jepet me recetë të qartë mjekësore.
Me rëndësi: Në tremujorin e fundit të shtatzënisë Alges-X/Alges-X forte nuk guxon të pihet parimisht.

Si ta përdorni Alges-X/Alges-X forte?
Të rriturit dhe të rinjtë mbi 12 vjet
Alges-X
1 deri 2 tableta filmi Alges-X pihen me lëngje të mjaftueshme.
Para pirjes së ardhshme duhet të përmbahet një distancë kohore prej 6 orësh.
Doza maksimale ditore: Mos pini më shumë se 6 tableta filmi Alges-X brenda 24 orëve, me përjashtim me recetë mjeku.
Alges-X forte
1 tabletë filmi Alges-X forte pihet me lëngje të mjaftueshme.
Para pirjes së ardhshme duhet të përmbahet një distancë kohore prej 6 orësh.
Doza maksimale ditore: Mos pini më shumë se 3 tableta filmi Alges-X forte brenda 24 orëve, me përjashtim me recetë mjeku.
Në rast të dhimbjeve gjatë menstruacioneve preferohet që trajtimi të fillohet qysh me shenjat e para të ankesave.
Mos e përdorni Alges-X/Alges-X forte më gjatë se 3 ditë dhe vetëm për trajtimin e ankesave të përmendura.
Nëse edhe përkundër përdorimit të Alges-X/Alges-X forte ankesat rriten ose nëse vendi i dhimbjes skuqet apo ënjtet, atëherë konsultojeni mjekun tuaj gjegjësisht mjeken tuaj. Shkak mund të jetë një sëmundje serioze.
Edhe kur ankesat nuk përmirësohen  brenda 3 ditësh, do të duhej të konsultoni mjekun tuaj, në mënyrë që të sqarohet arsyeja.

Fëmijët nën 12 vjeç
Alges-X/Alges-X forte nuk guxon të përdoret tek fëmijët nën 12 vjeç. Përdorimi dhe siguria e Alges-X/Alges-X forte tek fëmijët nën 12 vjey deri tani nuk është provuar.

Pacientët më të vjetër
Pacientët më të vjetër mund të reagojnë më ndjeshëm ndaj ilaçit sesa të rriturit e rinj. Është posaçërisht e rëndësishme që pacientët e vjetër t’ia lajmërojnë menjëherë ndikimet eventuale anësore mjekut tuaj.
Përmbajuni dozimit të shënuar në fletën e udhëzimit për pacientë apo të udhëzuar nga mjeku apo mjekja. Nëse besoni se ilaçi po ndikon tepër dobët apo tepër fort, atëherë flisni me mjekun tuaj ose farmacistin.

Cilat efekte anësore mund t’i ketë Alges-X/Alges-X forte?
Gjatë pirjes së Alges-X/Alges-X forte mund të shfaqen këto ndikime anësore, të cilat nën rrethana të caktuara duhet të trajtohen nga mjeku:
Ju lutemi, informojeni menjëherë mjekun tuaj, nëse tek Ju shfaqen njëra apo disa nga dukuritë vijuese dhe mos e pini më tej Alges-X/Alges-X forte:

Bark, gazra në stomak, dhimbje të stomakut, urth ose dhimbje epigastrike, vjellje, neveri.
Vjellje e gjakut, ngjyrosje e zezë e jashtëqitjes.
Lodhje e pazakonshme, marramendje, dhimbje të forta të kokës, gjendje hutimi.
Dukuri në lëkurë si rrebull, kruajtje.
Ënjtje në fytyrë, në këmbë.
Frymëmarrje gulçuese, gulçim.
Dhimbje në kraharor dhe kollitje.
Gjak në urinë.
Nëse vëreni ndikime anësore që nuk janë përshkruar këtu, do të duhej ta informoni mjekun tuaj ose farmacistin.

Çfarë duhet të vini re përveç kësaj?
Të ruhet në temperaturë të dhomës (15-25°C). Ilaçi të ruhet në vende që nuk mund t’i mbërrijnë fëmijët. Ilaçi duhet të përdoret vetëm deri në datën e shënuar me „EXP.” në paketim.
Informata të mëtejme ju jep mjeku juaj apo farmacisti.
Këta persona zotërojnë informata të hollësishme profesionale.

Çka përmban Alges-X/Alges-X forte?
1 tabletë filmi Alges-X përmban 200 mg ibuprofen, mjetin konservues acid sorbik (E 200) si dhe substanca ndihmëse.
1 tabletë filmi Alges-X forte përmban 400 mg ibuprofen, mjetin konservues acid sorbik (E 200) si dhe substanca ndihmëse.

Ku mund të merrni Alges-X/Alges-X forte?
Cilat paketime ekzistojnë?
Në barnatore dhe drogeri pa recetë të mjekut.
Alges-X : Paketime me 10 dhe 20 tableta filmi.
Alges-X forte: Paketime me 10 tableta filmi.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive