Thursday, October 27, 2016

Alkornin

Përbërja
1 tabletë përmban 4,5 mg dihidroergotoksin metansulfonat.
1ml tretësirë për përdorim oral (20 pika) përmban 1 mg dihydroergotoxin metansulfonat.

Të dhëna farmakologjike
Dihidroergotoksina është derivat i hidratuar i alkaloideve Secale cornutum. Eshtë një përzierje prej katër alkaloideve të hidratuara të ergotoksinës: dihidroergokristin, dihidroergokornin, alfa-dihidroergokriptin, beta-dihidroergokriptin në raport 3:3:2:1.
Preparati është agonist i receptorëve të  dopaminës dhe serotoninës në sistemin nervor qëndror dhe antagortist i receptorëve alfa 2 presinaptikë dhe alfa 1 postsinaptikë.Në sistemin nervor qëndror, rrit aktivitetin metabolik të qelizave ganglionare, ul rezistencën e enëve të gjakut duke frenuar qëndrën vazomotore, përmirëson qarkullimin e trurit dhe rrit përdorimin e oksigjenit.
Në periferi ka efekt vazodilatator, ul tensionin arterial përmirëson furnizimin e qelizave me oksigjen.

Indikacionet terapeutike
Reduktim dhe përmirësim i simptomave të demencës primare progresive, demencës Alzheimer, demencës senile, demencës nga infraktet e shumta, uljes idiopatike të aftësive mendore të shkaktuara nga ndyshime arteriosklerotike te pacientët e moshuar (mbi moshën 60 vjeç) dhe gjendje që vijnë pas dëmtimeve traumatike të sistemit nervor qëndror nga shkaqe të ndryshme.
Mjekim i angiopative periferike të provokuara nga proceset arteriosklerotike te personat e moshuar. Mjekim plotësues i hipertensionit arterial te personat e moshuar, duke e përdorur njëkohësisht me medikamente të tjera.

Kundërindikacione
Mbindjeshmëri ndaj medikamentit;
Psikoza akute ose kronike, pavarësisht nga etiologjia e tyre.

Masa paralajmëruëse
Dihidroergotoksin metansulfonati duhet të administrohet vetëm në rastet që kanë rënie simptomatike të aftësive mendore.
Nqs gjatë terapisë me Alkornin shfaqet hipotension ose bradikardi, menjëherë duhet të ndërpritet marrja e medikamentit.

Ndërveprimet
Dihidroergotoksina ka efekt sinergjik me rezerpinën dhe diuretikët (hidroklortiazid, klopamid) në uljen e tensionit arterial, kështu që shpesh përdoret njëkohësisht me to si terapi e kombinuar.
Për shkak të reagimeve të zgjatura vazospastike, është i kundërindikuar përdorimi i naratriptanit, rizatriptanit dhe zolmitriptanit për një periudhë prej 24 orësh nga dhënia e dihidroergotoksin mesilat-it ose ergot-alkaloideve të tjera .

Efekte të padëshirueshme
Gjatë përdorimit të Alkorninës edhe për një periudhë të gjatë kohe, nuk janë konstatuar efekte anësore të rënda.
Efektet anësore më të shpeshta janë nauzeja tranzitore, çrregullime gastrike, hipotension ortostatik, bradikardi sinuale, anoreksi, çrregullime të pamjes. Alkornina nuk ka efektet vazokonstriktore të ergot alkaloideve natyrale.

Dozimi dhe mënyra e përdorimit
Alkornina në formë tabletash dhe tretësire, përdoret si mjekim nga goja.
Tabletat:
Doza e zakonshme terapeutike është 1 tabletë (4,5 mg) në ditë.
Tretësira për përdorim oral:
Doza e zakonshme terapeutike është 3 herë në ditë nga 20-30 pika (1-1,5 mg) në ditë.
Për rasta më të rënda mund të merren edhe doza më të mëdha.
Medikamenti duhet të merret me ushqim ose qumësht që të zvogëlohet mundësia për irritim të stomakut.
Përmirësimi i simptomave gjatë përdorimit të Alkorninës shfaqet ngadalë dhe efektet e para duhet të priten pas 3-4 javësh.

Mbidozimi
Nuk janë njohur raste të mbidozimit me Alkornin.
Si simptoma të mundshme të helmimit me dihidroergotoksin mund të kemi:
humbje oreksi, të vjellja, dhimbje barku, bllokim të hundës, dhimbje koke, marrje mendsh, vështirësi në shikim, shkëlqime para syve.
Terapia në rast mbidozimi është simptomatike. Nuk ekziston antidot specifik.

Paketimi :
Shishe me 20 tableta nga 4,5 mg.
Tretësirë për përdorim oral me 50 ml solucion.

Kushtet e ruajtjes së medikamentit
Mbajeni  larg  femijëve!
Mos e përdorni pas datës së skadencës, e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani në temperaturë mbi 25°C!
Ruajeni  barin në paketimin origjinal dhe mbrojeni atë nga drita dhe lageshtia!
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive