Sunday, October 23, 2016

Aritmia

Aritmia është një çrregullim i ritmit të rrahjeve të zemrës. Gjatë aritmisë, zemra mund të rrahë shumë shpejtë, shumë ngadalë ose me një ritëm të çrregullt.

LLOJET E ARITMIVE

Ka shumë tipa të aritmive, por ne do t’i përmendim katër kryesorët:

Rrahjet premature (forma më e shpeshtë e aritmive, janë të padëmshme, zakonisht pa simptoma).
Aritmitë supraventrikulare (janë takikarditë që fillojnë në atrium ose në nyjën AV. Këtu përfshihen fibrilacioni atrial, vibrimi atrial, takikardia paroksizmale atriale dhe sindroma Wolff-Parkinson-White).
Aritmitë ventrikulare (fillojnë në ventrikul, mund të jenë shumë të rrezikshme dhe kërkojnë. kujdes të menjëhershëm mjekësor. Përfshihen takikardia ventrikulare dhe fibrilacioni ventrikular)
Bradiaritmitë (kur rrahja e zemrës është më e ngadalshme se normalisht).

SHKAKTARËT

Një aritmi mund të shkaktohet kur sinjalet elektrike që kontrollojnë rrahjet e zemrës vonohen ose bllokohen. Kjo ndodh kur qelizat e specializuara nervore që prodhojnë sinjalet elektrike nuk punojnë si duhet. Po ashtu, mund të ndodhë nëse sinjalet elektrike nuk udhëtojnë normalisht nëpër zemër.

Një aritmi mund të shfaqet edhe kur një pjesë tjetër e zemrës fillon të prodhojë sinjale elektrike.

Duhanpirja, përdorimi i tepruar i alkoolit, përdorimi drogave (si kokaina dhe amfetamina), përdorimi i pakontrolluar i disa barnave, kafeina dhe nikotina e tepërt mund të shkaktojnë aritmi te disa njerëz. Stresi i madh emocional ose nevrikosja e nxisin zemrën të punojë më shumë, rritin shtypjen e gjakut dhe lëshohen hormonet e stresit – reaksione të cilat mund të çojnë te aritmia.

Infarkti në zemër ose ndonjë gjendje tjetër (shtypja e lartë e gjakut, pamjaftueshmëria e zemrës, çrregullimet e gjëndrës tiroide, sëmundja reumatike e zemrës) që dëmtojnë sistemin përçues të zemrës, po ashtu mund të jetë shkaktar i aritmisë.

SHENJAT DHE SIMPTOMAT

Shenjat dhe simptomat më të shpeshta:

Palpitacionet (ndjenja e rrahjes së zemrës)
Rrahja e ngadalshme e zemrës
Rrahja e çrregullt e zemrës
Ndjenja e pushimeve mes rrahjeve të zemrës
Shenjat dhe simptomat më serioze:

Ankthi
Dobësi, marramendje, kokëdhimbje
Të fikët
Djersitje
Shkurtim i frymëmarrjes
Dhimbje në gjoks

TRAJTIMI

Aritmitë e shpeshta trajtohen me medikamente, procedura mjekësore dhe ndërhyrje kirurgjike.

Medikamentet mund ta zvogëlojnë rrahjen e një zemre që punon shpejtë (beta-bllokuesit, bllokuesit e kanaleve të kalciumit dhe digoksina). Po ashtu mund ta kthejnë një ritëm anormal në rrahje normale (amiodarone, sotalol, flecainide, propafenone, dofetilide, ibutilide, quinidine, procainamide dhe disopyramide). Këto barna quhen antiaritmikë.

Aktualisht nuk ka barna të cilat mund ta shpejtojnë ritmin e zemrës. Në këtë rast përdoret ‘pacemakeri’. Terapitë shtesë përfshijnë barnat antikoagulues, po edhe përdorimi i terapive kundër gjendjeve që mund t’i paraprijnë aritmisë.

Procedurat mjekësore
Disa aritmi trajtohen me pacemaker. ‘Pacemakerët’ janë aparate të vogla që vendosen nën lëkurë (në gjoks ose bark) për të ndihmuar kontrollimin e ritmit të zemrës. Këto pajisje kanë sensorë që detektojnë aktivitetin elektrik të zemrës. Në rast se aparati vëren një ritëm anormal, atëherë dërgon pulse elektrike për ta nxitur zemrën që të rrahë me ritëm normal. Një tjetër aparat i ngjashëm me pacemakerin është defibrilatori kardioverter, i cili ndihmon në kontrollimin e aritmive që kërcënojnë jetën.

Ndërhyrja kirurgjike
Disa aritmi mjekohen me operacion, sidomos kur dihet sëmundja e zemrës që e shkakton aritminë.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive