Monday, October 10, 2016

Diabeti

Diabeti është një çrregullim i metabolizmit të glukozës, si rezultat i të cilit kjo substancë mblidhet në sasi të larta në gjakun e njeriut.
Shumica e ushqimeve të cilat njerëzit i hanë zbërthehet në glukozë, një formë e thjeshtë e sheqerit në gjak. Glukoza është burimi kryesor i energjisë për organizmin. Pas tretjes, glukoza kalon në qarkullimin e gjakut, ku përdoret nga qelizat për t’u rritur dhe për energji. Që glukoza të arrijë në qeliza duhet patjetër të jetë e pranishme insulina. Insulina është nj hormon i prodhuar nga pankreasi, një gjëndër e madhe e vendosur prapa lukthit.
Kur njeriu han, pankreasi automatikisht prodhon sasinë e nevojshme të insulinës për ta larguar glukozën nga gjaku në qeliza. Te njerëzit me diabet, pankreasi ose prodhon pak ose aspak insulinë, ose qelizat nuk përgjigjen si duhet ndaj insulinës së prodhuar. Kështu, glukoza mblidhet në gjak, rrjedh në urinë, dhe del nga organizmi përmes urinës. Kështu, organizmi humb burimin kryesor të energjisë, edhe pse gjaku përmban sasi të mëdha të glukozës.
Diabeti mund të jetë i pranishëm në formë të tre llojeve:
- Diabeti i tipit 1
- Diabeti i tipit 2 dhe
- Diabeti gestacional.
Kush preket nga diabeti?
Diabeti nuk është sëmundje ngjitëse. Njerëzit nuk mund ta marrin atë nga njëri-tjetri. Megjithatë, ka disa faktorë të caktuar të cilët rrisin rrezikun e zhvillimit të diabetit.
Diabeti i tipi 1: paraqitet njëjtë si te femrat po ashtu edhe meshkujt, por është më i shpeshtë te njerëzit e racës së bardhë. Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se disa vende evropiane, si Finlanda dhe Suedia, kanë shkallën më të lartë të diabetit 1. Arsyeja e kësaj është e panjohur. Lloji 1 i diabetit prek më së shumti fëmijët, por mund të paraqitet në çdo moshë.
Diabeti i tipit 2 është më i shpeshtë te të moshuarit, veçanërisht te njerëzit e mbipeshë. Ai paraqitet njëjtë si te femrat ashtu edhe te meshkujt.
Komplikimet e diabetit
Diabeti lidhet me komplikime afatgjata të cilat prekin po thuajse çdo pjesë të organizmit. Sëmundja shpesh çon në verbëri, sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, goditje në tru, pamjaftueshmëri të veshkave, amputime, dhe dëmtime nervore. Diabeti jo i kontrolluar mund ta komplikojë shtatzëninë, dhe defekte të lindjes janë më të shpeshta te foshnjat e lindura te fermat me diabet
Analiza e nivelit të glukozës në gjak në gjendje esëll (pa ngrënë) është analiza e preferuar për të diagnostikuar diabetin te fëmijët dhe të rriturit (jo shtatzënat). Analiza është më e besueshme kur bëhet në mëngjes. Megjithatë, diagnostikimi i diabetit mund të bazohet në cilindo prej rezultateve të testeve të mëposhtme, të konfirmuara nga ri-testimi në një ditë tjetër:
- Niveli i glukozës së gjakut prej 126 mg/dL (7 mmol/litër) ose më i lartë tetë orë pa ngrënë. Ky test quhet testi i glukozës në gjak në të esëll.
- Niveli i glukozës në gjak mbi 200 mg/dL (11 mmol/litër) ose më i madh dy orë pas pirjes së ndonjë pije që përmban 75 gramë glukozë të tretur në ujë. Ky test quhet testi oral i tolerancës në glukozë (TORG)
- Testi i rastësishëm (i bërë në çdo kohë) i nivelit të glukozës në gjak prej 200 mg/dL (11 mmol/litër) ose më i madh, së bashku me një prani të simptomave të diabetit.
Diabeti gestacional diagnostikohet bazuar në matjet e niveleve të glukozës gjatë TORG. Nivelet e glukozës janë normalisht më të ulëta gjatë shtatzënisë, andaj edhe nivelet e toleruara për diabet në shtatzëni janë më të ulëta. Nivelet e glukozës në gjak maten para se një femër të pijë një pije që përmban glukozë. Pastaj nivelet kontrollohen 1, 2 dhe tre orë më pas. Nëse femra ka dy nivele të glukozës në gjak që prek ose tejkalon numrat e mposhtëm, ajo ka diabet gestacional:
- niveli i glukozës në vlerën 95 mg/dL (5.3 mmol/L) në të esëll,
- 180 mg/dL (10 mmol/L) një orë pas ngrënies,
- 155 mg/dL (8.7 mmol/L) dy orë pas ngrënies, ose
- 140 mg/dL tre orë pas ngrënies (7.8 mmol/L).

Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive