Sunday, October 23, 2016

Kanceri i Mushkerive

Kanceri i mushkërive është vrasësi numër një si për meshkujt ashtu edhe për femrat në mesin e kacerëve. Vetëm në SHBA çdo vit nga kanceri i mushkërive vdesin rreth 165 mijë persona. Shumica e rasteve të kancerit të mushkërive janë të lidhura me pirjen e duhanit. Andaj, nëse pini duhan, është më së miri të ndaloni sa më shpejt që mundeni.

Trupi është i përbërë prej qelizave të vogla. Qelizat normale të organizmit zhvillohen dhe vdesin në një mënyrë të kontrolluar. Ndonjëherë qelizat vazhdojnë të ndahen dhe të rriten pa kontrollin e zakonshëm, duke shkaktuar rritje anormale të quajtura tumor.

Nëse tumori nuk ndodh në afërsi të indeve dhe pjesëve të trupit, ai quhet tumor beninj ose jo-kanceroz. Tumoret beninje rrallë ndodh të jenë kërcënuese për jetën.

Nëse tumori pushton dhe shkatërron qelizat në afërsi të indeve, ai quhet tumor malinj, ose kancer. Kanceret ndonjëherë mund të jenë kërcënuese për jetën. Qelizat kanceroze mund po ashtu të shpërndahen në pjesë të ndryshme të organizmit përmes enëve të gjakut dhe kanaleve limfatike. Limfa është një lëng po thuajse i pastër i prodhuar nga organizmi që largon mbeturinat nga qelizat. Ai udhëton nëpër enë të veçanta dhe struktura në formë të fasuleve të quajtura nyja limfatike.

Trajtimi i kancerit bazohet në vrasjen ose kontrollimin e qelizave anormale kanceroze të cilat zhvillohen.



Kanceret në organizëm emërohen në bazë të vendit ku kanceri ka filluar. Kanceri i cili fillon në mushkëri gjithmonë do të quhet kanceri i mushkërive, edhe nëse ai shpërndahet në vende të tjera si mëlçi, eshtra ose mushkëri.

Edhe pse mjekët mund ta përcaktojnë vendin prej ku kanceri ka filluar, shkaktari i një kanceri zakonisht nuk mund të identifikohet.

Qelizat përmbajnë material trashëgues ose gjenetik të quajtur kromozome. Ky material gjenetik kontrollon rritjen e qelizave. Kanceri gjithmonë zhvillohet nga ndryshimet që ndodhin në këtë material gjenetik. Kur materiali gjenetik bëhet anormal, ai mund të humbë aftësinë për ta kontrolluar zhvillimin e tij.

Ndryshimet e menjëhershme në materialin gjenetik mund të ndodhin nga arsye të ndryshme. Këto ndryshime mund edhe të jenë të trashëguara nga prindërit. Ndryshimet në materialin gjenetik po ashtu mund të ndodhin për shkak të ekspozimit të tij ndaj infeksioneve, barnave, duhanit, substancave të ndryshme dhe faktorëve të tjerë.

SHKAKTARËT

Ka dy lloje kryesore të kancerit të mushkërive: qeliza jo të vogla dhe me qeliza të vogla. Kanceri i mushkërive me qeliza jo-të vogla është më i shpeshtë, zhvillohet më ngadalë dhe nuk shpërndahet në organet tjera me shpejtësi.

Kanceri i mushkërisë me qeliza të vogla nuk është aq i shpeshtë sa lloji tjetër. Por ai është një kancer të zhvillohet me shpejtësi dhe shpërndahet shumë shpejt në organet tjera.

Pirja e duhanit qoftë aktive ose pasive (ekspozimi ndaj tymit) shkaktojnë shumicën e rasteve me kancer të mushkërive. Cigaret përmbajnë mbi 4 mijë lëndë kimike; 40 prej këtyre lëndëve kimike shkaktojnë kancer. Pirja e cigareve me filtër ose pa filtër nuk ndihmon parandalimin e kancerit. sPirja e duhanit me llullë ose e purove rrit rrezikun për kancer të mushkërve, edhe pse jo aq ashpër sa pirja e cigareve.

Ekspozimi ndaj tymit, materialeve radioaktive, azbestit dhe produkteve të tjera po ashtu rrit shanset për të zhvilluar kancer të mushkërive.

Ndalimi i pirjes së duhanit dhe shmangia e ekspozimit ndaj ambienteve të nxisin kancerin, si lëndët e rrezikshme kimike, ul rrezikun për zhvillimin e kancerit të mushkërive, madje edhe pas disa vitesh tymosje.
SIMPTOMAT

Kanceri i hershëm i mushkërive shpesh nuk shkakton simptoma. Por derisa kanceri zhvillohet, simptomat më të shpeshta shpesh përfshijnë:

 Kollitje e cila përkeqësohet dhe nuk largohet
 Kollitje me gjak
 Ngjirje e zërit
 Frymëmarrje të shkurtra, dhimbje në gjoks ose gërhitje
 Rënie në peshë pa shkaktar të njohur ose humbje e apetitit
Simptomat tjera të kancerit të mushkërive mund të përfshijnë:

 Ënjtje në fytyrë ose qafë
 Infeksione të përsëritura ose bronkit
 Temperaturë
  Ligështim i përgjithshëm – veçanërisht në shpatulla, krahë ose duar.

TRAJTIMI

Trajtimi i kancerit të mushkërive varet nga lloji i kancerit dhe shkalla e zhvillimit të tij. Njerëzit me kancer të mushkërive mund të keni operacion, kimioterapi, terapi rrezatuese, terapi të shënjestruar ose trajtim të kombinuar me këto metoda.

Trajtimi kancerit është ose terapi lokale (vetëm në vendin e kancerit) ose terapi sistematike (që prek gjithë organizmin):

Terapia lokale: Ndërhyrja kirurgjike dhe terapia me rrezatim janë lokale. Ato largojnë ose shkatërrojnë kancerin vetëm në gjoks (te rasti i kancerit të mushkërive).
Terapia sistematike: Kimioterapia dhe terapia e shënjestruar janë terapi sistematike. Barnat futen në qarkullimin gjakut dhe shkatërrojnë ose kontrollojnë qelizat kanceroze në gjithë organizmin.
Operacioni kirurgjik

Ndërhyrja me operacion kirurgjik për kancer të mushkërive largon indin i cili përmban tumor. Operacioni mund të largojë pjesë të mushkërisë ose të gjithë mushkërinë. Largimi i një pjese të mushkërisë është heqje e një cope ose heqje e një lobi të tërë të mushkërisë, që quhet lobektomi. Largimi i të gjithë mushkërisë quhet pneumonektomi. Operacioni po ashtu largon edhe nyjat limfatike në afërsi të kancerit.

Terapia me rrezatim

Terapia rrezatuese përdor rreze me energji të lartë për të shkatërruar qelizat kanceroze. Ajo prek qelizat në të gjithë zonën e trajtuar. Rrezatimi i jashtën është lloji më i shpeshtë i terapisë rrezatuese për kancer të mushkërive. Trajtimet zakonisht zgjatin pesë ditë në javë për disa javë. Efektet anësore varen gna lloji i terapisë rrezatuese, dozës së rrezatimit dhe pjesës së trupit që trajtohet.

Kimioterapia

Kimioterapia përdor barna për të vrarë qelizat e kancerit. Barnat përmes qarkullimit të gjakut arrijnë te qelizat kanceroze gjithkund të trup dhe i shkatërrojnë ose stopojnë rritjen e tyre.

Kimioterapia jepet në cikle. Ju duhet të bëni një periudhë pushimi pas secilës periudhë trajtimi. Efektet anësore varet kryesisht nga ilaçi që jepet dhe saasia e tij. Ilaçi mund t’i dëmtojë edhe qelizat normale të organizmit të cilat ndahen në mënyrë tëshpejtë (për shembull flokët dhe qimet kudo nëorganizëm).

Terapia e shënjestruar

Terapia e shënjestruar përdor barna për të bllokuar rritjen dhe shpërndarejne e qelizave kanceroze. Këto barna kapin ose ndryshojnë një molekulë specifike ose një proces për të cilin qelizat kanceroze kanë nevojë për t’u zhvilluar. Disa pacientë me kancer të mushkërive me qeliza jo-të vogla që është shpërndarë, u nënshtrohen terapive të shënjestruara.

Nëse kanceri i mushkërive nuk është shpërndarë dhe është relativisht i vogël, operacioni mund të jetë i patjetërsueshëm për të larguar kancerin.

Terapia rrezatuese dhe kimioterapia mund po ashtu të jenë të patjetërsueshme ose për ta shëruar kancerin ose, së paku, për ta ngadalësuar rritjen e tij.

Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive