Wednesday, November 2, 2016

Caffetin Cold

1. ÇFARË ËSHTË CAFFETIN COLD DHE PËR ÇFARË PËRDORET
Përmbajtja:
Një film tabletë e mbështjellur përmban: 500 mg paracetamol, 30 mg pseudoefedrin hidroklorid, 15 mg dekstrometorfan hidrobromid dhe 60 mg acid askorbik.

Forma farmaceutike
Film tabletat e mbështjellura janë me ngjyrë blu, zgjatore, bikonvekse me vijën e ndarjes në njerën anë.

Paketimi
Film tabletat Caffetin Cold janë të paketuara në blister të presuara (PVC/TE/PVdC/ Al blister) të perforuara për dozim individual, secila blister përmban nga 10 tableta.
Kutia e kartonit përmban 10 tableta (1 blister) dhe fletëudhëzimin.

Si vepron Caffetin Cold?
Caffetin Cold është bar i kombinuar, i cili përmban disa substanca aktive: paracetamol, pseudoefedrinë, dekstrometorfan dhe vitaminë C.
Paracetamoli shfrytëzohet për zvoglimin e dhimbjeve dhe për uljen e temperaturës së lartë trupore.
Pseudoefedrina e zbret kongjestionin nazal, duke lejuar hapjen e rrugëve të hundës dhe ato të frymëmarrjes.
Dekstrometorfani e heq kollitjen dhe irritimin bronkial.
Vitamina C e forcon sistemin imunologjik.

Kur përdoret Caffetin Cold?
Caffetin Cold përdoret për heqjen e simptomave të ftohjes së zakonshme (kokëdhembjes, dhimbjeve muskulare, pezmatimit të fytit, kongjestionit të hundëve, etheve, kollitjes).

2. ÇFARË DUHET TË DINI PARA SE TË PËRDORNI CAFFETIN COLD?
Informoni mjekun nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike, çrregullim metabolik, nëse e dini që jeni alergjik ose nëse jeni duke marrë barna të tjera.

Kur nuk duhet të përdorni Caffetin?
• Nëse jeni alergjik (hipersensitiv) (probleme me frymëmarrje, enjtje e fytyrës dhe gojës, skuqje e lëkurës, shkuarje e hundëve) në cilindo përbërës të Caffetin-ës të përmendura më parë.
• Nëse keni çrregullime të rënda të veshkave ose të mëlçisë;
• Nëse keni tension të lartë të gjakut (hipertension) ose sëmundje të arterieve koronare të zemrës;
• Nëse ju jeni duke i marrë ose nëse i keni marrë në dy javët e fundit barnat e quajtura inhibitorë të MAO-së (për depresion).

Përkujdesje të veçanta me Caffetin Cold:
• Nëse ju keni tension të lartë të gjakut deri në vlera mesatare, ose sëmundje të zemrës;
• Nëse keni Diabetes mellitus, gjendje e lidhur me nivelin e lartë të sheqerit në gjak;
• Nëse keni hiperfunksionim të gjëndrrës së tiroides (hipertiroidizëm);
• Nëse keni ngritje të tensionit në sy (glaukomë);
• Nëse keni rritje të prostatës;
• Nëse keni sëmundje të mëlçisë apo të veshkave.
Nëse jeni i moshuar mbi 60 vjeç , ju do të keni më tepër gjasa për manifestimin  e efekteve të padëshiruara nga Caffetin Cold.
Ky bar të mos merret më tepër se 5 ditë rresht.
Nëse nuk përmirësohen simptomat e tuaja, ose nëse ato përkeqësohen edhe më tepër, konsultohuni me mjekun tuaj.
Caffetin cold nuk rekomandohet të përdoret te fëmijët nën moshën 12 vjeçare.

Përdorimi i Caffetin Cold me ushqime dhe pije:
Tabletat e Caffetin Cold mund të merren me ose pa ushqim.
Derisa jeni në terapi me Caffetin Cold nuk duhet të merrni pije të cilat përmbajnë alkool.
Nëse ky bar merret së bashku me alkool mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë.
Të shmangen produktet që përmbajnë kafeinë, sepse mund të shfaqet nervoziteti dhe shpejtimi i rrahjeve të zemrës.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Këshillohuni me mjekun tuaj ose farmacistin para se të filloni të merrni çfarëdo lloj bari.
Farmacisti ose mjeku juaj do ta diskutojë rrezikun dhe përfitimin e përdorimit të Caffetin Cold nëse ju jeni shtatzënë ose gjidhënëse.

Efekti mbi aftësinë për të drejtuar automjete dhe për të përdorur makineri
Duhet të jeni të kujdesshëm me rastin e ngarjes së makinës ose operimit me makineri.
Caffetin Cold te disa persona mund të shkaktojë marramendje dhe mund të ketë pak ndikim në aftësitë psikofizike për ngarje të makinave apo për punë me makineri të rrezikshme.

Në çfarë duhet patur kujdes nëse përdorni barna të tjera
Informoni mjekun ose farmacistin nëse jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, qoftë edhe ato pa përshkrimin e mjekut.
Të keni parasysh se këto informacione mund ti përkasin barnave të cilat më nuk i pini, si dhe barnat të cilat planifikoni ti merrni në të ardhmen.
Bashkadministrimi i Caffetin COLD me disa barna të tjera mund të jap interaksione.
Kjo mund të shfaqet me rastin e marrjes së këtyre barnave:
• Barna që përmbajnë paracetamol;
• Barnat kundër koagulimit të gjakut (si varfarina);
• Barnat për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut (beta-bllokuesit dhe antihipertenzivët e tjerë);
• Barnat për trajtimin e depresionit;
• Barnat për trajtimin  e epilepsisë (barbituratet, antikonvulzivët);
• Barnat për kontracepcion (kontraceptivët oralë);
• Barnat për trajtimin e Parkinson-it;
• Rifampicina (për tuberkulozë);
• Kolestiramina (për uljen e nivelit të yndyrnave në gjak);
• Kloramfenikoli (për infeksione).

3. SI TË PËRDORET CAFFETIN COLD?
Nëse vëreni se efekti i  barit është shumë i fortë ose shumë i dobët këshillohuni me mjekun ose farmacistin.

Dozimi dhe mënyra e përdorimit
Këtë bar duhet ta merrni saktësisht sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mos e ndryshoni dozën, ose ta ndërpreni marrjen e mëtejme pa konsultim paraprak me mjekun tuaj.
Mjeku juaj do ta përcaktojë dozimin dhe kohëzgjatjen e mjekimit.
Të rriturit dhe adoleshentët mbi 12 vjeç
Doza e rekomanduar është një tabletë, deri katër herë në ditë.
Për një herë mund të merren dy tableta.
Intervali mes administrimeve nuk duhet të jetë më i shkurtër se katër orë.
Doza maksimale e vetme është 2 tableta, ndërsa doza ditore maksimale është 8 tableta. (merren nga 2 tableta më së shumti 4 herë për 24 orë).
Bari nuk merret më tepër se 5 ditë pa konsultimin e mjekut.
Fëmijët nën moshën 12 vjeçare:
Caffetin Cold nuk rekomandohet për fëmijët e moshës nën 12 vjeçare pa këshillën  e mjekut.
Ky bar të mos merret më gjatë se 5 ditë rresht; nëse nuk përmirësohen simptomat tuaja, ose nëse ato përkeqësohen, konsultohuni me mjekun tuaj.

Nëse përdorni Caffetin Cold  më shumë sesa duhet
Në rast të marrjes të sasive më të mëdha të Caffetin Cold  sesa duhet, duhet të kontaktoni sa më parë me mjekun tuaj ose farmacistin.
Me vete duhet të keni edhe barin ose paketimin e barit, në mënyrë që mjeku ta dijë sa çfarë keni marrë.
Ai do ti përcaktojë masat që duhet të ndërmerren, në vartësi nga ashpërsia e intoksikimit/mbidozimit. Rreziku qëndron në dëmtimin serioz të mëlçisë.

Nëse keni harruar ta merrni Caffetin Cold
Mos e dyfishoni dozën.
Tabletat e Caffetin Cold mund të merren në harmoni me nevojën për mënjanimin e dhimbjeve.
Nëse keni harruar ta merrni këtë bar, ju duhet ta merrni këtë sa më parë që ju kujtohet.
Nëse është koha për aplikimin e radhës, vazhdoni sipas orarit, ashtu si është përshkruar nga mjeku juaj. Ju mund të merrni maksimalisht 2 tableta për një herë.

Nëse e ndërpreni marrjen e Caffetin Cold
Barin merreni sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mjeku juaj do të ju tregojë për kohëzgjatjen e marrjes së barit.
Nëse keni ndonjë pyetje, ose nëse keni diçka të paqartë, pyeteni mjekun tuaj ose farmacistin.

4.  EFEKTET ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat tjera, edhe Caffetin Cold mund të ketë efekte të padëshiruara, por nuk do të thotë se këto do ti ketë secili pacient.
Tregoni mjekut tuaj ose farmacistit nëse ju do të keni: nauze, vjellje,përgjumje,  nervozitet, vështirësi me gjumë, marrëmendje, ngritje e tensionit të gjakut, tharje e gojës. të gjitha këto efekte nuk janë shumë serioze.
Nëse ju do të keni reaksione alergjike (skuqje e lëkurës, urtikarie, vështirësi me frymëmarrje apo me gëlltitje, enjtje e fyyrës, buzëve, gjuhës) ndërprejeni marrjen e mëtejme dhe lajmërohuni menjëherë në qendrën më të afërme emergjente.
Reaksionet alergjike konsiderohen si efekte serioze të padëshiruara.
Reaksionet e padëshiruara serioze shfaqen shumë rrallë.
Ju lutemi që të konsultoheni me mjekun tuaj ose me farmacistin nëse do të keni ndonjërin nga këto efekte të padëshiruara, ose ndonjë i cili nuk është shënuar në këtë fletëudhëzim.

5. RUAJTJA DHE AFATI I PËRDORIMIT
Ruajtja
Mbajeni larg fëmijëve!
Ky bar nuk kërkon kushte të veçanta për ruajtje.

Afati i përdorimit
Të ruhet në pako origjinale.
Të mos përdoret pas kalimit të afatit të përdorimit të shtypur në pako.
Data i referohet ditës së fundit të muajit të shënuar.

Mënyra e marrjes së këtij bari
Ky bar merret pa recetë të mjekut.

Masat speciale të shkatërrimit të barit të papërdorur
Barnat nuk duhet të hidhen në vende të papërshtashme.
Pyeteni farmacistin për shkatërrimin e barnave të cilat nuk ju nevojiten.
Kjo masë do të ndihmojë në ruajtjen e ambientit.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive