Thursday, November 10, 2016

Favistan 20mg(tableta)

1.Çfarë është FAVISTAN® dhe për çfarë përdoret.
FAVISTAN është bar nga grupi i tireostatikëve, është i dedikuar për shërim te hipertireoza.
Hipertireoza është gjendje e funksionit të rritur të gjëndrës tireoide, për shkak të formimit të tepërt të hormoneve të gjëndrës tireoide.

Përbërja: Një tabletë përmban: 20,0 mg tiamazol.

Paketimi: Kutia me 20 tableta.

Si vepron FAVISTAN®
Tiamazol-i pengon inkorporimin e jodit në tirozinë dhe kyçjen e dy molekulave të dijod-tirozinës në hormonin tiroksinë.
Ky efekt arrihet me inhibimin e reaksioneve të katalizuara nga tiroid peroksidaza.
Përveç kësaj, tiamazoli bllokon lidhjen e jod-tirozinës në dijod-tirozinë, derisa marrja e jodideve në gjëndrën tiroide nuk është e bllokuar.
Efekti përfundimtar i veprimit të tiamazolit është inhibimi i sintezës dhe zvogëlimi i koncentrimit të hormoneve të tiroidesë, si në gjëndër ashtu edhe në qarkullim.
Rezultati i terapisë me tiamazol do të vërehet gjatë javës së parë ose të dytë të trajtimit.

Kur përdoret FAVISTAN®

Hipertireoza (Morbus Graves-Basedow);
Përgatitja për ndërhyrje kirurgjike (tireoidektomi subtotale);
Terapia shtesë me jod radioaktiv;
Terapia te rastet e pacientëve, recidivë postoperativ;
Kriza tireotoksike.
2. Çfarë duhet të dini para se të përdorni
Informoni mjekun nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike, çrregullim metabolik, nëse e dini që jeni alergjik ose nëse jeni duke marrë barna të tjera.

Kur nuk duhet ta përdorni FAVISTAN®

Granulocitopenia;
Struma substernale;
Obstruksioni trakeal i shkaktuar nga struma.
Përkujdesjet
Te pacientët me funksion të dëmtuar të mëlçisë dhe veshkave duhet ulur dozën e tiamazolit.
Në rastet e hepatitit, dermatitit eksfoliativ, anemisë aplastike terapia ndërprehet.
Leukopenia dhe trombocitopenia janë shenja për ndërprerje të domosdoshme të mjekimit me tiamazol, me qëllim të ndërprerjes së manifestimit të agranulocitozës.
Pacientët duhet paralajmëruar që rast të paraqitjes së ulçerimeve në mukozën e gojës, puçërave në lëkurë si dhe temperaturës duhet menjëherë të lajmërohet mjeku dhe të ndërprejnë terapinë.
Janë të mundshme reaksione të vonuara në medikament te pacientët që marrin jod dhe nuk rekomandohet marrja e jodit gjatë terapisë me tiamazol.
Është e domosdoshme kontrolli i analizave të gjakut gjatë vazhdimit të terapisë.

Marrja e FAVISTAN® me ushqim dhe pije
Marja e përnjëhershme e FAVISTAN® tabletave me pije alkoolike do të rezultojë me sedacion të rritur.
Prania e ushqimit në stomak nuk ka ndikim në veprimin e këtij bari.
Favistan-i mund të përdoret pavarësisht nga ajo se a keni marë ushqimin apo jo.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Këshillohuni me mjekun ose farmacistin para se të filloni të merrni ndonjë bar.
Tiamazol kalon barrierën placentare dhe mund të shkakton gushë te fetusi.
Gjatë kësaj mund të paraqitet edhe aplazioni i lëkurës e cila manifestohet më së shpeshti si defekt i në kafkë.
Nëse tiamazol duhet tu jepet shtatzënave terapinë duhet ndërprerë në tre muajt e parë dhe muajin e fundit të shtatzënësisë.
Pasi që bari ekskretohet në qumështin e nënës, nuk duhet dhënë gjatë periudhës së gjidhënies.

Efektet mbi aftësinë për të drejtuar automjetin dhe për të përdorur makineri
Bari nuk ndikon në aftësitë psikofizike të pacientit.

Në çfarë duhet patur kujdes nëse përdorni barna të tjera
Informoni mjekun ose farmacistin nëse jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, qoftë edhe ato pa përshkrimin e mjekut.

Është me rëndësi që mjeku juaj të dijë që përdorni barërat që vijojnë:
• antikoagulansët ( p.sh.varfarina)
Efikasiteti i antikoagulansëve mund të rritet për shkak të ashtuquajturit veprimit anti-vitamin K të FAVISTANIT.
• Me jod dhe kontrastet e jodit zvogëlohen efektet e këtij bari.
• FAVISTANI ndërvepron me instalimin e jodit në tireoglobulinë, prandaj trajtimin duhet ndërprerë disa ditë para dhe pas terapisë me jod radioaktiv.

3. Si përdoret FAVISTAN®
Nëse vëreni se efekti i barit është shumë i forte ose shumë i dobët këshillohuni me mjekun ose farmacistin.
Dozimi me Favistan tableta kryhet sipas rekomandimeve të mjekut. Doza ditore e rekomanduar është 20 – 60 mg, 1-3 tableta të cilat jepen në disa doza të ndara.
Me përmirësimin e gjendjes doza duhet zvogëluar në 1-2 tableta në ditë.
Gjendja eutiroide (funksioni normal e tireoidesë) arrihet zakonisht gjatë 1-2 muaji pas së cilës jepen doza mbajtëse minimale të barit, prej ¼ deri 1 tabletë në ditë. Favistan tabletat janë me vijë ndarëse ashtu që mund të ndahen lehtë edhe në 4, pjesë kështu që janë të përshtatshme edhe për dozën e mbajtjes. Në përgatitjen për tireoidektomi subtotale, Favistan jepet si te hipertireodizmi deri sa pacienti të arrijë në gjendje eutiroide. 7-10 ditë para operacionit shtohet ndonjë nga preparatet e jodideve.
Si terapi shtesë me jod radioaktiv, Favistan-i aplikohet disa javë para terapisë me jod radioaktiv, me qëllim të reduktimit të rezervave të hormoneve tiroide dhe si preventivë nga lirimi i mëtejshëm i hormoneve.
Aplikimi me Favistan duhet ndërprerë 2-4 ditë para rrezatimit, kurse mund të vazhdohet disa ditë pas trajtimit, nëse pacienti nuk reagon në terapinë me jod radioaktiv.
Pacientët recidivë postoperativ, mjekohen në mënyrë të njëjtë si hipertireoidizmi.
Në shërimin e krizës tirotoksike jepet 120 mg tiamazol në 24 orët e para, në mënyrë perorale ose përmes sondës nazogastrike në doza të ndara.
Me qetësim e krizës tireotoksike duhet zvogluar edhe dozën e Favistan-it.

Nëse përdorni më shumë sesa duhet
Nëse keni marrë një mbidozë, këshillohuni menjëherë me mjekun ose farmacistin!

Simptomet janë:

mundimi,
vjellja,
dhembje epigastrike,
kokëdhembje,
temperaturë,
dhembje në nyje,
pruritus,
edema.
Masat te mbidozimi janë: të sigurohet kalim në rrugët e frymëmarrjes (intubimi dhe aplikimi i oksigjenit).
Me kujdes të veçantë të përcjellen dhe mirëmbahen (brenda kufijve të mundshëm) shenjat vitale, gazrat në gjak, elektrolitët dhe funksioni i palcës ashtrore.
Në raste të shumta është efikas edhe trajtimi me karbon medicinal sesa vjellja e provokuar ose lavazhi i stomakut.

Nëse haroni të merrni FAVISTAN®
Kurrë mos merrni dozë të dyfishuar për të zëvendësuar dozën e harruar.
Vazhdoni përdorimin e barit në intervale të zakonshme.

4. Efektet anësore të mundshme
Si të gjitha barnat e tjera, edhe FAVISTAN® mund të shkaktojë efekte anësore.
Këto efekte më së shpeshti lajmërohen gjatë dy muajve të parë të terapisë te rreth 3-12 % e pacientëve.
Puçëra në lëkurë te rreth 5%, pastaj mundimi, vjellje, trombocitopenia dhe leukopenia mesatarisht e theksuar do të shihet te 26% e pacientëve.

Efektet e tjera të padëshiruara janë: temperatura e rritur, kokëdhembja, vertigo, artralgjia, vaskuliti, nefriti, dëmtimi i mëlçisë, struma, ekzoftalmusi, çrregullim i shijes, rënie e madhe e flokëve dhe hipoprotrombinemia.
Efekti më i rëndë i padëshiruar është agranulocitoza e cila më së shpeshti shihet te të sëmurët e moshuar të trajtuar me doza të larta të barit (më të mëdha se 40 mg).
Pas ndërprerjes së terapisë me tiamazol mund të lajmërohet kriza tireotoksike.
Nëse vëreni ndonjë nga efektet anësore të renditura më sipër ose ndonjë efekt anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhezim, ju lutemi informoni mjekun ose farmacistin.

5. Ruajtja dhe afati i përdorimit
Ruajtja
Mbajeni larg fëmijëve.

Afati i përdorimit
Bari nuk duhet përdorur pas kalimit të afatit të përdorimit të shënuar në paketim.

Mënyra e dhënies së barit
Bari jepet vetëm me recetë të mjekut.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive