Thursday, November 10, 2016

Flonidan 5 mg/5 ml (Suspension që përdoret nga goja)

1. ÇFARË ËSHTË FLONIDAN DHE PËR ÇFARË PËRDORET ?
Loratadina,  substanca aktive e Flonidan, bën pjesë në grupin e antihistaminikëve.
Në reaksionet alergjike çlirohen substanca të ndryshme (mediatorë), të cilat shkaktojnë simptomat e reaksioneve alergjike.
Histamina është një nga mediatorët më të rëndësishëm në reaksionet alergjike.
Flonidan frenon veprimin e histaminës, prandaj paraqet një efekt të fortë antialergjik.
Flonidan lehtëson simptomat e shkaktuara nga histamina që çlirohet gjatë reaksioneve alergjike: të kruarat, skuqjen, enjtjen dhe sekrecionet nazale.
Fillimi i efektit shfaqet brenda 20 minutash pas gëlltitjes. Efekti zgjat afërsisht për 24 orë.

Flonidan tableta dhe suspension që përdoret nga goja përdoren për trajtimin e:

edemës dhe irritimit alergjik të brendshëm të hundës, të shkaktuar nga riniti alergjik (sezonal) dhe alergjisë nga pluhuri i shtëpisë (i përhershëm);
shpërthimit kronik me njolla dhe të kruara në lëkurë (urtikarie).
2. PËRPARA SE TË MERRNI FLONIDAN

Mos merrni Flonidan:

Nëse keni mbindjeshmëri ndaj loratadinës apo ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të produktit mjekësor.
Tregoni kujdes të veçantë me Flonidan:

Nëse gjendja juaj pas marrjes së Flonidan nuk përmirësohet ose përkeqësohet.
Nëse keni funksion të dëmtuar të mëlçisë apo të veshkave.
Njoftoni mjekun tuaj në lidhje me këto gjendje.
Ndërpriteni marrjen e produktit mjekësor të paktën 2 ditë përpara provave alergjike në lëkurë, sepse Flonidan mund të maskojë simptomat e mbindjeshmërisë.
Ju nuk duhet të tejkaloni dozën e rekomanduar nga mjeku juaj.

Marrja e barnave të tjera:
Ju lutem njoftoni mjekun apo farmacistin tuaj nëse jeni duke përdorur ose keni përdorur kohët e fundit ndonjë medikament tjetër, duke përfshirë edhe ato që merren pa përshkrimin e mjekut.
Nuk njihet ndonjë ndërveprim i rëndësishëm i Flonidan me barna të tjera.
Flonidan nuk e forcon efektin e alkoolit.
Megjithatë, ju nuk duhet të pini alkool kur jeni duke marrë Flonidan.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji:
Këshillohuni me mjekun ose farmacistin tuaj përpara se të merrni ndonjë medikament.
Siguria e loratadinës gjatë shtatzënisë nuk është e përcaktuar, prandaj nuk rekomandohet përdorimi i Flonidan gjatë shtatzënisë.
Loratadina sekretohet në qumështin e  nënën,prandaj nuk rekomandohet  përdorimi Flonidan gjatë kohës së ushqyerjes me gji.

Aftësia për të drejtuar automjetin dhe përdorimin e makinerive:
Nuk ka të dhëna për ndonjë ndikim të rëndësishëm të loratadinës në aftësinë për të drejtuar automjetin apo në përdorimin e makinerive, kur merret në dozën e rekomanduar.
Megjithatë, ju duhet të jeni të vetëdijshëm se disa njerëz mund të përjetojnë marramendje pas marrjes së Flonidan, të cilat mund të ndikojnë në aftësinë e tyre për të drejtuar automjetin apo për përdorimin e makinerive.

Informacion i rëndësishëm mbi disa përbërës të Flonidan:
Flonidan 10 mg tableta përmban laktozë.
Nëse ju është thënë nga mjeku juaj që keni një intolerancë ndaj disa sheqernave, kontaktoni me të përpara se të merrni këtë produkt mjekësor.
Flonidan suspension që përdoret nga goja përmban sukrozë.
Nëse ju është thënë nga mjeku juaj që keni një intolerancë ndaj disa sheqernave, kontaktoni me të përpara se të merrni këtë produkt mjekësor.

3. SI DUHET TË MERRET FLONIDAN
Merreni Flonidan saktësisht siç ju është thënë nga mjeku juaj.
Ju nuk duhet të ndryshoni dozën ose të ndërprisni marrjen e produktit mjekësor pa u konsultuar më parë me mjekun tuaj.

Të rriturit dhe fëmijët mbi 12 vjeç: duhet të marrin 1 tabletë ose 2 lugë matëse (10 ml) Flonidan suspension që përdoret nga goja, një herë në ditë.

Fëmijët 2 deri në 12 vjeç (pesha e trupit mbi 30 kg): duhet të marrin 1 tabletë ose 2 lugë matëse (10 ml) Flonidan suspension që përdoret nga goja, një herë në ditë.

Fëmijët 2 deri në 12 vjeç (pesha e trupit nën 30 kg): duhet të marrin 1/2 e tabletës ose 1 lugë matëse (5 ml) Flonidan suspension që përdoret nga goja, një herë në ditë.
Në pacientët me dëmtim të mëlçisë, trajtimi duhet të fillojë me një dozë më të ulët të produktit mjekësor.
Në vazhdim, të rriturit dhe fëmijët që peshojnë më shumë se 30 kg duhet të marrin një tabletë (10 mg), çdo ditë tjetër.

Fëmijëve që peshojnë 30 kg ose më pak: duhet t’ju jepni 1 lugë matëse (5mg/5 ml) ose 14 tabletë (5 mg) çdo ditë tjetër në vazhdim.
Nuk kërkohet rregullim i dozimit në pacientët e moshuar dhe në pacientët me funksion të dëmtuar të veshkave.
Përdorimi i suspensionit që përdoret nga goja këshillohet për fëmijet nën 12 vjeç.
Flonidan nuk duhet tu jepet fëmijëve nën dy vjeç.
Mjeku juaj do t’ju këshillojë se sa gjatë do ta vazhdoni mjekimin.
Flisni me mjekun ose farmacistin nëse keni përshtypjen se efekti i Flonidan është shumë i fortë ose shumë i dobët.

Nëse keni marrë Flonidan më tepër sesa duhet:
Nëse aksidentalisht keni marrë sasi më të mëdha suspensioni, ju duhet të këshilloheni menjëherë me mjekun tuaj.
Dozat e tepërta mund të shkaktojë përgjumje, dhimbje koke, dhe rrahje të shpejta të zemrës.
Produkti mjekësor duhet të eleminohet nga trakti gastrointestinal sa më shpejt që të jetë e mundur.
Trajtimi i mbidozës është simptomatik.

Nëse keni harruar të merrni Flonidan:
Nëse keni harruar të merrni dozën e Flonidan, merreni tabletën ose suspensionin menjëherë sapo të kujtoheni.
Nëse jeni pothuajse në orarin për dozën tuaj të ardhshme, kaloni dozën e harruar dhe kthehuni në regjimin tuaj të rregullt të marrjes së dozës.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën që keni harruar.

4. EFEKTE TË PADËSHIRUARA TË MUNDSHME
Si të gjitha produktet mjekësore, Flonidan mund të shkaktojë efekte anësore, ndonëse ato nuk shfaqen tek cilido.

Efekte anësore të zakonshme jo-serioze janë: dhimbje koke, nervozizëm, përgjumje dhe lodhje.

Të zakonshme (prekin 1 deri në 10 përdorues nga 100): dhimbje koke, nervozizëm, përgjumje, lodhje.

Jo të zakonshtne (prekin 1 deri në 10 përdorues nga 1000): pagjumësi, rritje oreksi.

Shume të rralla (prekin më pak se 1 përdorues në 10 000): takikardi, palpitacion, të fikët, aritmi, marramendje, të përziera, tharje goje, gastrit, rash, alopeci, anafilaksi, funksion jonormal të mëlçisë.
Nëse ndonjë nga efektet anësore bëhet serioz ose nëse vëreni ndonjë efekt anësor që nuk është përmendur në këtë fletë udhëzuese ju lutemi njoftoni mjekun tuaj ose farmacistin.

5. SI DUHET TË RUHET FLONIDAN
Mbajeni në vende të paarritshme nga fëmijët!
Mos e përdorni Flonidan pas datës së skadencës, e cila është shënuar në kuti pas fjalës EXP.
Data e skadencës i referohet ditës së fundit të muajit.
Medikamentet nuk duhet të hidhen në ujërat e zeza apo plehrat e familjes.
Pyesni farmacistin tuaj si të veproni me medikamentet që nuk janë më të nevojshme.
Këto masa do të ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit.
Ruajeni produktin në paketimin origjinal.
Ruajeni suspensionin që merret nga goja në temperaturë nën 25°C.

6.INFORMACION I MËTEJSHËM

Çfarë përmban Flonidan suspension që përdoret nga goja?

Substanca aktive është loratadina.
Çdo 5 ml suspension që merret nga goja (1 lugë matëse) përmban 5 mg loratadinë.

Përbërësit e tjerë janë: lëng me shije qershie, celulozë mikrokristalinë dhe karmelozë natriumi, acid citrik monohidrat, glicerol, benzoat natriumi E211, dihidrat citrat natriumi, polisorbat 80, propilenglikol, sukrozë, ujë të pastër.

Si paraqitet Flonidan dhe përmbajtja e paketimit

Flonidan 5 mg/5ml suspension gë përdoret nga goja: suspension i bardhë në pothuajse të bardhë.

Paketimi:

Flonidan 5 mg/5ml suspension që përdoret nga goja: shishe me 120 ml suspension që merret nga goja që përmban 5 mg/ 5 ml loratadinë, dhe lugë matëse.

Zotëruesi i Autorizimit për Tregëtim dhe Prodhues: Lek Pharmaceuticals d. d.. Verovskova 57, Ljubljanë, Slloveni .
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive