Tuesday, November 22, 2016

Loram 2.5 mg tableta

1.ÇFARË ËSHTË LORAM DHE PËR ÇFARË PËRDORET?
Çdo tabletë përmban 2.5 mg lorazepam.

Paketimi:
Kuti me dy blistera me nga 10 tableta prej 2.5 mg lorazepam.

Loram bën pjesë në grupin e produkteve mjekësorë që quhen benzodiazepina.
Ai vepron në uljen e tensionit psikik dhe vështirësisë për gjumë.
Lorazepami rregullon në mënyrë efikase probleme të ndryshme mjekësore që lidhen me çrregullime të gjendjes mendore.

Përse përdoret Loram?
Loram  përshkruhet si mjekim afatshkurtër për të ashtuquajturat  gjendje  ankthi.
Këto janë gjendje të tensionit psikik të shoqëruar me frikë dhe ankth, ndjenjë pasigurie dhe paaftësie.
Lorani përdoret gjithashtu në rastet kur çrregullimet e mësipërme shoqërohen me pagjumësi ose çrregullime të përkohshme psikosomatike, organike apo sëmundje psikike.

2. PËRPARA SE TË PËRDORNI LORAM

Mos përdorni Loram nëse:

jeni alergjik ndaj tij, ndaj benzodiazepinave ose ndaj përbërësve të tjerë të formulimit;
vuani nga apne e gjumit (ndalje e përkohëshme e frymëmarrjes gjatë gjumit);
vuani nga miastenia gravis (muskuj shume të dobët ose të lodhur),
vuani nga ataksia (ecje e paqëndrueshme);
vuani nga glaukoma (rritje e presionit të brendshëm të syrit);
keni insufiçiencë të rëndë renale ose hepatike ose ikter;
jeni duke ushqyer fëmijën me gji. Ky medikament ekskretohet në qumështin e nënës;
keni konsumuar alkool apo keni marrë një doze të lartë  të ndonjë bari tjetër.
Informoni mjekun për secilën nga gjendjet e mësipërme.

Përkujdesje të veçanta gjatë përdorimit

Informoni mjekun rreth gjendjeve mjekësore të mëposhtme (të tanishme apo të shkuara):

jeni shtatzënë apo planifikoni të jeni;
keni apo keni pasur vartësi nga alkooli ose substanca të tjera;
nëse keni vuajtur ose vuani nga depresioni ose çrregullime të tjera psikike; Në disa raste, trajtimi me Loram mund të riaktivojë gjendjet e mëparshme ose të zgjojë tentacionin për vetvrasje;
nëse vuani nga çrregullime të personalitetit. Në të tilla raste, rritet mundësia e krijimit të vartësisë nga Loram.
vuani nga sëmundja e Parkinson:
vuani nga glaukoma (problem i syve);
keni dëmtime traumatike të kokës ose ndryshime të tjera organike të sistemit nervor qëndror;
nëse keni sëmundje veshkash ose mëlçie .Nëse po, duhet të bëni kontrolle periodike të parametrave të funksioneve të mëlçisë dhe veshkave.
Flisni me mjekun nëse jeni duke përdorur ndonjë bar, përfshirë edhe ata pa recetë mjekësore, sepse egziston mundësia e ndërveprimeve midis medikamenteve.

Veçanërisht, duhet të informoni mjekun nëse jeni duke përdorur: barna sedativë të tjerë, anksiolitikë, antidepresivë, analgjezikë të fortë (psh. metadon), antiepileptikë, antihistaminikë dhe barna që përdoren gjatë shqetësimeve mendore dhe që lidhen me gjendjen emocionale.
Përpara fillimit të mjekimit me Loram, doza e këtyre medikamenteve duhet të ulet.

Përdorimi tek fëmijët
Akoma nuk është përcaktuar siguria dhe efikasiteti i përdorimit të Loramit për trajtimin e sëmundjeve psikike tek fëmijët nën 12 vjeç.
Doza e Loramit në procedurat kirurgjikale apo diagnostikuese është 0.05mg/kg peshë trupore.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Konsultohuni me mjekun përpara se të merrni çdo medikament.
Benzodiazepinat, përfshirë edhe Loram, mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme të fetusit nëse merren gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë.
Për këtë arsye, mos merrni Loram nëse jeni apo planifikoni të jeni shtatzënë, pa u konsultuar me mjekun.
Nëse lorazepami përdoret gjatë muajve të fundit të shtatzënisë ose gjatë lindjes, foshnja juaj mund të jetë më pak aktiv sesa fëmijët e tjerë, mund të ketë temperaturë të ulët, të ketë vështirësi në frymëmarrje ose ushqyerje.
Reagimi i foshnjes suaj ndaj ndryshimeve të ambientit mund të dëmtohet përkohësisht.
Nëse Loram përdoret rregullisht në fazën e fundit të shtatzënisë, fëmija juaj mund të shfaqë shenja të abstinencës pas lindjes.
Meqënëse Loram ekskretohet në qumështin e gjirit, ai nuk duhet të përdoret gjatë periudhës së ushqyerjes me gji.
Fëmija mund të bëhet i përgjumur, jo-aktiv dhe të ketë probleme me thithjen e gjirit.

Përdorimi i produkteve të tjerë mjekësorë
Lorami ndikon mbi efektin e disa produkteve mjekësorë dhe disa produkte mjekësorë ndikojnë mbi efektin e Loram.
Informoni mjekun nëse jeni duke përdorur Loram njëkohësisht me antidepresivë, neuroleptikë, preparate të litiumit, analgjezikë narkotikë, qetësues apo gjumëdhënës, cimetidinë, kolestiraminë, neomicinë, antihistaminikë dhe deprimues të tjerë të sistemit nervor, perfshirë alkoolin.
Ndërveprimet e tjera nuk paraqiten klinikisht të rëndësishme, megjithatë është e rëndësishme që ju të informoni mjekun mbi medikamentet e tjera që jeni duke përdorur, të marra me ose pa recetë.
Mjeku dhe farmacisti juaj duhet të kenë një listë të të gjitha medikamenteve që ju duhet të shmangni gjatë mjekimit me Loram.
Informoni mjekun mbi medikamentet e tjera që përdorni ose doni të përdorni njëkohësisht me Loram.

Drejtimi i automjeteve dhe puna me makineri
Gjatë përdorimit të lorazepamit  veçanërisht kur kombinohet me alkool, mund të zgjatet koha e reagimit, prandaj duhet patur kujdes gjatë drejtimit të automjeteve ose përdorirnit të makinerive që kërkojnë vëmendje.

Të dhëna të rëndësishme mbi përbërësit e tjerë të Loram
Tabletat Loram përmbajnë poliakrilik natriumi.
Ai është dëmshëm për pacientët me dietë të varfër me natrium. Hiperkalemi.
Pas administrimit oral mund të shfaqen çrregullime gastrointestinale.

3. MËNYRA E PËRDORIMIT TË LORAM
Mjeku do të përcaktojë dozën dhe kohëzgjatjen e mjekimit.
Ndiqni udhëzimet e mjekut dhe mos e rrisni dozën e përshkruar të Loram pa u këshilluar më parë me të.
Me qëllim që rezultati të jetë optimal, dozimi i Loramit duhet t’i përshtatet të sëmurit, reagimit të tij ndaj trajtimit dhe sëmundjes bazë.
Loram, zakonisht përshkruhet për një kohë të shkurtër që zgjat nga disa ditë në 4 javë.
Doza rritet dhe ulet gradualisht. Kjo gjë pakëson mundësinë e krijimit të vartësisë ose shfaqjes së efekteve anësore, kur mjekimi ndërpritet menjëherë.
Tableta mund të ndahet përgjysëm, nëse përshkruhet nga mjeku.
Përpara se të merrni ndonjë medikament apo para shtrimit në spital, duhet të informoni mjekun që jeni duke marrë mjekim me Loram.
Doza e fillimit për të rriturit është 1 deri 3 mg në ditë.
Rekomandohet që mjekimi të fillohet me 1/2 tablete 2.5 mg në mëngjes dhe në drekë dhe një tabletë 2.5 mg në darkë (5 mg në ditë).
Në pagjumësi merret 1/2 tablete 2.5 mg përpara gjumit.
Për shumicën e të sëmurëve psikikë, doza efikase luhatet nga 3 deri 7.5 mg në ditë.
Mos ndërprisni menjëherë mjekimin me Loram, pa rekomandimin e mjekut.

Nëse keni marrë më shumë Loram se ç’duhet
Nëse aksidentalisht keni marrë më shumë tableta Loram, pra dozë më të lartë se doza e përshkruar, duhet të këshilloheni menjëherë me mjekun.
Shenjat e mbidozimit janë përgjumja, konfuzioni mendor dhe koma.
Në rast mbidozimi duhet të bëhet lavazhi gastrik dhe të merren masa mbështetëse të përshtatshme.

Nëse keni harruar të merrni tabletën e Loram
Ju duhet ta merrni mjekimin me Loram sipas rekomandimit ta mjekut.
Në rast se harroni të merrni një dozë të barit, merreni atë porsa të kujtoheni.
Nëse është pothuajse koha për të marrë dozën e rradhës, prisni dhe merrni vetërn dozën përkatëse.
Në asnjë rast nuk duhet bërë dyfishimi i dozës për të kompensuar dozën e harruar.

Efekte që shfaqen kur ndërpritet mjekimi me Loram
Mos ndërprisni mjekimin dhe mos zvogëloni dozën pa rekomandimin e mjekut.
Në rast se marrja e Loram ndërpritet menjëherë, mund të shfaqen simptoma të tilla si humbje e sensit të realitetit dhe pamundësi për të ndier emocione.
Në disa pacientë është vënë re mpirje ose një ndjenjë shpimi e krahëve ose këmbëve, zhurmë në veshë, dridhje, haluçinacione, konvulsion, të vjella ose mbindjeshmëri ndaj dritës, zhurmave dhe prekjeve.
Kontaktoni menjëherë me mjekun nëse ju shfaqet ndonjë nga efektet e mësipërme.

4. EFEKTET E PADËSHIRUARA TË MUNSHME
Loram tolerohet përgjithësisht mirë.
Si të gjithë barnat, edhe Loram mund të shkaktojë shfaqjen e efekteve të padëshiruara.
Këto efekte zakonisht nuk janë serioze dhe nuk zgjasin për një kohë të gjatë.
Megjithatë, ju duhet të informoni mjekun nëse ndonjë efekt i padëshiruar bëhet shqetësues.

Efektet e padëshiruara më të shpeshta janë: sedacioni, përgjumja, marramendja, vertigo dhe ataksia (Iëvizje të paqëndrueshme).

Efekte të tjera që mund të shfaqen janë edhe: konfuzioni i shoqëruar me disorientim, dhimbja e kokës, deliriumi, depresioni dhe çrregullimet e gjumit.

Të mundshme janë reaksionet paradoksale si p.sh. ankthi, tensionimi dhe nervoziteti, çrregullimet e sjelljes, konstipacioni, ulja e libidos, vartësia dhe toleranca.

Lorazepami ndikon në funksionet konjitive (të mbajturit mend, vëmendja, përqëndrimi) dhe mund të shkaktojë amnezi anterograde.

Gjithashtu, ekziston mundësia që ai të ulë tensionin e gjakut (në vlera të vogla).

Rrallëherë, kur janë përdorur doza të larta, janë raportuar të përziera, të vjella, tharje e gojës, shikim i dyfishuar ose i mjegulluar, depresion i respiracionit (i formës së lehtë).

Disa efekte të padëshirueshme, të rënda, që vërehen më shpesh tek fëmijët e tek të moshuarit janë: nervozizëm, axhitim, irritim, agresivitet, haluçinacione, ndryshime të personalitetit, sjellje jonormale.

Informoni menjëherë mjekun në rast se shfaqet ndonjë nga këto shenja.

Ndërprisni mjekimin me Loram dhe flisni me mjekun nëse shfaqen reaksione mbindjeshmërie ndaj barit si: urtikarie, të kruajtura, rash dhe edemë e fytyrës, buzëve, gjuhës apo fytit .

Në rast se ndjeni vështirësi në frymëmarrje ose në përtypje, njoftoni menjëherë mjekun ose drejtohuni në spital për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.

Nëse virë re shfaqjen e ndonjë efekti të padëshiruar që nuk është përshkruar në këtë fletë udhëzuese, njoftoni mjekun ose farmacistin.

5. MËNYRA E RUAJTJES
Të mbahet në vende të paarritshëm nga fëmijët.
Bari të ruhet në vende me temperaturë nën 25°C, i mbrojtur nga drita.
Të mbahet në paketimin e vet origjinal.
Bari nuk duhet të përdoret pas kalimit të datës së skadencës të shënuar mbi paketë.

Nevoja për recetë mjekësore
Ky bar mund të përdoret vetëm me recetë mjekësore.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive