Sunday, December 25, 2016

ANOREKSIA

Anoreksia prek edhe trupin edhe mendjen e njeriut. Mund të fillojë si dietë, por del nga kontrolli. I prekuri mendon për ushqimin, dietën dhe peshën gjatë gjithë kohës. Ke një imazh të shtrembëruar rreth trupit. Të tjerët të thonë se je i/e hollë, por kur shihesh në pasqyrë, ti sheh një person të plotë.

Zakonisht anoreksia fillon në vitet e hershme, si tinejxher/e. Është shumë më e shpeshtë te femrat sesa te meshkujt. Trajtimi i hershëm mund të jetë shumë më efektiv. Por nëse nuk trajtohet herët, anoreksia mund të bëhet një problem i përjetshëm. Anoreksia që nuk mjekohet mund të çojë deri te mosushqyerja dhe problemet serioze shëndetësore, siç është osteoporoza, dëmtimi i veshkave dhe problemet e zemrës. Disa njerëz vdesin nga këto probleme.

Nëse ju ose dikush që njihni ka anoreksi, kërkoni menjëherë ndihmë. Sa më shumë që zgjat ky problem, është shumë më vështirë të tejkalohet. Me trajtim, një person me anoreksi mund të ndjehet më mirë dhe të mbajë peshë të shëndetshme trupore.

SHKAKTARËT

Çrregullimet e ushqyerjes janë komplekse, ndërsa ekspertët nuk e dinë në të vërtetë se çfarë i shkakton ato. Por ato mund të jenë si pasojë e historisë familjare, faktorëve socialë dhe tipareve të personalitetit.

Jeni të prirë për të pasur anoreksi, nëse:

Dikush tjetër nga familja juaj ka çrregullim të ushqyerjes, si anoreksia ose bulimia nervosa.
Keni një punë ose merreni me ndonjë sport që vë në pah madhësinë e trupit, si baleti, modelimi apo gjimnastika.
Jeni person që tentoni të bëheni i përsosur gjatë gjithë kohës, asnjëherë nuk mjaftoheni, por gjithmonë shqetësoheni.
Përballeni me ngjarje stresuese jetësore, si shkurorëzimi, zhvendosja në një qytet të ri apo shkollë, ose humbja e të dashurve.

SIMPTOMAT

Njerëzit me anoreksi zakonisht e mohojnë se kanë ndonjë problem. Ata nuk e kuptojnë apo nuk besojnë se kanë problem.

Njerëzit që kanë anoreksi:

Kanë peshë shumë më të vogël trupore sesa normalja
Frikësohen shumë se mos po shtojnë në peshë
Refuzojnë të qëndrojnë në peshë normale
Mendojnë se kanë mbipeshë edhe kur janë të hollë
Jeta e tyre bëhet e fokusuar në kontrollimin e peshës. Ata mund të:

Fiksohen pas ushqimit, peshës dhe dietës
Kufizojnë në mënyrë strikte sasinë e ushqimit që e konsumojnë
Ushtrojnë shumë, madje edhe kur janë të sëmurë
Vjellin ose përdorin laksativë ose diuretikë për të shmangur shtimin në peshë.

DIAGNOSTIKIMI

Nëse mjeku mendon se keni çrregullim të ushqyerjes, ai do të krahasojë peshën tuaj me peshën e pritur normale të dikujt më gjatësinë dhe moshën tuaj. Po ashtu, mjeku do të kontrollojë zemrën, mushkëritë, tensionin e gjakut, lëkurën dhe flokët, për të kontrolluar problemet e mundshme nga mosushqyerja. Gjithashtu, mund t’i nënshtroheni rëntgenit dhe analizave të gjakut.

Mjeku mund të bëjë pyetje se si ndiheni për të kontrolluar mos vuani nga ndonjë problem mendor, si depresioni dhe ankthi që luajnë rol në çrregullimet e ushqyerjes.

Të gjithë njerëzit që vuajnë nga anoreksia duhet të mjekohen. Trajtimi mund t’u ndihmojë që ta ktheni peshën e shëndetshme dhe ta mbani atë. Po ashtu, mund t’ju ndihmojë të mësoni shprehi të mira ushqyese dhe të filloni të ndiheni mirë me veten tuaj.

Duke qenë se anoreksia është një problem fizik dhe emocional, ju duhet të bashkëpunoni me një mjek, dietist dhe një psikiatër. Nëse pesha juaj ka rënë së tepërmi, atëherë duhet të shtroheni në spital për ta marrë mjekimin e duhur. Anoreksia mund të marrë shumë kohë për t’u tejkaluar.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Njoftohu ne email per postimet