Sunday, December 25, 2016

Gastriti

Gastriti mund të jetë akut ose kronik. Inflamacioni i menjëhershëm, i ashpër i brendësisë së lukthit quhet gastrit akut. Inflamacioni që zgjat për një kohë më të gjatë quhet gastrit kronik. Nëse gastriti kronik nuk mjekohet, ai mund të zgjatë për vite ose madje edhe për gjithë jetën.

Gastriti eroziv (gërryes) është një lloj i gastritit që shpesh nuk shkakton inflamacion të dukshëm, por mund ta largojë shtresën e brendshme të lukthit. Gastriti eroziv mund të shkaktojë gjakderdhje, erozion (gërryerje) ose ulcerë. Gastriti eroziv po ashtu mund të jetë akut ose kronik.

Raporti në mes të gastritit dhe simtpmave nuk është i qartë. Termi gastrit i referohet në veçanti inflamacion abdominal të mbështjellësit të brendshëm të lukthit. Njerëzit të cilët kanë gastrit mund të kenë dhimbje ose mundim në gjithë pjesën e sipërme të abdomenit, por shumë njerëz me gastrit nuk kanë asnjë simptom.

Termi gastrit ndonjëherë përdoret gabimisht për të përshkruar cilëndo simptomë të dhimbjes ose shqetësimit në pjesën e sipërme të abdomenit. Shumë sëmundje e çrregullimet mund t’i shkaktojnë këto simptoma. Shumica e njerëzve të cilët kanë simptoma të sipërme abdominale, nuk kanë gastrit.

Çfarë e shkakton gastritin?

Infeksioni me Helicobacter pylori është shkaktari më i shpeshtë i gastritit kronik joeroziv. H. Pylori është një baktere e cila infekton mbështjellësin e brendshëm të stomakut. H. Pylori kryesisht transmetohet nga një person te tjetri. Në zona me higjienë të dobët, H. Pylori mund të përcillet përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar.

Në vendet e industrializuara si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 20 deri në 50 për qind të popullatës mund të preken nga H. pylori. Shkallët e infeksionit me H. pylori është më e lartë në zonat me higjienë më të dobët dhe densitet më të lartë të popullatës. Shkalla e infeksionit mund të jetë më e lartë se 80 për qind në disa vende të zhvilluara.

Shkaktari më i shpeshtë i gastritit eroziv – akut dhe kronik – është përdorimi i zgjatur i barnave anti-inflamatore josteroidale (BAIJS) si aspirina dhe ibuprofeni. Agjentët tjerë të cilët mund të shkaktojnë gastrit eroziv janë alkooli, kokaina dhe rrezatimi.

Lëndimet traumatike, sëmundjet kritike, djegiet e ashpra dhe ndërhyrjet e mëdha kirurgjikale po ashtu mund të shkaktojnë gastrit eroziv/gërryes. Ky lloj i gastritit quhet edhe stres-gastriti.

Shkaktarë më të paktë të gastritit eroziv dhe jo-eroziv janë:

Çrregullimet autoimune në të cilat sistemi imun sulmon qelizat e shëndosha në mbështjellësin e brendshëm të lukthit
Disa sëmundje digjestive, si sëmundja e Crohn-it dhe anemia pernicioze
Viruset, parazitët, kërpudhat dhe bakteret tjera përveç H. Pylori

Cilat janë simptomat e gastritit?

Shumë njerëz me gastrit mund të mos kenë aspak simptoma, por disa të tjerë përjetojnë simptoma të tilla si:

Dhimbje ose shqetësim në pjesën e sipërme të abdomenit
Nauze (mundim)
Vjellje.
Këto simptoma po ashtu quhen dispepsi.

Gastriti eroziv mund të shkaktojë ulcerë ose erozion (gërryerje) në mbështjellësin e brendshëm të lukthit që mund të shkaktojë gjakderdhje. Shenjat e gjakderdhjes në stomak janë:

Vjellja me gjak
Feces me ngjyrë të zezë
Gjak i kuq në feces.
Cilat janë komplikimet e gastritit?

Shumica e formave të gastritit kronik jo-specifik nuk japin simptoma. Megjithatë, gastriti kronik është një faktor rreziku për sëmundjen e ulcerës peptike, polipeve gastrike, dhe tumoreve gastrike beninje dhe malinje. Disa njerëz me gastrit kronik të shkaktuar nga H. Pylori ose gastriti autoimun zhvillojnë gastrit atrofik. Gastriti atrofik shkatërron qelizat në mbështjellësin e brendshëm të lukthit që prodhon acidet dhe enzimat digjestive. Gastriti digjestiv mund të çojë në dy lloje të kancerit: kancer gastrik dhe limfomë të indit limfoid të lidhur me mukozën gastrike.

TRAJTIMI

Si trajtohet gastriti?

Barnat të cilat reduktojnë sasinë e acidit në lukth mund të lehtësojnë simptomat të cilat shoqërojnë gastritin si dhe të nxisin shërimin e mbështjellësit të brendshëm të stomakut. Këto barna përfshijnë:

Antacidet si Rupurut, Gastal, Renie, Magalox. Në tregun tonë ka shumë emra të prodhuesve të ndryshëm të cilët përmbajnë në vete tre kripëra bazike – magnezium, kalcium dhe alumin – me jone hidrokside ose bikarbonate për të neturalilzuar acidin në lukth. Këto barna mund të prodhojnë edhe efekte anësore si barkqitje (diarre) ose kapsllëk (konstipacion).
Bllokuesit e histaminës (H2-bllokatorët) si famotidina (Famosan) dhe ranitidina (Ranital). H2 bllokatorët ulin prodhimin e acidit. Ato janë të pranishme edhe në forma që jepen pa përshkrimin e mjekut edhe në forma që merren vetëm me recetë.
Inhibitorët e pompës protonike (IPP), si omperazoli (Ultop, Ulcosan), lansoprazoli (Lanzul), pantoprazoli (Nolpaza), esomeprazole (Nexium), rabeprazole dhe dekslansoprazole. Të gjitha këto barna mund të merren vetëm me anë të recetës së mjekut, ndërsa disa edhe pa recetë. Inhibitorët e pompës protonike ulin prodhimin e acidit në mënyrë më efektive se H2 bllokatorët.
Në varësi të shkaktarit të gastritit, mund të jenë të nevojshme edhe masa ose trajtim shtesë. Për shembull, nëse gastriti shkaktohet nga përdorimi i zgjatur i barnave anti-inflamatore josteroidale, mjeku mund t’ju këshillojë të ndërprisni përdorimin e tyre, të reduktoni dozën, ose të kaloni në ndonjë grup tjetër të barnave qetësuese të dhimbjes. Barnat e grupit IPP mund të shfrytëzohet edhe për të parandaluar stres-gastritin te pacientët në gjendje kritike.

Mjekimi i infeksionit me H. Pylori është i rëndësishëm, edhe nëse personi nuk ka simptoma nga infeksioni. Gastriti me H. Pylori i patrajtuar mund të çojë në kancer ose zhvillim të ulcerës në lukth ose zorrën e hollë. Mjekimi më i shpeshtë është terapia e trefishtë e cila kombinon barnat IPP dhe dy antibiotikë – zakonisht amoksicilinën (Amox) dhe klaritromicinën (Klarisin, Fromilid) – për të shkatërruar bakterin. Trajtimi po ashtu mund të përfshijë edhe kombinime të tjera.

Pas trajtimit mjeku mund të përdorë analizat e frymëmarrjes ose të fecesit për t’u siguruar se infektimi me H. Pylori është zhdukur. Shërimi i infeksionit mund të pritet të shërojë edhe gastritin dhe të ulë rrezikun e sëmundjeve tjera gastrointestinale të lidhura me gastritin, si ulcerën peptike, kancerin gastrik, dhe limfomën e indit limfoik të lidhur me mukozën gastrike.
Share:

Shqiperia JO Duhanit