Sunday, December 25, 2016

Hemorroidet

Çfarë janë hemorroidet?

Hemorroidet janë enë të gjakut të ënjtura dhe të inflamuara (pezmatuara) rreth anusit ose në pjesën e poshtme të rektumit. Rektumi është pjesa e fundit e zorrës së madhe e cila përfundon me anusin. Anusi është hapja (vrima) në fund të traktit digjestiv ku përmbajtja e zorrëve (jashtëqitja, fecesi) del nga trupi.

Hemorroidet mund të jenë të jashtme, kur ato janë të vendosura nën lëkurë rreth anusit, ose të brendshme, kur paraqiten në pjesën e poshtme të rektumit. Hemorroidet e brendshme mund të bien, ose të dalin jashtë, përmes anusit. Hemorroidet që dalin jashtë mund të tërhiqen sërish brenda rektumit vetvetiu. Hemorroidet më të rënda mund të mbeten jashtë gjithë kohës dhe kanë nevojë për trajtim.

Sa të shpeshta janë hemorroidet?

Rreth 75 për qind të njerëzit kanë hemorroide në një aspekt gjatë jetës së tyre. Hemorroidet janë më të zakonshme te të rriturit e moshës 45 deri në 65 vjeçare. Hemorroidet po ashtu janë shumë të shpeshta te gratë shtatzëna.

Çfarë i shkakton hemorroidet?

Hemorroidet shkaktohen si pasojë e pezmatimit (ënjtjes, fryrjes) të venave anale ose rektale. Janë disa faktorë të cilët mund ta shkaktojnë këtë ënjtje përfshirë:

Kapsllëku (konstipacioni) kronik ose barkqitja (diarreja) kronike
Shtrëngimi (dhënia zor) gjatë zbrazjes së zorrëve (jashtëqitjes)
Qëndrimi ulur në tualet për një kohë të gjatë
Mungesa e fibrave në ushqim.
Shkak tjetër i hemorroideve është dobësimi i indit lidhor në rektum dhe anus që ndodh me kalimin e viteve.

Shtatzënia mund të shkaktojë hemorroide duke rritur presionin në abdomen, që mund t’i zmadhojë venat në pjesën e poshtme të rektumit dhe në anus. Te shumica e femrave, hemorroidet e shkaktuara gjatë shtatzënisë largohen pas lindjes.

SIMPTOMAT

Simptoma më e shpeshtë e hemorroideve të brendshme është fecesi (jashtëqitja) me gjak të kuq, ose gjaku mund të mbetet në letër tualeti kur fshiheni, ose në vazon e tualetit pas zbrazjes së zorrëve. Hemorroidet e brendshme të cilat nuk dalin jashtë zakonisht nuk janë të dhimbshme. Hemorroidet e dala jashtë shpesh shkaktojnë dhimbje, mundim dhe të kruara në anus.

Brenda hemorroideve të jashtme (brenda venave të pezmatuara) mund të krijohen mpiksje të gjakut. Mpiksja në venë quhet trombozë. Hemorroidet e jashtme të trombozuara shkaktojnë dhimbje, ënjtjeje të dhimbshme ose ndonjë xhungë të fortë rreth anusit. Kur mpiksjet e gjakut treten, lëkura në ato vende mund të bëhet e irrituar ose të kruhet.

Tendosja (shtrëngimi), fërkimi ose pastrimi rreth anusit mund t’i përkeqësojnë simptomat, si të kruarat dhe irritimin. Hemorroidet nuk janë të rrezikshme ose kërcënuese për jetën. Simptomat zakonisht largohen brenda disa ditësh, ndërsa te disa njerëz me hemorroide simptomat kurrë nuk shfaqen.

TRAJTIMI

Trajtimi shtëpiak

Ndryshimet e thjeshta në mënyrën e jetës shpesh reduktojnë ënjtjet e hemorroideve dhe lehtësojnë simptomat. Të ngrënit ushqim të pasur me fibra mund ta bëjë fecesin më të lehtë për të kaluar, duke zvogëluar presionin në hemorroidet e shkaktuara nga shtrëngimi.

Fibrat janë substanca të cilat gjenden në bimë. Trupi i njeriut nuk mund t’i tretë fibrat, por fibrat ndihmojnë tretjen dhe parandalojnë konstipacionin. Burime të mira të fibrave janë frutat, perimet, dhe drithërat e plota. Mjekët zakonisht këshillojnë që femrat të konsumojnë 25 gramë fibra në ditë, derisa meshkujt 38 gramë fibra.

Ndryshimet tjera të cilat mund të ndihmojnë lehtësimin e simptomave të hemorroideve përshijnë:

Pirja e gjashtë deri në dhjetë gota uji ose lëngjeve tjera joalkoolike (dy litra) çdo ditë
Banjë me ujë të ngrohtë (qëndrimi në një legen me ujë të ngrohtë) për 10 minuta disa herë në ditë
Stërvitje për të parandaluar konstipacionin
Të mos shtrëngoheni (t’i jepni zor) gjatë zbrazjes së zorrëve.
Disa kremra dhe supozitorë (barna që futen në anus) që mund të merren pa recetë të mjekut në barnatore mund të lehtësojnë dhimbjet dhe të kruarat e hemorroideve përkohësisht. Këto trajtime duhet të përdoren vetëm për një kohë të shkurtër pasi përdorimi afatgjatë i tyre mund ta dëmtojë lëkurën.

Trajtimi mjekësor

Nëse trajtimi në shtëpi nuk i lehtëson simptomat, trajtimi mjekësor mund të jetë i patjetërsueshëm. Trajtimet mund të aplikohen në zyrën e mjekut ose në spital. Trajtimet ambulatore për hemorroidet e brendshme përfshijnë:

Lidhje me rrip gome – Mjeku vendos një rrip gome rreth bazës së hemorroideve. Ky rrip pengon qarkullimin duke bërë që hemorroidet të tkurren. Kjo procedurë duhet të aplikohet vetëm nga mjeku.
Skleroterapia – Mjeku injekton një lëndë kimike në enën e gjakut për të tkurrur hemorroidet.
Koagulimi infrared. Mjeku përdor nxehtësi për të tkurrur indin e hemorroideve.
Hemorroidet e jashtme ose të brendshme të cilat nuk reagojnë ndaj trajtimeve të tjera mund të largohen me anë të operacionit kirurgjik.
Share:

Shqiperia JO Duhanit