Saturday, January 28, 2017

AKNET

Çfarë janë aknet?

Aknet, ose siç njihet në mjekësi akne vulgaris, janë një problem i lëkurës që më së shumti paraqitet te të rinjtë në fazat e hershme të pubertetit. Ky problem fillon si pasojë e pezmatimit të gjëndrave të vogla yndyrore të cilat rrethojnë qimet e vogla në fytyrën ose qafën tuaj. Kur yndyra dhe qelizat e vdekura të lëkurës bllokojnë poret tuaja, fillon paraqitje e akneve.

Aknet mund të paraqiten në formë të vetëm disa pikëzave ose puçrrave të kuqe, zakonisht në fytyrë, por ato mund të arrijnë edhe deri në qindra sosh, të jenë më të mëdha, të forta dhe të dhimbshme, dhe përveç fytyrës të dalin edhe në qafë, gjoks dhe në shpinë.

Shpeshtësia e paraqitjes së akneve arrin kulmin rreth moshës 17 deri në 19 vjeçe. Te shumica e personave aknet largohen kur ata arrijnë në mesin e të 20-tave, megjithatë disa njerëz me lëkurë të ndjeshme mund ta kenë këtë problem deri në vitet e 40-ta.

Ndryshimet hormonale të lidhura me shtatzëninë ose periudhat menstruale po ashtu mund të shkaktojnë ose të ndihmojnë daljen e akneve. Në këtë problem të lëkurës mund të ndihmojnë edhe faktorët irritues të ambientit si pluhuri, nxehtësia, lagështia ose të ftohtit.

Paraqitja e akneve mund të ndikojë edhe në gjendjen emocionale, veçanërisht te të rinjtë. Megjithatë kjo ndryshon. Disa persona kanë më shumë akne por nuk shqetësohen nga to, derisa të tjerë edhe pse kanë vetëm disa, ndjehen të turpëruar dhe të zemëruar.

Megjithatë, lajmi i mirë është se sot ka trajtime të mira të cilat mund t’ju ndihmojnë të largoni me sukses aknet dhe ta parandaloni paraqitjen e tyre.

Çfarë i shkakton aknet?

Te shumica e njerëzve aknet paraqitjet në moshën e pubertetit, kur prodhimi i hormoneve seksuale (androgjenëve) rritet, si te vajzat po ashtu edhe te djemtë. Këto hormone stimulojnë gjëndrat yndyrore (sebace) për të prodhuar më shumë yndyrë (që në mjekësi njihet si sebum). Te disa njerëz (veçanërisht te meshkujt), këto gjëndra mund të jenë tepër të ndjeshme ndaj androgjenëve, andaj personat e tillë kanë aq shumë akne sa kanë nevojë për trajtim mjekësor.

Aknet zakonisht fillojnë kur yndyra (sebumi) dhe qelizat e vdekura të lëkurës i bllokojnë poret e lëkurës. Rritja e prodhimit të sebumit bën që poret gradualisht të mbyllen, derisa prodhimi i kësaj yndyre nuk ndalon. Kur bakteret depërtojnë në këto pore, ato mund të shkaktojnë ënjtje, skuqje dhe qelb.

Çokollata dhe ushqimet e yndyrshme mund të kontribuojnë në shtimin e akneve te disa njerëz, por studimet nuk e kanë dëshmuar këtë. Në të vërtetë është përdorimi i produkteve të yndyrshme të lëkurës dhe kozmetike që e përkeqëson gjendjen e akneve. Andaj përdorni produkte të lëkurës të cilat nuk mbyllin poret. Këto produkte shkruajnë “noncomedogenic” në etiketën e tyre.

Aknet mund të jenë problem trashëgues në familje. Nëse njëri nga prindërit tuaj ka akne të shpeshta, është më me gjasa që edhe ju ta keni këtë problem.

Çfarë i përkeqëson aknet?

Puna në një ambient të lagësht dhe puna me vaj, yndyrë dhe kemikale të tjera
Shtypja ose ngacmimi i puçrrave
Periudhat menstruale
Disa barna dhe substanca të caktuara.
Kur duhet të shkoni te mjeku?

Nëse medikamentet të cilat i merrni pa recetë të mjekut nuk ndihmojnë brenda gjashtë deri në tetë javësh;
Nëse aknet ju shkaktojnë shqetësim psikologjik;
Nëse keni puçrra të mëdha, të dhimbshme;
Nëse aknet dëmtojnë lëkurën e fytyrës;
Nëse keni lëkurë të nxirë dhe njolla të errëta në vendet ku kanë qenë puçrrat.

SIMPTOMAT

Cilat janë simptomat (Shenjat dalluese të akneve)?

Shenjat e para të akneve janë njolla të vogla të papjekura, të cilat më vonë shndërrohen në puçrra që përbëhen nga acide të degraduara yndyrore. Inflamacioni paraqitet gjatë disa ditëve ose javëve, në varësi prej shpeshtësisë dhe ashpërsisë.

Aknet paraqiten në fytyrë, qafë, kraharor, shpinë ose gjoks. Aknet e ashpra mund të shkaktojnë plagë të cilat mund të mos largohen kurrë. Ato po ashtu mund të shkaktojnë stres psikik dhe probleme sociale.

TRAJTIMI

Si duhet mjekuar aknet?

Në varësi prej ashpërsisë së akneve tuaja, mjeku juaj mund të zgjedh t’ju japë terapi ose t’ju referojë te një dermatolog. Aknet mund të trajtohen me barna të cilat ose aplikohen në lëkurë ose merren duke u pirë përmes gojës (në mënyrë orale).

Trajtimi ka për cak faktorët që i shkaktojnë aknet, e të cilat janë:

prodhimi i shtuar i sebumit që çon te ngushtimi i poreve
bakteret të cilat i shkaktojnë aknet.
Ju mund të vazhdoni me kujdesin tuaj në shtëpi siç e përshkruam më lartë, edhe gjatë kohës derisa merrni barnat e përshkruara nga mjeku.

Mbani mend se mund të shkojë nga gjashtë deri në tetë javë para se efekti i produkteve mjekuese të akneve të mund të vërehet. Kujdesi i përditshëm duhet të vazhdojë derisa pacienti të arrijë në të 20-tat.

Mjekimi në mënyrë lokale (që aplikohet në lëkurë)

Mjekimi me acid azelic ose benzoil peroksid, zakonisht është i mjaftueshëm te anket e lehta deri te ato mesatare. Këto medikamente mund të parandalojnë bllokimin e poreve dhe të ngadalësojnë zhvillimin e baktereve të akneve.

Në mënyrë alternative, mjeku mund të zgjedhë të përshkruaj një produkt që është kombimin i benzoil peroksidit me ndonjë antibiotik tipik, si eritromicina, ose klindamicina, ose ta mjekojë shpërthimin e akneve vetëm me antibiotik, si klindamicinë, eritromicinë ose tetraciklinë (që të gjitha në formë xheli).

Në vende të ndryshme janë në dispozion edhe medikamente të tjera, si adapalene, për njerëzit të cilët kanë akne të lehta. Tretinoin dhe izotretinoina kanë efekt të njëjtë. Asnjëra prej tyre nuk preferohet te gratë shtatzëna.

Mjekimi sistematik (duke pirë barnat)

Gratë më të rritura që kanë vetëm disa akne mund të përdorin pilula kontraceptive (kundër mbetjes shtatzënë), të cilët përmbajnë anti-androgjene (për shembull Diane/Jene/Yaz/Yasmin). Për njerëzit me inflamacion më të ashpër të akneve, mjekimi afatgjatë me antibiotikë oral si tetraciklinë ose minociklinë, e kombinuar me njërin nga medikamente te përmendura më lartë, mund të ndihmojë.

Antibiotikët me përmbajtje tetracikline nuk u jepen femrave shtatzëna, femrave të cilët japin gji, ose fëmijëve nën moshën 12 vjeçare.

Për pacientët me akne më të ashpra të cilat nuk përmirësohen me medikamente të tjera, përdorimi oral i izotretinoinës mund të jetë i nevojshëm. Është e rëndësishme të dihet se kjo substancë nuk duhet të konsumohet nga femrat shtatzëna ose ato që duan të mbeten shtatzëna së shpejti.

Femrat duhet të përdorin metodë të duhur kontraceptive gjatë mjekimit me këtë ilaç, dhe një muaj të plotë pasi mjekimi me të të ndërkrehet. Isotretinoina nuk është e përshtatshme për njerëzit të cilët kanë probleme me mëlçinë ose veshkat. Ilaçi ka disa efekte anësore, që është arsyeja se pse mund të merret vetëm me recetë nga dermatolou, por po ashtu ka edhe një shkallë të lartë suksesi te aknet.

Largimi i dhëmbëzave

Ngritjet (dhëmbëzat) në lëkurë të shkaktuara nga aknet mund të largohen përmes abrazionit (dermabrazionit) ose trajtimit laseri. Këto trajtime bëhen nga dermatologët ose kirurgët plastik.

PARANDALIMI

Si t’i parandaloni aknet?

Për të mbajtur nën kontroll aknet, mbani lëkurën tuaj të pastër. Shmangni produktet të cilat bllokojnë poret tuaja. Pastroni lëkurën një herë ose dy herën ditë me sapun të butë ose pastrues për akne. Përpiqni të mos i shtypni dhe prekni puçrrat. Kjo mund t’i përkeqësojë ata dhe mund të shkaktojë dëmtime të lëkurës.

Nëse keni vetëm disa puçrra për t’i mjekuar, ju mund të përdorni ndonjë krem kundër akneve edhe pa përshkrimin e mjekut. Kërkoni kremra të cilat kanë në përbërjen e tyre benzoil peroksid ose acid salicilik. Këto funksionojnë më së miri, siç edhe përshkruhet në ambalazh.

Mund të duhet më shumë kohë për të vendosur aknet nën kontroll. Por nëse nuk keni rezultate të mira me produktet pa recetë edhe pas tre muajsh, atëherë vizitoni mjekun. Ndonjë gel ose krem që jepet me recetë të mjekut mund të jetë i duhuri. Nëse jeni femër, përdorimi i disa barnave që kontrollojnë shtatzëninë (kontraceptivë) mund të ndihmojë edhe te aknet.

Nëse keni cista të akneve, mjeku juaj mund t’ju preferojë ndonjë medikament më të fuqishëm.

Çfarë mund të bëni për dëmtimet e lëkurës si pasojë e akneve?

Ekzistojnë disa mjekime për këto dëmtime të akneve. Nëse lëkura juaj është dhëmbëzuar si pasojë e puçrrave, atëherë ri- rrafshimi ose dermabrazioni mund të ndihmojë që ato ngritje të lëkurës të përmirësohen dhe lëkura juaj të ndjehet më e butë. Konsultohuni e mjekun për këtë. Mjekimi më i mirë do të varet nga ashpërsia e dhëmbëzimit të lëkurës tuaj. Mjeku madje mund t’ju këshillojë edhe operacion kirurgjik.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive

Njoftohu ne email per postimet