Saturday, January 28, 2017

KANCERI JO-MELANOMË I LËKURËS

LËKURA DHE NDËRTIMI I SAJ

Lëkura është mbështjellësi i jashtëm i organizmit. Ajo peshon deri në 3 kilogramë dhe është organi më i madh i njeriut! Lëkura na mbron neve nga nxehtësia, drita, lëndimet dhe infeksionet. Ajo rregullon temperaturën e organizmin dhe akumulon ujin, yndyrën dhe ndihmon në krijimin e vitaminës D.

Lëkura është e ndërtuar nga dy shtresa kryesore: epiderma ose shtresa e jashtme dhe derma ose shtresa e brendshme.

Epiderma është shtresa e jashtme dhe është e përbërë kryesisht nga qelizat të rrafshëta në formë shkallësh të quajtura qeliza skuamoze. Nën qelizat skuamoze janë rendet e qelizave të quajtura qelizat bazale. Pjesa më e thellë e epidermës përmban melanocite. Këto shtresa prodhojnë melaninë, e cila ia jep ngjyrën lëkurës.

Derma është shtresa më e brendshme e lëkurës, e cila përmban enë gjaku dhe enë limfatike, pastaj folikula të qimeve dhe gjëndra. Gjëndrat prodhojnë djersë dhe sebum (lloj dylli). Djersa ndihmon rregullimin e temperaturës trupore, ndërsa sebumi është një substancë vajore e cila ndihmon në pengimin e tharjes së lëkurës. Djersa dhe sebumi arrijnë në sipërfaqe të lëkurës përmes hapjeve të ngushta të quajtura pore.

SIMPTOMAT

Edhe kanceri i qelizave bazale edhe ai i qelizave skuamoze gjendjen më së shumti në zonat e lëkurës e cila është e ekspozuar ndaj diellit: koka, fytyra, qafa, duart dhe krahët. Megjithatë, kanceri i lëkurës mund të paraqitet kudo.

Kanceret e lëkurës rrallë shkaktojnë dhimbje. Shenjat më të shpeshta paralajmëruese të kancerit të lëkurës janë ndryshimet në lëkurë, veçanërisht ndonjë pezmatim ose plagë që nuk shërohet.

Kanceret e lëkurës nuk duken të gjitha njëjtë. Për shembull, kanceri mund të fillojë si një xhungë e vogël, e butë, e ndritshme, e zbetë ose e lëmuar. Ajo po ashtu mund të paraqitet edhe si një xhungë e kuqe e qëndrueshme. Ndonjëherë, xhunga gjakon ose zhvillohen dregëz. Kanceri i lëkurës po ashtu mund të fillojë si një zonë e rrafshët e skuqur, e thatë ose me luspa.

Një lloj problemi i lëkurës, i quajtur keratoza aktinike, paraqitet në formë të njollave me luspa të ashra, të kuqe ose kafe në lëkurë. Ajo quhet gjendje para-kanceroze pasi ndonjëherë zhvillohet në kancer të qelizave skuamoze.

Ndryshimet në lëkurë jo gjithmonë janë shenja të sigurta të kancerit; megjithatë, është e rëndësishme ta vizitoni mjekun secilën herë nëse keni ndonjë prej simptomave që zgjat më shumë se dy javë. Mos pritni derisa zona të fillojë të shkaktojë dhimbje, pas kanceri i lëkurës rrallë shkakton dhimbje.
SHKAKTARËT DHE PARANDALIMI

Kanceri i lëkurës është një prej llojeve më të shpeshta të kancerit. Për shembull, sipas vlerësimeve aktuale, madje gjysma e amerikanëve mbi moshën 65 vjeçare kanë pasur kancer lëkurë së paku një herë. Edhe pse çdokush mund të preket nga kanceri i lëkurës, njerëzit të cilët kanë lëkurë me ngjyrë më të bardhë janë në rrezik më të madh. Lëkura e cila mbushet me pikla me lehtësi dhe njerëzit me flokë të kuqe dhe biondë dhe me sy me ngjyrë të kaltër ose të çelë janë në rrezik më të madh për kancer të lëkurës.

Rrezatimi ultravjollcë (UV) nga dielli është shkaktari kryesor i kancerit të lëkurës. Burimet artificiale të rrezeve UV, si llampat për rrezitje artificiale ose për skanime, po ashtu mund të jenë të rrezikshme.

Edhe vendi ku jeton personi ndikon në rrezikun e tij/saj për të zhvilluar kancer të lëkurës. Njerëzit të cilët jetojnë në zona me nivele të larta të rrezatimit UV nga dielli janë më të prirë për t’u prekur nga kanceri i lëkurës. Për shembull shkallët më të larta të kancerit të lëkurës janë gjetur në Afrikën e Jugut dhe në Australi, vende këto që pranojnë më së shumti sasi të rrezatimit ultravjollcë.

Shumica e kancereve të lëkurës paraqiten pas moshës 50 vjeçe, por efektet e dëmtimit nga dielli fillojnë në vitet shumë të më të hershme. Andaj mbrojtja duhet të fillojë që në fëmijëri për të parandaluar kancerin e lëkurës më vonë në jetë. Kurdo që munden, njerëzit duhet të shmangin ekspozimin në diellin e mesditës, nga ora 10 paradite deri në ora 17 pasdite. Mbani mend se veshjet mbrojtëse, si kapelat e diellit dhe këmishët me mëngë të gjata, mund t’i bllokojnë rrezet e dëmshme të diellit.

Losionet të cilat përmbajnë faktorë mbrojtës janë më se të domosdoshëm të aplikohen gjatë çdo ekspozimi në diell. Kremrat e diellit mbajnë faktorë nga 2 e më lartë (50 dhe madje 70), ndërsa ata me faktor mbrojtës të diellit (FMD) nga 15-30 arrijnë t’i bllokojnë shumicën e rrezeve të dëmshme të diellit.

TRAJTIMI

Karcinomat me qeliza bazale dhe skuamoze zakonisht diagnostikohen dhe trajtohen në të njëjtën mënyrë. Trajtimi për kancer të lëkurës zakonisht përfshin disa lloje të ndërhyrjeve kirurgjike. Nëse disa raste, mjeku sugjeron terapinë rrezatuese ose kimioterapinë. Ndonjëherë është i nevojshëm kombinimi i tyre, nëse kanceri është në një shkallë më të avancuar.

Operacioni

Shumë kancere të lëkurës mund të preken nga lëkura me shpejtësi dhe lehtësi. Në fakt kanceri i lëkurës ndonjëherë mund të largohet krejtësisht gjatë biopsisë, duke mos pasur nevojë për trajtime tjera.

Kiretazha dhe elektrodesikacioni

Mjekët shpesh përdorin një lloj të operacionit të quajtur kiretazhë për të larguar kancerin e lëkurës. Pasi mpin zonën, kanceri gërryhet me një kiretë, një instrument me një fund të mprehtë në formë luge.

Zona po ashtu trajtohet edhe me elektrodesikacion. Një makinë speciale me rrymë elektrike përdoret për të kontrolluar gjakosjen dhe vret çdo qelizë kanceroze të mbetur në skaj të plagës. Shumë pacientë më pas zhvillojnë një luspë të rrafshët, të bardhë.

Operacioni i Mohsit

Teknika e Mohsit është një lloj i veçantë i ndërhyrjes kirurgjike për kancer të lëkurës. Pacientit i jepet anestetik dhe kanceri rruhet (prehet) duke u hequr një shtresë në moment.

Te operacioni i Mohsit, secila shtresë kontrollohen nën mikroskop derisa tumori të largohet. Shkalla e paraqitjes së luspave te ky lloj trajtimi do të varet nga vendi dhe madhësia e zonës së trajtuar.

Kriokirurgjia

I ftohti ekstrem mund të përdoret për të trajtuar gjendjet parakanceroze të lëkurës, si keratoza aktinike. Në kriokirurgji, nitrogjeni i lëngshëm aplikohet në strukturën tumorale për t’i ftohur dhe shkatërruar qelizat kanceroze. Pasi zona e ndërhyrë me kriokirurgji të ngrohet, qelizat e vdekura bien. Në këtë lloj terapia mund të ketë nevojë për më shumë se një ngrirje.

Kriokirurgjia zakonisht nuk lëndon, por pacientët mund të kenë dhimbje dhe ënjtje pasi zona të ngrohet. Një luspë e bardhë mund të krijohet në zonën e trajtuar.

Terapia me laser

Terapia laserike përdor një tufë të ngushtë drite për të larguar ose shkatërruar qelizat kanceroze. Kjo qasje ndonjëherë përdoret për kanceret të cilat përfshijnë vetëm shtresën e jashtme të lëkurës.

Transplantimi i lëkurës

Ndonjëherë, veçanërisht kur kanceri i lëkurës është i madh, mund të ketë nevojë për transplantim të lëkurës për të mbuluar zonat nga ku është larguar kanceri.

Transplantimi i lëkurës po ashtu përdoret për të reduktuar luspat që mund të paraqiten në organizëm. Për këtë procedurë mjekët marrin një pjesë të lëkurës nga një pjesë tjetër e trupit për ta zëvendësuar në zonën ku është larguar lëkura.

Rrezatimi

Kanceri i lëkurës përgjigjet mirë ndaj terapisë rrezatuese, po ashtu e quajtur edhe radioterapi. Rrezatimi përdor rreze me energji të lartë për t’i dëmtuar dhe për shkatërruar qelizat e kancerit ose për t’i ndaluar ato të zhvillohen.

Mjekët shpesh e përdorin trajtimin me rrezatim për kanceret të cilat prekin zona të cilat janë vështirë të trajtohen me operacion kirurgjik. Për shembull, rrezatimi mund të përdoret për kanceret në zonat rreth syrit, në majë të hundës ose në vesh.

Pacienti shpesh mund të ketë nevojë për disa trajtime rrezatimi për t’i shkatërruar të gjitha qelizat e kancerit.

Terapia me rrezatim mund të shkaktojë puçrra ose ta bëjë lëkurën të thatë ose të kuqe. Pasi trajtimi të përfundojë, në lëkurë mund të paraqiten ndryshime në ngjyrë dhe/ose tekstura të ndryshme dhe të bëhen edhe më të shprehura disa vite më vonë.

Kimioterapia për aplikim të jashtëm

Kimioterapia topikale (barna për lyerje të jashtme) shfrytëzon barna antikanceroze në formë kremi ose losioni që vendosen në lëkurë.

Keratoza aktinike mund të trajtohet në mënyrë efektive me kimioterapi. Kimioterapia topikale po ashtu përdoren për kanceret e limituara në shtresën e jashtme të lëkurës. Losioni aplikohet në baza ditore çdo ditë.

Shfaqja e inflamacioneve (pezmatimeve) është një dukuri e zakonshëm gjatë trajtimit, por zakonisht nuk vjen deri te prishja e lëkurës (shfaqja e luspave në lëkurë).

Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive