Saturday, August 19, 2017

Të Gjitha të Vërtetat e Ujit të Gazuar

Është sekreti më i njohur nga të gjithë. Uji na bën shumë mirë. Trupi ynë ka nevojë për ujë që të mbijetojë. E vërteta është që njeriu mund të rezistojë më gjatë pa bukë se sa pa ujë. Pa këtë të fundit, trupi ynë do të thahej dhe nuk do të ishte në gjendje të funksiononte. Në kohët e sotme, konsumatorët janë shpesh në dilemë nëse duhet të zgjedhin ujin me gaz apo pa gaz. Shumë ekspertë të shëndetit bien dakord që të pish ujë me gaz është më mirë se të mos pish ujë fare. Megjithatë uji me gaz dhe uji natyral kanë disa ndryshime jo të vogla edhe në vlera. Ujë me Gaz apo Ujë Natyral. Uji me gaz është ujë natyral i cili është pasuruar me dioksid karboni. Ky i fundit e bën ujin të gazuar dhe është i njëjti element që përdoret për lëngjet me gaz. Uji natyral është thjesht ujë. Uji me gaz dhe hidratimi. Uji me gaz hidraton trupin njësoj si uji natyral. Ndryshimi i vetëm, siç e përmendëm edhe më lart është që uji me gaz përmban dioksid karboni. E megjithatë, shumë atletë dhe sportistë nuk e preferojnë ujin me gaz pas stërvitjes sepse dioksidi i karbonit i bën ata të ndihen të ngopur, ndonëse ata akoma nuk kanë pirë mjaftueshëm ujë për të zëvendësuar humbjet e lëngjeve gjatë stërvitjes. Si rrjedhojë këshillohet që uji me gaz të mos përdoret si alternativë e vetme e rehidratimit pas stërvitjes. Efektet e Dioksidit të Karbonit. Një herë e një kohë, besohej që dioksidi i karbonit kufizon thithjen e kalciumit nga kockat. Megjithatë studime të reja kanë treguar që është kafeina dhe jo dioksidi i karbonit, ajo që kryen këtë proces të dëmshëm për kockat. Por pirja e ujit me gaz nuk është e njëjtë me pirjen e një lëngu tjetër të gazuar. Këto lëngje përmbajnë sasi të mëdha të fosfatit, kafeinës dhe sheqerit. Uji me gaz nuk ka fosfate apo kimikate të shtuara, as kafeinë dhe as sheqer. Përse njerëzit pijnë ujë me gaz? Shumë njerëz konsumojnë ujë me gaz, thjesht për shije. Disave ju pëlqejnë të gazuarat, por nuk duan kaloritë dhe sheqerin që gjënden tek lëngjet e tjera me gaz. Uji me gaz plot bulëza është një pije freskuese dhe shumë herë më e shëndetshme se lëngjet e tjera të sheqerosura me gaz.  Të vërtetat dhe mitet. Siç e thamë edhe më lart, dikur besohej që të gjitha lëngjet dhe pijet e gazuara thithin kalciumin nga kockat dhe dëmtojnë dhëmbët. Por kjo rezultoi të ishte e pavërtetë. Vetëm pijet e gazuara me sheqer kanë një impakt në reduktimin e kalciumit nga kockat. Uji me gaz mund të ketë pak më shumë aciditet se uji natyral por nuk mjafton për të dëmtuar kockat dhe dhëmbët. Një studim i publikuar zbuloi që uji me gaz kishte një efekt gërryes më të lartë se sa uji natyral, por ky efekt ishte 100% më i ulët në krahasim me pijet e sheqerosura të gazuara. Bulëzat dhe efekti i tyre. Dioksidi i karbonit tek uji me gaz mund të ketë një impakt negativ tek disa njerëz. Mjekët thonë që ata që vuajnë nga irritimi i zorrëve mund të përjetojnë fryrje dhe gazra për shkak të dioksidit të karbonit. Si rrjedhojë, duhet të shmangësh pirjen e ujit me gaz. Kontrolloni etiketat. Beso dhe kontrollo thotë populli dhe me shumë të drejtë. Nëse dëshiron të blesh një shishe me ujë të gazuar kontrollo etiketën. Përveç ujit me gaz, në tregje gjeni edhe ujë tonik, që përveç dioksidit të karbonit, përmban sheqer apo edhe sodë. Disa lloje të ujit me gaz kanë edhe shije të shtuara dhe ëmbëlsues artificialë. Ndaj është e rëndësishme që përpara se të blesh një shishe të kontrollosh mirë etiketën dhe të mos zgjedhësh sheqerin në vend të ujit.
Share:

Shqiperia JO Duhanit