Wednesday, November 2, 2016

Cefuroxim Axapharm (tableta)

Çfarë është Cefuroxim Axapharm dhe kur përdoret?
Cefuroxim Axapharm është antibiotik.
Duke e marrë atë luftohen nxitësit bakterialë të infeksioneve.
Cefuroxim Axapharm është i përshtatshëm për trajtimin e infeksioneve në zonën e grykës, hundës dhe në atë të veshëve, të rrugëve të frymëmarrjes, të organeve gjenitale, të lëkurës dhe të indeve të buta.
Ai duhet përdorur vetëm me recetë të lëshuar nga mjeku .

Çfarë duhet pasur kujdes?
Mos harroni, që preparati mjekësor ju është dhënë për të trajtuar sëmundjen tuaj të momentit.
Ai nuk duhet përdorur për trajtimin e sëmundjeve të tjera dhe nuk duhet dhënë personave të tjerë.
Antibiotiku përbërës i Cefuroxim Axapharm nuk mund të përdoret pa dallim kundër të gjitha mikroorganizmave, të cilat shkaktojnë sëmundje infektive.
Për të shmangur ndërlikimet e gjata, të cilat mund të shfaqen nga përdorimi i një preparati anti-infektiv të gabuar ose me një dozim jo të duhur, edhe preparatin Cefuroxim Axapharm nuk duhet ta përdorni në infeksione të tjera në të ardhmen pa recetë të mjekut.

Kur nuk duhet përdorur Cefuroxim Axapharm?
Në raste të njohura ose të dyshimta të një alergjie ndaj antibiotikëve cephalosporin preparati Cefuroxim Axapharm nuk duhet përdorur.
Në rast të një alergjie qoftë edhe dyshuese ndaj penicilinës, duhet të informohet mjeku.

Kur duhet pasur kujdes në përdorimin e Cefuroxim Axapharm?
Ky preparat mjekësor mund të dobësojë aftësinë për reagim, për të ngarë makinën, dhe aftësinë për të përdorur mjete ose makineri pune.
Nëse te ju është shfaqur në të kaluarën një alergji ndaj penicilinës, duhet vënë në dijeni mjeku ose mjekja juaj, madje dhe atëherë kur jeni në përgjithësi alergjik.
Nëse gjatë trajtimit shfaqen vështirësi në frymëmarrjen, shtrëngim në gjoks, ënjtje e qepallave të syve, të fytyrës ose të buzëve, duhet të informoni menjëherë mjekun tuaj, përpara se të vazhdoni më tej terapinë me Cefuroxim Axapharm.
Preparatet mjekësorë të cilat merren për të trajtuar prodhimin e tepërt të acidit gastrik, mund të ndryshojnë veprimin e Cefuroxim Axapharm.
Nëse ju merrni kontraceptivë oralë (pilula), ka mundësi që efekti i tyre të reduktohet gjatë terapisë me antibiotikë.
Ky referim vlen edhe për Cefuroxim Axapharm.
Për këtë arsye duhen marrë masa shtesë për t’u mbrojtur nga shtatzënia.

Informoni mjekun ose farmacistin nëse:
- vuani nga një sëmundje tjetër;
- keni alergji;
- merrni ose përdorni nga jashtë preparate të tjera (edhe të blera vetë).

A duhet përdorur Cefuroxim Axapharm gjatë shtatzënisë ose gjatë ushqimit me gji të fëmijës?
Informoni mjekun ose mjeken tuaj nëse jeni shtatzënë ose jeni duke dhëne gji.
Veçanërisht gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë përdorimi i Cefuroxim Axapharm lejohet vetëm në raste të domosdoshme.
Cefuroxim Axapharm kalon në sasi të vogël te qumështi i nënës.

Si duhet përdorur Cefuroxim Axapharm?
Jeni të lutur të respektoni plotësisht dozimin dhe kohën e trajtimit dhe mos e ndërprisni terapinë në asnjë mënyrë pa miratimin e mjekut.
Cefuroxim Axapharm duhet marrë bashkë me ushqimin.
Tabletat duhet të merren me lëngje dhe për shkak të shijes së hidhur, duhen gëlltitur pa i përtypur.
Nëse mjeku juaj nuk ju ka dhënë një dozë të caktuar, atëherë duhen respektuar dozimet e mëposhtme:
Të rriturit dhe të rinjtë mbi 12 vjeç:
Zakonisht në mëngjes dhe në mbrëmje (çdo 12 orë) nga 1 tabletë 250 mg.
Për infeksione të veçanta: në mëngjes dhe në darkë (çdo 12 orë) 1 tabletë 500 mg.

Fëmijët mbi 5 vjeç (me një peshë trupore prej minimumi 20 kg) deri tek fëmijët 12 vjeç:
Tek fëmijët mbi 5 vjeç (me një peshë trupore prej minimumi 20 kg) deri tek fëmijët 12 vjeç, Cefuroxim Axapharm mund të përdoret vetëm për trajtimin në infeksione të veshit të mesëm ose për infeksione të rënda.
Tek infeksionet e veshit të mesëm ose për infeksione të rënda doza e përshtatshme është 2× në ditë nga 1 tabletë 250 mg.
Ky dozim nuk duhet të tejkalohet.

Fëmijët nën 5 vjeç:
Cefuroxim Axapharm nuk është i përshtatshëm për trajtimin e fëmijëve nën moshën 5 vjeç.
Në raste të ndryshme mjeku mund t’ju japë doza të ndryshme të preparatit.
Mos ndryshoni asgjë nga dozimi i përcaktuar në recetë. Nëse mendoni se preparati mjekësor është shumë i dobët ose i fortë, atëherë flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.

Çfarë efektesh anësorë mund të ketë Cefuroxim Axapharm?
Gjatë përdorimit të Cefuroxim Axapharm mund të shfaqen efektet e mëposhtme anësore:
Me raste mund të shfaqen çrregullime gastrointestinale, si p.sh. dhimbje barku, urth, të përziera dhe të vjella, ose dhimbje koke dhe marrje mendsh.
Në raste të tilla, zakonisht nuk është e nevojshme të ndërpritet përdorimi i Cefuroxim Axapharm. Megjithatë ju duhet të informoni mjekun ose farmacistin tuaj rreth këtyre simptomave.
Ndërprisni përdorimin e Cefuroxim Axapharm dhe njoftoni menjëherë mjekun kur shfaqet një ose disa nga simptomat e mëposhtme:
përzierje e fortë, heqje e vazhdueshme barku, ose dhimbje të mëdha barku; gjakderdhje në jashtëqitje, shfaqja e një ngjyre të verdhë në lëkurë ose te sytë.
Nëse shfaqen vështirësi me frymëmarrjen, shtrëngime në gjoks, ënjtje e qepallave të syve, të fytyrës, ose të buzëve, alergji në lëkurë (njolla të kuqe), ënjtje të lëkurës ose urtikaria, duhet të informoni menjëherë mjekun tuaj dhe në bazë të udhëzimeve të tij të vazhdoni më tej përdorimin e Cefuroxim Axapharm.
Nëse vëreni efekte anësore që nuk janë përmendur këtu, duhet të informoni mjekun ose farmacistin tuaj.

Çfarë tjetër duhet pasur kujdes?
Te pacientët diabetikë të dhënat e jashtëqitjes së sheqerit në urinë mund të dalin gabimisht pozitive, nëse përdoren metoda të cilat bazohen në reduktimin e bakrit (p.sh. Fehling-ut, Benedict-it, Clinitest- it); për këtë arsye duhen përdorur teste që bazohen te enzimat.
Nëse nuk keni përmirësime të dukshme edhe mbas trajtimit të sëmundjes me një pako Cefuroxim Axapharm, duhet të njoftoni menjëherë mjekun tuaj.
Jeni të lutur që mbas mbarimit të trajtimit, paketimin dhe pjesët përbërëse të tij t’i çoni te mjeku ose farmacisti, ose t’i hidhni në një vend të përcaktuar për hedhjen e tyre.
Informacione të tjera mund t’i merrni te mjeku ose farmacisti.
Këta persona kanë informacion të zgjeruar dhe të specializuar.
Tabletat Cefuroxim Axapharm duhen ruajtur në paketimin origjinal, në temperaturën e ambientit (15–25°C) dhe larg pranisë së fëmijëve.
Preparati mjekësor, duhet të përdoret deri në datën e skadimit të shënuar në blister me shenjën «EXP.».

Çfarë përmban Cefuroxim Axapharm?
1 tabletë Cefuroxim Axapharm 250 mg përmban: 250 mg cefuroxim në formën e cefuroximaxetil dhe përbërës ndihmues.
1 tabletë Cefuroxim Axapharm 500 mg përmban: 500 mg cefuroxim në formën e cefuroximaxetil dhe përbërës ndihmues.

Ku mund ta gjeni Cefuroxim Axapharm?
Në farmaci me një recetë mjekësore e cila është vlefshme vetëm një herë.

Çfarë paketimesh janë në dispozicion?
Cefuroxim Axapharm 250 mg: paketimi me 14 tableta.
Cefuroxim Axapharm 500 mg: paketimi me 14 tableta.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive