Apendiciti është një urgjencë mjekësore që kërkon ndërhyrje të shpejtë kirurgjike për të larguar apendiksin. Nëse nuk intervenohet, apendiksi i inflamuar mund të shpërthejë duke nxjerrë materiale infektive në hapësirën abdominale (e barkut).
Kjo mund të çojë deri te shfaqja e peritonitit – një inflamacion serioz i peritoneumit (mbështjellësit të zgavrës së barkut) që mund të ketë pasoja fatale, nëse nuk trajtohet shpejtë me antibiotikë të fuqishëm.
Çfarë e shkakton apendicitin?
Apendiciti shkaktohet kur apendiksi bllokohet, më së shpeshti nga jashtëqitja, nga një trup i huaj ose nga kanceri. Bllokimi mund të jetë edhe pasojë e infeksionit, meqenëse apendiksi fryhet si reaksion ndaj çfarëdo infeksioni në trup.
SIMPTOMAT
Simptomat klasike të apendicitit janë:
Dhimbje topitëse pranë kërthizës ose në pjesën e sipërme të abdomenit që bëhet e mprehtë derisa lëviz në pjesën më të poshtme të abdomenit. Zakonisht kjo është simptoma e parë.
Humbje apetiti.
Nauze (mundim në lukth) dhe/ose vjellje menjëherë pas fillimit të dhimbjes abdominale.
Fryrje e barkut.
Temperaturë 37-39 gradë Celsius.
Pamundësi për kalimin e gazrave.
Simptomat që shfaqen thuajse në gjysmën e rasteve:
Dhimbje topitëse kudo në pjesën e sipërme ose të poshtme të abdomenit, në shpinë ose në rektum.
Urinim që shoqërohet me dhimbje.
Të vjella që i paraprijnë dhimbjes abdominale.
Shtrëngime të rënda
Kapsllëk ose barkqitje me gaz
Nëse i keni këto simptoma kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore, sepse koha e diagnostikimit dhe mjekimit është shumë e rëndësishme. Mos hani, mos pini e as mos përdorni barna që lehtësojnë dhimbjen (analgjetikë), antacide, laksativë e as mos vendosni jastëkë të ngrohtë – të cilët mund të shkaktojnë pëlcitjen e apendiksit.
DIAGNOSTIKIMI DHE TRAJTIMI
Diagnostikimi
Simptomat e apendicitit shpeshherë janë të paqarta ose të ngjashme me sëmundjet tjera, duke përfshirë problemet me fshikëzën e tëmthit, fshikëzën e urinës ose ndonjë infeksion të traktit urinar, pastaj sëmundjen Crohn, gastritin, infeksionin intestinal dhe problemet me ovariume.
Për të përcaktuar diagnozën, zakonisht bëhen ekzaminimet e mëposhtme:
Ekzaminimi i abdomenit për zbulimin e inflamacionit
Analiza e urinës për të eliminuar infeksionin eventual të traktit urinar
Ekzaminimi i rektumit (pjesës më të poshtme të zorrës së trashë)
Analizat e gjakut, për të shikuar nëse organizmi po lufton me ndonjë infeksion
Skanimet me CT dhe ultrazë
Trajtimi i apendicitit
Mjekimi standard i apendicitit është ndërhyrja kirurgjike për të larguar apendiksin, e cila quhet apendektomi. Në rast të dyshimit më të vogël se ekziston një apendicit, mjekët intervenojnë menjëherë në mënyrë që të mos pëlcasë dhe të shkaktojë probleme të tjera. Nëse apendiksi ka formuar absces (qelb), mund t’iu nënshtroheni dy procedurave: të bëhet drenazhi (të thahet) i qelbit dhe lëngut apo të largohet apendiksi.
Apendektomia: Çfarë të pritet?
Antibiotikët jepen përpara një apendektomie për të luftuar peritonitin eventual. Jepet anestezioni i përgjithshëm dhe më pas largohet apendiksi përmes një prerjeje të vogël ose me laparoskopi. Nëse është zhvilluar peritoniti, atëherë bëhet shpëlarja e abdomenit dhe drenazhi (tharja) i qelbit.
Vetëm 12 orë pas ndërhyrjes kirurgjike mund të çoheni dhe të lëvizni. Zakonisht, brenda dy-tri javësh iu ktheheni aktiviteteve normale. Nëse ndërhyrja bëhet me laparoskopi, prerja është më e vogël dhe rikuperimi është më i shpejtë.
Pas një apendektomie duhet ta thirrni mjekun tuaj, nëse keni:
Vjellje të pakontrolluar
Dhimbje të madhe në abdomen
Marramendje apo plogështi
Gjak në të vjella ose në urinë
Ethe
Qelb në plagë
A mund të parandalohet apendiciti?
Nuk ka asnjë mënyrë të parandalimit të apendicitit. Megjithatë, thuhet se apendiciti është më i rrallë te njerëzit që konsumojnë ushqime të pasura me fibra ushqyese, siç janë pemët dhe perimet e freskëta.