Sunday, December 25, 2016

DIARREJA

Diarreja nënkupton zbrazje të shpeshtë, të tepërt dhe të hollë (të lëngshme) e zorrëve. Në mjekësi, diarreja definohet si një gjendje kur organizmi ka numër të shtuar të barkqitjeve gjatë një dite të vetme (ose mbi 3 barkqitje në ditë).

Jashtëqitja, e quajtur në mjekësi feces, është pjesa që ne e nxjerrim në tualet përmes rektumit dhe anusit. Fecesi përmban atë që mbetet pasi sistemi digjestiv absorbon lëndët ushqyese dhe lëngjet nga ajo çfarë ne hamë dhe pimë. Nëse trupi nuk i absorbon lëngjet, dhe nëse sistemi juaj digjestiv krijon më lëngje shtesë, fecesi do të jetë i shpeshtë dhe i lëngshëm. Fecesi i lëngshëm përmban më shumë ujë, kripë dhe minerale, dhe peshon më shumë se fecesi i thatë.

Diarreja në një aspekt prek po thuajse çdo person gjatë jetës.

Diarreja mund të jetë akute dhe kronike. Diarreja që vjen papritur dhe kalon pas një periudhe prej 1-2 ditësh (ndonjëherë edhe më shumë), zakonisht emërohet si “diarreja akute”. Shumica e njerëzve me diarre akute shërohen vetvetiu dhe pa nevojë për intervenime me terapi. Diarreja që zgjat së paku disa javë (rreth katër) quhet “diarre kronike”. Gjatë diarresë kronike simptomat mund të jenë të vazhdueshme, ose mund të vijnë dhe të largohen.

Diarreja kronike, në mënyrë të veçantë, kërkon një kujdes mjekësor për të gjetur shkaktarin që qëndron mbrapa saj dhe që nxit komplikimet, siç është dehidrimi i organizmit. Dehidrimi është më i shpeshtë tek fëmijët, organizmi i të cilëve ka më shumë ujë se sa ai i të rriturve. Duhet pasur parasysh se pasojat e dehidrimit mund të jenë fatale.

SHKAKTARËT

Diarreja mund të vijë si pasojë e shkaqeve të ndryshme. Disa prej shkaktarëve më të mëdhenj janë:

- Infeksionet, si:

Baktere nga uji ose ushqimi i kontaminuar, si E. Coli, Salmonella, Shigella, Clostridum, Vibrio cholerae;
Viruset, si rotavirusi, enterovirusi ose virusi i hepatitit;
Parazitët, që janë organizma të vogël që gjenden në ushqimin ose ujin e kontaminuar.
Ju mund të prekeni nga agjenti infektues përmes kontaktit me ndonjë individ i cili e ka atë, ose mund ta merrni pas ngrënies së ushqimit të kontaminuar ose pirjes së ujit të kontaminuar. Nëse hani ushqim i cili ka qenë i gatuar në mënyrë jo të duhur ose që është kontaminuar pas gatimit, mund të merrni helmim nga ushqimi, gjë që mund të çojë në diarre. Fëmijët të cilët vizitojnë çerdhe të kujdesit ditor si dhe familjet e tyre janë më të prirë të jenë të ekspozuar ndaj agjentëve të sigurt infektues.

Tek shumë njerëz të cilët udhëtojnë në vendet të tjera paraqitet e ashtuquajtura “diarreja e udhëtarëve”, zakonisht pas pirjes së ujit të kontaminuar. Diarreja infektuese është rrezik i pjesshëm në vendet në zhvillim ku është vështirë të mbahen uji i pistë dhe ujërat e zeza të ndara nga uji që shfrytëzohet për gatim, pirje dhe larje, dhe ku pajisjet joadekuate e bëjnë të vështirë të praktikohet higjiena e mirë personale.

- Paaftësia për të tretur disa ushqime, përfshirë mos tolerancën për laktozë, vështirësitë në tretjen e sheqerit që gjendet në produktet me tharm; sëmundjet e zorrëve, paaftësia për të tretur grurin dhe disa drithëra të tjera; dhe problemet pankreatike, siç janë ata që shkaktohen nga fibroza cistike, e cila ndërhyn në prodhimin e disa substancave të rëndësishme tretëse.

- Sëmundjet të cilat prekin traktin gastrointestinal si ato të lukthit, zorrës së hollë, zorrës së trashë, si sëmundja e Crohnit.

- Sindroma irrituese e zorrëve, që mund të shkaktojë periudha alternative të diarresë dhe konstipacionit (kapsllëkut).

- Largimi i një pjese të zorrës me anë të operacionit. Zorrët e shkurtuara mund të jenë të paafta për të absorbuar të gjithë substancën që ju e hani. Kjo emërtohet si sindromi i zorrës së shkurtër.

- Largimi kirurgjik i fshikëzës së tëmthit. Rritja e bilës në zorrë mund të rezultojë me jashtëqitje të qullët.

- Disa sëmundje të sistemit endokrin (hormonal), përfshirë çrregullimet tiroide, diabeti, sëmundja adrenale dhe sindromi Zollinger – Ellison.

- Disa tumore të rralla që prodhojnë substanca shkaktare të diarresë.

- Shpeshherë asnjë shkaktar i diarresë mund të mos gjendet. Por, derisa diarreja zgjat vetëm disa ditë, nuk është e nevojshme të gjendet shkaktari.

- Shumë barna mund të shkaktojnë diarre. Barnat që mund të shkaktojnë diarre janë një numër i antibiotikëve , antacidet që përmbajnë magnez, laksativët, digitalinat, diuretikët, barnat për kemoterapi, agjentët që zbresin nivelin e kolesterolit, litiumi, teofilina, hormoni tiroid dhe kolkicina. Terapia e radiacionit për kancerin e prostatës ose tumoret në abdomen mund të dëmtojnë zorrët dhe të shkaktojë diarre. Helmet si insekticidet, kërpudhat psikodelike dhe arseni mund të shkaktojnë diarre si edhe mbipërdorimi i kafeinës ose alkoolit.

SIMPTOMAT

Përveç jashtëqitjes së shpeshtë dhe të lëngshme, simptomat tjera të diarresë mund të jenë:

Ngërçe ose dhimbje në abdomen – zona në mes të gjoksit dhe vitheve
Nevoja për përdorim urgjent të tualetit
Humbja e kontrollit të zorrëve.
Si pasojë e diarresë ju mund të ndjeni dhimbje në stomak ose mund të jeni të dehidruar. Nëse virusi ose bakteri është fajtor për diarrenë tuaj, ju mund të keni edhe ethe dhe dridhje dhe jashtëqitje me gjak.

Dehidrimi

Me dehidrim nënkuptohet kur organizmi juaj nuk ka mjaft lëngje për të funksionuar normalisht. Çdo herë kur ju keni lëvizje të zorrëve, ju humbni lëngje. Diarreja bën që ju të humbni edhe më shumë lëngje. Ju po ashtu humbni kripë dhe minerale si natrium, klor dhe kalium. Këto ndikojnë në sasinë e ujit që qëndron në organizmin tuaj.

Dehidrimi mund të jetë serioz, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit, dh njerëzit me sistem të dobët imun.

Shenjat e dehidrimit te të rriturit janë:

Të qenit i etshëm
Urinimi më pak se zakonisht
Urina me ngjyrë të mbyllur
Lëkura e thatë
Ndjenja e lodhjes
Ndjenjë marramendje ose ligështimi.
Shenjat e dehidrimit te foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë:

Gojë dhe gjuhë e thatë
Qarje pa lot
Pelena që nuk laget për tre ose më shumë orë
Sy, faqe të fundosura, ose njolla të buta në kafkë
Temperaturë të lartë
Të qenit më i nervozuar ose përgjumur se zakonisht.
Po ashtu kur njerëzit janë të dehidruar, lëkura e tyre nuk kthehet në normalitet menjëherë, pasi të jetë shtypur dhe lëshuar me butësi.

TRAJTIMI

Diarreja trajtohet duke zëvendësuar lëngjet, kripën dhe mineralet e humbura, për të parandaluar dehidrimin. Marrja e barnave për ndalimin e diarre po ashtu mund të jetë e dobishme në disa raste. Barnat të cilat mund t’i blini pa përshkrimin e mjekut janë:

Loperamid dhe
Subsalicilat bismuti.
Ndaloni konsumin e tyre nëse simptomat përkeqësohen ose nëse diarreja zgjat më shumë se dy ditë. Nëse keni diarre me gjak, ju nuk duhet të përdorni barna pa përshkrimin e mjekut. Këto barna mund ta bëjnë diarrenë të zgjatë më shumë. Mjeku zakonisht do t’ju përshkruajë antibiotikë në vend të tyre.

Barnat e diarresë që lejohet të merren pa recetë të mjekut, mund të jenë të dëmshme për bebet dhe fëmijët. Bisedoni me kujdestarin mjekësor para se t’ia jepni fëmijës këto barna.

Ushqimi dhe dieta

Për ta parandaluar dehidrimin kur keni diarre, është e rëndësishme të pini sa më shumë ujë, por ju po ashtu duhet të pini lëngje të cilat kanë natrium, klor dhe kalium.

Të rriturit duhet të pinë ujë, lëngje të pemëve, pije me gaz pa kafeinë, dhe supë të kriposur.

Fëmijët duhet të pinë tretësira orale rehidruese (tretësira që rikthejnë kripën dhe mineralet për të parandaluar dehidrimin). Këto mund t’i merrni në barnatore dhe gjerësisht njihen si ORS (nga anglishtja: oral rehydration solutions).

Nëse keni diarre hani ushqime të buta si:

banane
oriz të bardhë
patate të ziera
tost
biskota të njelmëta
karota të gatuara
pulë të pjekur pa lëkurë ose yndyrë.
Nëse vëreni se ushqime të caktuara shkaktojnë diarre, mundohuni t’i shmangni ato.

Derisa pritni për diarrenë të kalojë, shmangni ushqimet të cilat e përkeqësojë atë, si:

Pije me kafeinë, si kafe ose kola
Ushqime me shumë yndyrë, si ushqime të fërguara
Ushqime me shumë fibra, si fruta agrume
Ushqime të ëmbla, si torta dhe ëmbëlsira.
Gjatë dhe pas një episodi të diarresë, disa njerëz kanë probleme ta tretin laktozën (sheqerin e qumështit) dhe produktet e qumështit. Megjithatë, ju mund të jeni në gjendje ta tretni jogurtin. Konsumimi i jogurtit me kultura aktive (të gjalla) bakteriale (jogurt probiotik) ndihmon të ndjeheni më mirë më shpejt. Kur foshnjat kanë diarre, vazhdoni dhënien gji ose formulën (qumështin pluhur) për ta ushqyer si zakonisht.

Pasi keni pasur diarre të shkaktuar nga ndonjë virus, problemet e tretjes së laktozës mund të zgjatin nga katër deri në gjashtë javë. Ju mund të keni diarre për një periudhë të shkurtër pasi keni ngrënë ose pirë qumësht ose produkte të qumështit.
Share:

Shqiperia JO Duhanit