Sunday, December 25, 2016

BULIMIA NERVOZA

Njerëzit me bulimi nuk mund të ngopen me kohë, pasi ushqimi u mundëson atyre të ndjehen komfort. Por pasi hanë shumë, kjo i bën ata të mos ndjehen rehat. Pasi ngopen, ata ndjehen të turpëruar, fajtor, dhe kanë frikë mos shtojnë peshë. Kjo i bën ata ta zbrazin ushqimin.

Pa trajtim, ky cikël “ngop dhe zbraz” mund të çojë te probleme shëndetësore serioze, afatgjate. Aciditeti në gojë nga vjellja mund të shkaktojë prishje të dhëmbëve, sëmundje të mishit të dhëmbëve, dhe humbje të shtresës mbrojtëse (smaltit) të dhëmbëve. Çdo lloj zbrazje mund të çojë edhe te dobësimi i eshtrave (osteoporozë), sëmundje e veshkave, sëmundje të zemrës dhe madje edhe deri në vdekje.

Nëse ju ose dikush që e njihni ka bulimi ose ndonjë sëmundje tjetër ushqimore, kërkoni ndihmë. Çrregullimet në ushqim mund të jenë të rrezikshme. Dhe vetëm dëshira nuk është e mjaftueshme për t’i tejkaluar këto problem. Trajtimi mund ta ndihmojë një person me çrregullime në të ushqyer të ndjehet më mirë dhe të jetë më i shëndetshëm.

SHKAKTARËT

Çfarë e shkakton buliminë?

Të gjitha çrregullimet e të ushqyerit janë probleme komplekse dhe ekspertët nuk e dinë me saktësi se çfarë i shkakton ata. Por ata mund të shkaktohen nga një kombinim i faktorëve si historia familjare, faktorët social, dhe tipare të personalitetit. Ju mund të keni më shumë gjasa për të pasur buliminë nëse:

Njerëz të tjerë në familje janë obezë ose kanë çrregullime në të ushqyer;
Ju keni ndonjë punë ose bëni ndonjë sport që thekson madhësinë e trupit, si balet, modelim ose gjimnastikë;
Ju jeni një tip i personit që përpiqeni të jeni të përkryer gjithë kohën, kurrë nuk ndjeheni mjaft mirë, ose shqetësoheni shumë;
Ju përballeni me ngjarje stresuese në jetë, si divorci, zhvendosja në një qytet ose shkollë të re, humbja e ndonjë të dashuri.
Bulimi si sëmundje është më e shpeshtë në këto grupacione:

Tinejxherë. Si edhe çrregullimet tjera të të ushqyerit, bulimia zakonisht fillon në vitet tinejxhere. Por kjo mund të fillojë edhe më herët ose në moshë madhore.
Femrat. Rreth 10 nga 11 njerëz të cilët vuajnë nga bulimia janë femra. Por disa djem dhe burra po ashtu mund të vuajnë nga ky çrregullim. Derisa bulimia shpesh fillon në moshën tinejxhere, ajo zakonisht zgjat deri në moshën madhore dhe është një problem afat-gjatë.

SIMPTOMAT

Njerëzit me bulimi zakonisht kanë këto shenja:

Hanë vazhdimisht. Ata hanë sasi të mëdha të ushqimit brenda një periudhe shumë të shkurtër, shpesh gjatë disa orëve ose më pak. Gjatë ngrënies, ata ndjehen jashtë kontrolli dhe ndjehen të paaftë të ndalojnë së ushqyeri.
Zbrazen për t’u çliruar nga ushqimi dhe për të shmangur shtimin e peshës. Ata mund ta nxisin veten të vjellin, të stërviten fuqishëm ose për një kohë të gjatë, ose keqpërdorin laksativët (barna që stimojnë jashtëqitjen), klizmat (xhel laksativ për aplikim në anus), diuretikë (tableta të cilat largojnë ujin nga organizmi), ose barna të tjera.
I bazojnë ndjenjat e tyre për veten në atë se sa peshojnë dhe si duken.
Cilado prej këtyre mund të jetë shenjë e ndonjë çrregullimi në të ushqyer që duhet mjekuar.

Si mund ta di se dikush e ka buliminë?

Bulimia është më ndryshe nga “anoreksia nervoza”, një çrregullim tjetër i të ushqyerit. Njerëzit të cilët kanë anoreksi hanë shumë pak sa bëhen tepër të dobët. Njerëzit të cilët kanë bulimi mund të mos jenë të dobët. Ata mund të jenë me madhësi normale. Ata mund të hanë ushqim në mënyrë sekrete dhe të mohojnë se stimulojnë nxjerrjen. Kjo e bën të vështirë për të tjerët të dinë nëse një person vërtet vuan nga bulimia.

Nëse jeni të shqetësuar për dikë, shikoni në këto shenja. Personi mund të ketë bulimi nëse:

Shkon në tualet menjëherë pas ushqimit;
Han shumë por nuk shton peshë;
Është i fshehtë sa i takon të ushqyerit, fsheh ushqimet, ose nuk dëshiron të hajë kur ka njerëz të tjerë;
Stërvitet shumë, edhe kur nuk ndjehet mirë;
Shpesh flet për ushqimin, peshën dhe formën e trupit;
Përdor laksativë ose diuretikë shpesh;
Ka shenja nëpër gishta ose lytha në pjesën e pasme të duarve ose në faqe, si dhe nofulla të fryra. Këto shkaktohen duke e stimuluar vjelljen.

TRAJTIMI

Bulimia mund të trajtohet përmes këshillimeve psikologjike dhe ndonjëherë edhe përmes barnave, si antidepresivët. Sa më shpejt të fillojë trajtimi, aq më mirë. Marrja e hershme e mjekimit mund ta bëjë më të lehtë rikuperimin dhe të parandalojë probleme të tjera serioze shëndetësore.

Duke punuar me një këshillues, një person me bulimi mund të mësojë të ndjehet më mirë për veten. Ajo (ose më rrallë ai), mund të mësojë të hajë normalisht sërish dhe të ndalojë zbrazjen e dhunshme të ushqimit.

Sëmundjet tjera mentale si depresioni, shpesh vijnë paralel me buliminë. Nëse personi ka edhe sëmundje tjera përveç bulimisë, mund të jetë i nevojshëm një mjekim më i hollësishëm, dhe mund të duhet më shumë kohë për t’u përmirësuar.

Çrregullimet e ushqimit mund të marrin një kohë më të gjatë për t’u tejkaluar. Dhe është e shpeshtë kur personat u kthehen mënyrave jo të shëndetshme të të ushqyerit edhe pasi të mjekohen. Nëse ju keni probleme, mos u mundoni t’i zgjidhni vetë. Kërkoni ndihmë.

Çfarë duhet të bëj nëse mendoj se dikush e ka buliminë?

Mund të jetë e tmerrshme të kuptoni se dikush për të cilin ju kujdeseni ka çrregullime të të ushqyerit.

Nëse ju mendoni se një mik ose i dashur i juaj ka buliminë, mund ta ndihmoni. Bisedoni me të. Tregoni se pse ju jeni të shqetësuar. Porositeni atë të bisedojë me dikë që mund t’i ndihmojë, si mjek ose psikolog. Ofroni të shkoni me të.

Tregoni dikujt që mund ta bëjë dallimin, si prindit, mësuesit, psikologut ose mjekut. Sa më herët miku ose personi i afërt i juaj merr ndihmë, aq më herët do të kthehet në gjendje të shëndetshme sërish.
Share:

Shqiperia JO Duhanit