Thursday, January 12, 2017

TRAMADOL

1. Çfarë është dhe përse përdoret Tramadol
Tramadol është emri tregëtar i substancës aktive tramadol, i cili bën pjesë në grupin e analgjezikëve potent me veprim qëndror.
Efekti i analgjezikëve shfaqet shpejt dhe qëndron për pak orë.
Supostet Tramadol janë barna për lehtësimin e dhimbjeve të moderuara dhe të rënda, p.sh. dhimbja gjatë dëmtimeve (plagosjeve, frakturave), neuralgji të rënda (dhimbje e rëndë që shoqëron rrugën e nervit ), dhimbje e kancerit dhe dhimbje e shkaktuar nga ataku në zemër, dhimbje gjatë proçedurave diagnostike dhe terapeutike.
Ju duhet ta përdorni atë vetëm nëse ju është përshkruar nga mjeku.

2. Përpara se të përdorni Tramadol
Mos përdorni Tramadol

nëse jeni alergjik (i mbindjeshëm) ndaj tramadolit ose ndaj ndonjërit prej përbërsve të Tramadolit;
nëse jeni duke marrë frenues të monoamin oksidazës (barnat për trajtimin e depresionit ose sëmundjes së Parkinsonit ) ose nëse i keni marrë ato para dy javësh;
nëse keni intoksikacion akut me alkool, hipnotikë, barna për lehtësimin e dhimbjeve ose barna të tjera që veprojnë në sistemin nervor qëndror.
Ky bar nuk jepet në fëmijët nën 1 vjeç.

Tregoni kujdes të veçantë me Tramadol

nëse jeni të ndjeshëm ndaj analgjezikëve opioidë;
nëse jeni i dhënë pas (alkoolit, i dhënë pas tabletave dhe i dhënë pas drogës);
nëse keni konvulsione periodike të trurit (kriza epileptike);
nëse keni problem të veshkave (nëse është e nevojshme, mjeku do tu zgjasë intervalin e dozimit të paktën në fillim të trajtimit);
nëse keni probleme të mëlçisë (nëse është e nevojshme, mjeku do të reduktojë dozat individuale ose të të zgjasë intervalin e dozimit);
nëse keni ose keni pasur dëmtim në kokë;
nëse keni probleme serioze me frymëmarrjen.
Marrja e barnave të tjera
Ju lutem njoftoni mjekun ose farmacistin nëse jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjerë, përfshirë edhe barnat që merren pa përshkrim.
Kjo është e rëndësishme sepse tramadoli mund të prekë rrugën në të cilën veprojnë disa barna dhe anasjelltas.
Tek këto barna hyjnë frenuesit e sistemit nervor qëndror (anestetikët, barnat për trajtimin trajtimin e crregullimeve mendore, sedativët, hipnotiket) , karbamazepina (antiepileptik), frenuesit e MAO( barnat per trajtimin e depresionit ose Parkinsonit),  barnat për parandalimin e mpiksjes së gjakut (warfarin).
Marrja e njëkohëshme e frenuesve specifikë të receptorëve të serotoninës, antidepresivëve triciklikë dhe antipsikotikëve mund të rrisë riskun për konvulsione.

Përdorimi i Tramadolit me ushqim dhe pije
Mos pini alkool gjatë trajtimit me tramadol meqënëse bari rrit veprimin frenues të alkoolit në sistemin nervor qëndror.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Pyesni mjekun ose farmacistin për këshilla përpara se të merrni çdo lloj bari.
Siguria dhe përdorimi gjatë shtatzënisë nuk janë studiuar.
Dozat e larta ose përdorimi i zgjatur gjatë shtatzënisë mund të ketë efekte të dëmshme tek fetusi ose bebi i porsalindur.
Nëse Tramadol përdoret gjatë ushqyerjes me gji, duhet të kihet parasysh se 0.1% e barit kalon në qumështin e gjirit.
Një dozë e vetme Tramadol zakonisht nuk kërkon ndërprerjen e ushqyerjes me gji.

Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Bari ka një efekt potent në performancën psikofizike, veçanërisht kur përdoret njëkohësisht me alkoolin; për rrjedhojë nuk rekomandohet përdorimi i makinerive dhe drejtimi i automjeteve dhe motorëve gjatë trajtimit.

Informacion i rëndësishëm rreth disa përbërësve të Tramadolit
Kapsula e fortë përmban azo ngjyrues E151, E122 dhe E124, dhe parahidroksibenzoat E218 dhe E216, i cili mund të shkaktojë reaksione alergjike (ndoshta të vonuar).
Pikat nga goja përmbajnë sukrozë.
Nëse ju ka thënë mjeku që keni intolerancë ndaj disa sheqernave, kontaktoni mjekun përpara se të merrni këtë produkt mjekësor.

3. Si merret Tramadol
Merreni gjithmonë Tramadolin ekzaktësisht siç ju ka thënë mjeku.
Ju duhet të pyesni mjekun ose farmacistin nëse nuk jeni i sigurt.
Pyesni mjekun se sa gjatë duhet ta merrni këtë bar.
Dozimi mund të ndryshojë në pacientë të ndryshëm.
Numri i dozave ditore, intervalet e dozimit dhe kohëzgjatja e trajtimit varet nga tipi dhe shkalla e dhimbjes dhe ndjeshmëria individuale e pacientit.

Udhëzime për dozimin
Të rriturit dhe fëmijët mbi 14 vjeç:
Kapsulat: 1 kapsulë me pak ujë; nëse përgjigja nuk është e kënaqshme, ju duhet ta përsërisni dozën pas 30 deri 60 minuta.
Ju duhet t’i merrni dozat në intervale 4 orë deri 6 orë.
Doza dhe frekuenca e marrjes duhet të përcaktohen nga mjeku.
Pikat: 20 pika (50 mg) ose shtypni pompën matëse 4 herë (likidi i hedhur jashtë pompës), me pak likid ose në një kub sheqeri; nëse përgjigja nuk është e kënaqshme, ju duhet të përsërisni dozën pas 30 deri 60 minutash.
Ju mund t’i merrni dozat në intervale 4 orë deri 6 orë.
Dozat dhe frekuenca e marrjes duhet të përcaktohen nga mjeku.
Përpara se të përdorni pompën matëse për herë të parë, shtypeni disa herë me qëllim që të mbushet mekanizmi i pompës.
Fëmijët 1 deri 14 vjeç:
Pikat duhet të jepen në doza 1 mg/kg deri 2 mg/kg peshë trupore.
Dozat mund të merren në interval 4  orë deri 6 orë.
Dozat dhe frekuenca e marrjes përcaktohen nga mjeku.
Dozat ditore mbi 400 mg nuk janë të rekomanduara, me përjashtim të dhimbjeve në pacientët me kancer dhe në ata me dhimbje të forta postoperatore, në të cilët doza ditore mund të rritet deri në 600mg.
Në pacientët me pamjaftueshmëri të veshkave dhe mëlçisë rekomandohen doza të ulëta dhe intervale të dozimit më të gjata, të cilat u përcaktohen nga mjeku.
Nëse jeni mbi 75 vjeç, rekomandohet të mos përdorni më shumë se 300 mg në ditë.
Ju duhet të diskutoni me mjekun rreth përshtatjes së dozimit.

Nëse merrni Tramadol më shumë se ju duhet
Nëse keni marrë gabimisht dy doza të përshkruara Tramadol, ato nuk do të japin efekt negativ sinjifikant, por nëse keni përdorur një dozë shumë më të lartë sesa ajo që ju është rekomanduar, mund të shfaqen shenjat e intoksikacionit, çrregullime të ndërgjegjes, konvulsione të trurit, rënie presionit të gjakut, rrahje të shpeshta të zemrës, ngushtim ose zgjerim i pupilave, vështirësi në frymëmarrje.
Në intoksikacionet e rënda me humbje të ndërgjegjes dhe frymëmarrje të dobët, duhet të merret nalokson, ndërsa konvulsionet e trurit duhet të trajtohen me diazepam intravenoz.

Nëse harroni të merrni Tramadol
Mos merrni dozë dyfishe për të zëvendësuar dozën e humbur.
Ju duhet të vazhdoni trajtimin duke e marrë dozën tjetër në kohë.

Nëse ndërprisni marrjen e Tramadolit
Nëse trajtimi i marrë për një kohë të gjatë ndërpritet menjëherë, mund të shfaqen simptomat e tërheqjes.
Për rrjedhojë, vendimi për ndërprerjen e terapisë që merret për një kohë të gjatë duhet të merret nga mjeku.
Nëse keni pyetje të mëtejshme për përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose farmacistin

4. Efektet e mundshme anësore
Si të gjitha barnat, Tramadol mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo çdokush mund t’i ketë ato Efektet anësore janë më shpesh të lidhura me dozat e larta.

Shumë të zakonshme Prek më shumë se 1 përdorues në 10
Të zakonshme Prek 1 deri 10 përdorues në 100
Jo të zakonshme Prek 1 deri 10 përdorues në 1,000
Të rralla Prek 1 deri 10 përdorues në 10,000
Shumë të rralla Prek më pak  se 1 përdorues në 10,000
Të panjohura Frekuenca nuk mund të vlerësohet me të dhënat e disponueshme

Efekte anësore shumë të zakonshme: nauzea, marrie mendsh.
Efekte anësore të zakonshme: vertigo, dhimbje koke, konstipacion, të vjella, diarre, gojë e thatë, djersitje.
Efekte anësore jo të zakonshme: çrregullime të oreksit (anoreksia), ankth, konfuzion, përgjumje, vazodilatacion (zgjerim i vazave të gjakut), çrregullime të shikimit, çrregullime gastrointestinale (shtypje në stomak, fryrje), dhimbje abdominale, flatulencë, reaksione të hiperndjeshmërisë së lëkurës (të kruajtura, rash në lëkurë), çrregullime të urinimit (retension urinar, urinim i shpeshtë), shenjat e menopauzës, çrregullime menstruale.
Efekte të rralla anësore: ndryshime të humorit (ekstremisht i gëzuar), paqëndrueshmëri emocionale, çrregullime të gjumit, çrregullime të njohjes, çrregullime të ndjeshmërisë dhe haluçinacione, amnezi, çrregullime të koordinimit, spazma muskulare, therje (parestezi), tremor, çrregullime të përqëndrimit, rrahje të rritura të zemrës, ndjesi jo e këndshme e rrahjeve të zemrës (palpitacione), kolaps kardiovaskular, gjendje të fikti (sinkop), rritje e presionit të gjakut, rënie e presionit të gjakut pas ngritjes në këmbë nga pozicioni shtrirë, vështirësi në gëlltitje, angioedema, urtikarje, rritje e tonusit muskular, ndjesia e dhimbjes ose djegies gjatë urinimit, ecje jonormale, dobësi muskulare, rënie në peshë.
Nëse ndonjë nga efektet anësore bëhet serioze, ose vini re ndonjë efekt anësor që nuk është përmendur në këtë fletëudhëzues, ju lutem njoftoni mjekun ose farmacistin.

5. Si të ruhet Tramadoli
Mbajeni larg arritjes dhe shikimit të fëmijëve.
Mos e përdorni Tramadolin pas datës së skadencës së shënuar në paketim.
Data e skadencës i referohet ditës së fundit të atij muaji.
Kapsula të forta
Pika orale, solucion Ruajeni nën 25°C.
Barnat nuk duhet të hidhen në lavaman ose plehërat e shtëpisë.
Pyesni farmacistin si flaken barnat që nuk përdoren për një kohë të gjatë.
Këto masa ndihmojnë në ruajtjen e ambientit.

6. Informacion i mëtejshëm
Çfarë përmban Tramadoli
Substanca aktive është tramadol hidroklorid.
1 kapsulë e fortë përmban 50 mg tramadol hidroklorid.
1 ml solucion (40 pika) përmban 100 mg tramadol hidroklorid.
1 ml solucion (8 herë hedhje të pompës matëse) përmban 100 mg tramadol hidroklond.
Përbërësit e tjerë të kapsulës së fortë janë:
mikrokristalinë celulozë, niseshte glikolat natriumi, talk dhe stearat magnezi në bërthamën e kapsulës, dhe dioksid titaniumi (E171), ngjyrë blu V (E131), ngjyrë e zezë PN (E151), azorubin (E122), ngjyrë e kuqe 4R (E124), metil parahidroksibenzoat (E218), propil parahidroksibenzoat (E216) dhe xhelatinë në mbështjellën e kapsulës.
Përbërësit e tjerë të pikave nga goja janë: sukrozë, propilen glikol, sorbet kaliumi, polisorbat, sakarin natriumi, glicerol, vaj esencial peperminti, vaj esencial glikanxol dhe ujë i pastruar.

Si duket dhe çfarë përmban paketimi i Tramadolit
Kapsulat e forta janë te bardha dhe blu; kapsulat përmbajnë pudër te bardhë.
Pikat nga goja, solucion, janë të kthjellta, solucion pa ngjyrë deri lehtësisht kafe.
Tramadol është i disponueshëm në kuti:
me 20 kapsula në paketim me blistera
me 10 ml solucion në shishe me pikatore plastike

Informacion mbi përshkrimin
Merret vetëm me përshkrimin e mjekut.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive