Thursday, January 12, 2017

Skopryl 10 mg (tableta)

1. ÇFARË ËSHTË SKOPRYL-i DHE PËR ÇFARË PËRDORET?

Përmbajtja:
Një tabletë përmban 10 mg lisinopril (në formë të lisinopril dihidratit 10,890 mg).

Forma farmaceutike dhe përbërja
Tabletat Skopryl të 10 mg janë të rrumbullakta, bikonvekse, me ngjyrë të verdhë të zbehtë dhe me vijën e ndarjes në njerën anë dhe me pika të dukshme të pigmentit.

Paketimi
Skopryl 10 mg tableta janë të paketuara në blister Al/PVC.
Secila blister përmban 10 tableta. Kutia e kartonit përmban 20 tableta (2 blister) dhe fletëudhëzimin në brendësi.

Si vepron Skopryl-i?
Përbërësi aktiv i tabletave Skopryl është lisinoprili. Lisinoprili i përket grupit të barnave kundër tensionit të lartë të gjakut të quajtura “inhibitorë të enzimit konvertues të angiotensinës (ACE)”. Skopryl-i vepron duke i zgjëruara enët e gjakut i cili ndihmon në zvoglimin e tensionit të lartë të gjakut. Te pacientët që vuajnë nga pamjaftueshmëria e zemrës, Skopryl-i ndihmon që zemra të punojë më mirë.

Kur përdoret Skopryl-i?
Skopryl-i përdoret për trajtimin e këtyre gjendjeve:
- Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni);
- Pamjaftueshmëria e zemrës (gjendje në të cilën zemra nuk e pompon gjakun në organizëm në mënyrën më të mirë;
- Pamjaftueshmëria e funksioneve veshkore si rezultat i sëmundjes së sheqerit (nefropatia diabetike).
- Skopryl-i përdoret pas atakut të zemrës (infarktit të miokardit) për të parandaluar dobësimin e zemrës.

2. ÇFARË DUHET TË DINI PARA SE TË PËRDORNI SKOPRYL?
Informoni mjekun nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike, çrregullim metabolik, nëse e dini që jeni alergjik ose nëse jeni duke marrë barna të tjera.

Kur nuk duhet ta përdorni Skopryl?
Nëse jeni alergjik (hipersensitiv) në lisinopril, ose në cilindo përbërës tjetër të tabletave Skopryl të përmendura më pare; nëse ju jeni trajtuar edhe më parë me barna të grupit të ACE inhibitorëve dhe keni pasur reaksione alergjike në këto të cilat kanë shkaktuar enjtje të duarve, këmbëve, fytyrës, buzëve, gjuhës ose fytit, si dhe probleme me frymëmarrje; nëse ju keni më tepër se 3 muaj shtatzëni. Gjithashtu rekomandohet që Skopryl-i të mos merret edhe në tremujorin e parë të shtatzënisë – shih seksionin e shtatzënisë.

Përkujdesje të veçanta me Skopryl
- Nëse keni sëmundje të veshkave ose nëse jeni në dializë
- Nëse keni sëmundje të mëlçisë
- Nëse jeni duke marrur barna për rritjen e volumit të urinës (diuretikë), nëse në të kaluarën e afёrt keni pasur diarre ose vjellje, ose nëse jeni në dietë me sasi të zvogluar të kripës, sepse ju mund të keni rënie të tensionit të gjakut me simptoma të marramendjes, veçanërisht me rastin e ngritjes në këmbë.
- Nëse mjeku ju ka thënë se tension i lartë i juaj është si pasojë e ngushtimit të arterieve të veshkave.
- Nëse në të kaluarën keni pasur reaksione alergjike me vështirësi të frymëmarrjes ose të gëlltitjes, enjtje të duarve, këmbëve, fytyrës, buzëve, gjuhës ose fytit, i cili kërkon ndihmën mjekësore.
- Nëse do të keni ndonjë operacion me anestezi. Ju duhet ta informoni mjekun tuaj edhe për proçedurat dentale me anestetikë.
- Nëse keni problem me valavulat e zemrës me trashje të muskulit të zemrës më tepër se zakonisht (kardiomiopati).
- Nëse jeni në trajtim për ndonjë alergji (p.sh. për të zvogluar efektet e ndonjë alergjie ndaj thumbimit të bletës etj.)
- Nëse do të keni trajtim të gjakut për shkak të nivelit të lartë të yndyrnave
- Nëse keni diabet
Ju duhet ta informoni mjekun tuaj nëse jeni ose nëse dyshoni se mund të jeni shtatzënë. Skopryl nuk rekomandohet në shtatzëninë në trmujorin e parë, dhe nuk duhet të merret nëse keni më tepër se 3 muaj të shtatzënisë, sepse seriozisht mund ta dëmtojë fetusin nëse merret në këtë fazë të shtatëzënisë (shih seksionin e shtatzënisë).
Tableta Skopryl janë të rekomanduara për fëmijë mbi 6 vjet për trajtimin e presionit të lartë të gjakut. Lisimopril nuk përdoret te fëmijët me insufiçiencë të rëndë të veshkave.

Përdorimi Skopryl-it me ushqime dhe pije
Tabletat e Skopryl-it mund të merren para, gjatë apo pas ushqimit.

Shtatzania dhe ushqyerja me gji
Këshillohuni me mjekun tuaj ose farmacistin para se të filloni të merrni çfarëdo lloj bari.
Ju duhet ta informoni mjekun tuaj nëse jeni ose nëse dyshoni se mund të jeni shtatzënë. Mjeku juaj normalisht që do të ju këshillojë që ta ndëpreni marrjen e mëtejme të Skopryl para se ju të mbeteni shtatzënë, ose sa më shpejt që është e mundshme pasi që ju ta kuptoni se jeni shtatzënë dhe do të ju këshillojë që të merrni ndonjë bar tjetër në vend të Skopryl. Skopryl nuk rekomandohet në shtatzëninë e hershme, dhe nuk duhet të merret nëse keni më tepër se 3 muaj të shtatzënisë, sepse seriozisht mund ta dëmtojë fetusin nëse merret pas muajit të tretë të shtatzënisë.

Gjidhënia
Tregoni mjekut tuaj nëse jeni gjidhënëse, ose dini të filloni gjidhënien.
Skopryl-i nuk rekomandohet për nënat gjidhënëse dhe mjeku juaj do të bëjë një zgjedhje tjetër derisa ju ushqeni fëmijën me gji, sidomos nëse fëmija është i porsalindur, ose i lindur para kohe.

Efektet mbi aftësinë për të drejtuar automjetin dhe për të përdorur makineri
Lisinoprili mund tё shkaktojë lodhje dhe marramendje e cila mund të ndikojë në aftësitë tuaja për ngarje të makinës ose për operim me makineri të rrezikshme.
Nëse do të keni lodhje ose marramendje nuk duhet të ngisni makinën ose të operoni me makineri.

Në çfarë duhet patur kujdes nëse përdorni barna të tjera
Informoni mjekun ose farmacistin nëse jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, qoftë edhe ato pa përshkrimin e mjekut. Të keni parasysh se këto informacione mund ti përkasin barnave të cilat më nuk i pini, si dhe barnat të cilat planifikoni ti merrni në të ardhmen.

Është me rëndësi të veçantë nëse në ndërkohë së bashku me Skopryl merrni edhe këto barna:
- Diuretikë (tableta për rritjen e volumit të urinës. Këto mund të shkaktojnë rënie më të theksuar të tensionit të gjakut. Doza duhet të përshtatet nga ana e mjekut tuaj.
- Trajtime të tjera për tensionin e lartë të gjakut
- Barna antiinflamatore josteroide (NSAID) si indometacinë dhe doza të larta të aspirinës (më tepër se 3 gram në ditë) për trajtimin e artritit ose dhembjeve të muskujve. Kjo mund ta zvoglojë efikasitetin e lisinoprilit në zvoglimin e tensionit të gjakut.
- Insulinë ose tableta për trajtimin e diabetit, sepse ato mund ta zbresin nivelin e sheqerit në gjak më tepër sesa që është e nevojshme. Kjo ka shumë më tepër gjasa që të ndodhë në fillim të trajtimit dhe te pacientët që kanë probleme me veshka.
- Allopurinol ,barnat që interferojnë me sistemin imunologjik, steroidet ose prokainamidi (barna për kontrollin e ritmit jonormal të zemrës). Nëse këto barna merren së bashku me lisinopril ekziston rreziku për zvoglimin e numrit të leukociteve në gjak (këto qeliza mbrojnë nga infeksionet).
- Shtesat e kaliumit (duke i futur edhe kripërat). Lisinoprili ka tendencë të mbajtjes së kaliumit, prandaj nuk rekomandohet kurrfarё shtese e kaliumit.
- Antiacidet (barna kundër aciditetit) mund ta zvoglojnë absorbimin e tabletave të lisinoprilit.
- Ciklosporina mund ta rritë rrezikun për mbajtjen e kaliumit nëse merret së bashku me lisinopril.
- Litium (për sëmundjen bipolare). Lisinoprili mund ta rritë sasinë e litiumit në gjak. Mjeku juaj mund të ketë nevojë për monitorimin e nivelit të litiumit dhe për të përshtatur dozën.
- Barnat që stimulojnë sistemin nervor qendror (simpatomimetikët) si salbutamoli dhe pseudoefedrina për trajtimin e kollit dhe astmës bronkiale.

3. SI PËRDORET SKOPRYL-I?
Nëse vëreni se efekti i barit është shumë i fortë ose shumë i dobët këshillohuni me mjekun ose farmacistin.
Këtë bar duhet ta merrni saktësisht sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mos e ndryshoni dozën, ose ta ndërpreni marrjen e mëtejme pa konsultim paraprak me mjekun tuaj.
Mjeku juaj do ta përcaktojë dozimin dhe kohëzgjatjen e mjekimit.
Është me rëndësi të veçantё që tabletat ti merrni çdo ditë në të njejten kohë, me një gotë ujë.
Nëse ju e merrni Skopryl-in për herë të parë ju mund të keni marramendje për një kohë të shkurtër dhe në këtë rast mund të ndihmojë nëse uleni ose shtriheni.
Doza që duhet të merrni varet nga gjendja juaj dhe nëse jeni duke marrur edhe ndonjë bar tjetër.

Për tensionin e lartë të gjakut:
Doza fillestare e zakonshme është 2.5 mg një herë në ditë.
Doza mund të ngritet në harmoni me vlerat e tensionit të gjakut derisa të mbahet nën kontroll niveli i dëshiruar i tensionit.
Doza e zakonshme efektive është 10-20 mg një herë në ditë.
Doza maksimale është 40 mg një herë në ditë.

Pamjaftueshmëria e zemrës (pamundësia e zemrës për pompimin adekuat të gjakut):
Doza fillestare e zakonshme është 2.5 mg.
Doza e zakonshme për kohë të gjatë është 5 deri në 20 mg një herë në ditë.
Pas atakut të zemrës (infarkti akut i miokardit):Trajtimi duhet të fillojë brenda 24 orëve pas atakut të zemrës.
Doza e zakonshme është 5 mg në ditën e parë dhe të dytë, pastaj në ditët e tjera nga 10 mg.
Pacientët me tension të ulët të gjakut mund të marrin doza më të ulta prej 2.5 mg një herë në ditë.

Nefropatia diabetike:
Doza fillestare është 2.5 mg në ditë dhe më vonë duhet të përshtatet në mënyrë individuale.

Doza te fëmijët:
Doza te fëmijëve (të moshës 6-16 vjeç) do të përcaktojë mjeku.

Nëse përdorni Skopryl më shumë sesa duhet
Në rast të marrjes të sasive më të mëdha të Skopryl-it sesa që preferohet, duhet të kontaktoni sa më parë me mjekun tuaj ose farmacistin.
Me vete duhet të keni edhe barin ose paketimin e barit, në mënyrë që mjeku ta dijë sa çfarë keni marrë.
Ai do ti përcaktojë masat që duhet të ndërmerren, në vartësi nga ashpërsia e intoksikimit/mbidozimit.
Simptomi më i shpeshtë i mbidozimit është rënia e tensionit të gjakut.
Nëse keni marrë një mbidozë, këshillohuni menjëherë me mjekun ose farmacistin !

Nëse keni harruar ta merrni Skopryl
Mos e dyfishoni dozen. Nëse keni harruar ta merrni këtë bar, ju duhet ta merrni këtë sa më parë që ju kujtohet. Nëse është koha për aplikimin e radhës, vazhdoni sipas orarit, ashtu si është përshkruar nga mjeku juaj.

Efektet e ndërprerjes së trajtimit me Skopryl
Barin merreni sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mjeku juaj do të ju tregojë për kohëzgjatjen e marrjes së barit.
Në rast të ndërprerjes mund të rikthehen simptomat e sëmundjes tuaj.
Nëse keni nderpre marrjen e barit para se që mjeku ju ka rekomanduar tensionit të gjakut mund të rritet ose zemra juaj mund të dobësohet përsëri.
Nëse keni ndonjë pyetje lidhur me këtë bar drejtohuni te mjeku juaj ose te farmacisti.

4. EFEKTET ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat tjera, edhe Skopryl mund të ketë efekte të padëshiruara, por nuk do të thotë se këto do ti ketë secili pacient.
Shumica e pacientëve nuk shfaqin efekte të padëshiruara.
Megjithate nëse ju do të keni ndonjë efekt të padëshiruar bisedoni me mjekun tuaj.

Ndërprejeni marrjen e mëtejme të këtij bari dhe menjëherë kërkoni ndihmën mjekësore nëse do të keni ndonjerën nga këto situata:
- Nëse do të keni vështirësi me frymëmarrje me ose pa enjtje të fytyrës, buzëve, gjuhës dhe/ose fytit.
- Nëse do të keni enjtje të fytyrës, buzëve, gjuhës dhe/ose fytit e cila mund të krijojë vështirësi në gëlltitje.
- Nëse do të keni urtika në lëkurë (me ushla).
Efektet e padëshiruara të zakonshme (shfaqen te më pak se 1 në 10 dhe më shumë se 1 në 100 pacientë të trajtuar):
Kokëdhembje, marramendje sidomos me rastin e ngritjes në këmbë me shpejtësi, diarre, kollitje, vjellje, lisinoprili mund të ndikojë edhe në veshka duke shkaktuar zvoglimin e urinës ose mungesën e plotë.
Efektet e padëshiruara të pazakonshme (shfaqen te më pak se 1 në 100 dhe më shumë se 1 në 1000 pacientë të trajtuar):
Ndryshim i disponimit, ndryshim i ngjyrave (blu e hapur e cila pasohet me të kuqen) dhe/ose therje dhe mpirje e gishtave të duarve dhe këmbëve, ndryshim i shijes, ndjenja e përgjumjes dhe vështirësit me gjumin, ëndrra të çuditshme, shpejtim i ritmit të zemrës, rrjedhje nga hundët, nauzea, dhembje të barkut, skuqje dhe kruarje e lëkurës, impotencë, lodhje, dobësi (humbje e forcës).
Një rënie e theksuar e tensionit të gjakut mund të vërehet te pacientët me sëmundje koronare të zemrës, ose te ata me ngushtim të aortës (stenozë të aortës), të arterieve të veshkave (stenozë e arterieve renale) ose të valvulave të zemrës (stenozë e valvulave mitrale), ose te pacientët me trashje të muskulit të zemrës (kardiomiopatia hipertrofike).
Efektet e padëshiruara të rralla (shfaqen te më pak se 1 në 1000 dhe më shumë se 1 në 10.000 pacientë të trajtuar):
Konfuzion, tharje e gojës, rënie e flokëve, psoriazë, rritja e gjinjëve te meshkujt.
Mund të ketë ndryshime të numrit të qelizave të gjakut. Është me rëndësi që mjeku juaj të kërkojë analizat e gjakut për mundësinë e efekteve të lisinoprilit në gjak. Nganjëherë këto ndryshime mund të paraqiten me lodhje ose pezmatim të fytit, ose me ethe, dhembje të muskujve dhe nyjeve, enjtje e nyjeve dhe gjëndrrave, ose me ndjeshmëri në rreze të diellit.
Efektet e padëshiruara shumë të rralla (shfaqen te më pak se 1 në 10.000 pacientë të trajtuar):
Dhembjet e sinuseve, teshtimë, inflamacion i mushkërive, zverdhje e lëkurës dhe/ose e syve (verdhzë), inflamacion i mëlçisë dhe pankreasit, çregullime të rënda të lëkurës (me simptoma si skuqje, me ushla), djersitje.
Nëse vëreni ndonjë nga efektet anësore të renditura më sipër ose ndonjë efekt anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhezim, ju lutemi informoni mjekun ose farmacistin .

5. RUAJTJA DHE AFATI I PËRDORIMIT

Ruajtja
Mbajeni larg fëmijëve!
Ky bar nuk kërkon kushte të veçanta për ruajtje.

Afati i përdorimit
Të mos përdoretet pas kalimit të afatit të përdorimit të shtypur në pako.
Data i referohet ditës së fundit të muajit të shënuar.

Mënyra e marrjes së këtij bari
Bari mund të meret vetë me recetë te mjekut.

Masat speciale të shkatërrimit të barit të papërdorur
Barnat nuk duhet të hidhen në vende të papërshtatshme.
Pyeteni farmacistin për shkatërrimin e barnave të cilat nuk ju nevojiten.
Kjo masë do të ndihmojë në ruajtjen e ambientit.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive