Thursday, January 12, 2017

Stugeron forte 75 mg (tableta)

1. Çfarë është Stugeron dhe përse përdoret
Cinarizina, një derivat piperazine, është një nga grupet e barnave të njohura si anatagonistë të receptorëve H, dhe bllokues të kanaleve të kalciumit.
Bari frenon kalimin e joneve të kalciumit në muskulaturën e lëmuar të arterieve dhe shkakton zgjerimin e vazave të gjakut (vazodilatacion).
Cinarizina është një qetësues efektiv dhe i besueshëm i veshit të brendshëm (qetësues i labirintit). Meqënëse ai parandalon ngushtimin e vazave të gjakut (vepron si një anti-vazokonstriktor), përdoret për lehtësimin e simptomave të shkaktuar nga fluksi i dobët i gjakut të trurit dhe gjakut periferik.
Ai nuk ka efekt në presionin e gjakut dhe ritmin e zemrës.

Cinarizina përdoret në:

trajtimin e çrregullimeve të ekuilibrit (çrregullime vestibulare) të tilla si vertigo, zhurmë në vesh (tinitus), nauze dhe të vjella në sëmundjen e veshit të brendshëm, e cila mund të prekë një, ose në raste të rralla, të dy veshët (sindromin Menier.)
2. Përpara se të merrni Stugeron forte
Mos merrni Stugeron forte:

nëse jeni alergjik (i mbindjeshëm) ndaj cinarizinës ose ndaj ndonjë përbërësi tjetër të Stugeron forte,
nëse keni parkinsonizëm (një sëmundje kronike, progresive e ngadaltë që prek rajonin e trurit përgjegjës për lëvizjet e vullnetshme) ,
nëse keni sindrom ekstrapiramidal (lëvizje anormale e lidhur me dëmtimin e rrugëve motore përveç traktit piramidal).
Tregoni kujdes të veçantë me Stugeron forte

nëse keni presion të ulët të gjakut (cinarizina nuk është e rekomandueshme),
nëse jeni mbi 65 vjeç: mund të shfaqen hipotermi (temperaturë jo normale e ulët e trupit) dhe simptomat ekstrapiramidale (çrregullime në lëvizje),
nëse keni porfiri (çrregullim i metabolizmit të porfirinave).
Bari mund të ndërhyjë në rezultatet e analizave të lëkurës (ato mund të dalin negative false): për rrjedhojë, rekomandohet ndalimi i trajtimit të paktën katër orë përpara se të kryhet analiza e lëkurës.

Marrja e barnave të tjerë
Ju lutem njoftoni mjekun ose farmacistin nëse jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjerë, përfshirë edhe barnat që merren pa përshkrim.
Cinarizina mund të ndërveprojë me disa barna që merren njëkohësisht dhe për rrjedhojë efektet e një ose disa barnave mund të reduktohen ose të rriten.

Në mënyrë të veçantë, thuajini mjekut ose farmacistit nëse jeni duke marrë:

barna që përdoren për zgjerimin e vazave të gjakut (vazodilatorët) dhe barna të tjerë që përdoren për presionin e lartë të gjakut (antihipertensivë të tjerë).
barnat që përdoren për lehtësimin e nauzesë dhe të vjellave që mund të jenë efekte anësore të barnave ose rrjedhojë e sëmundjeve gastrointestinale (antiemetiku domperidon).
Marrja e njëkohshme e alkoolit dhe e qetësuesve (sedativët) ose e barnave për trajtimin e depresionit (antidepresivët triciklikë) dhe cinarizinës mund të rrisë efektet e qetësuesve.

Marrja e Stugeron forte me ushqim dhe pije
Merreni barin pas ushqimit me pak lëng.
Evitoni pirjen e pijeve alkoolike.
Alkooli mund të rrisë efektin qetësues (sedativ) të cinarizinës.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Pyesni mjekun ose farmacistin për këshilla përpara se të merrni çdo lloj bari.
Rreziku nuk mund të përjashtohet; për rrjedhojë, bari nuk rekomandohet për gratë shtatzëna.
Nënat që ushqejnë me gji janë të këshilluara të ndalojnë ushqyerjen me gji gjatë trajtimit me cinarizinë ose të ndalojnë marrjen e cinarizinës gjatë ushqyerjes me gji.

Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Cinarizina mund të shkaktojë përgjumje, veçanërisht, në fillim të trajtimit ose në marrjen e njëkohëshme me alkool; për rrjedhojë  pacientët këshillohen të mos drejtojnë automjete ose të përdorin makineri.

Informacion i rëndësishëm rreth disa përbërësve të Stugeron forte
Stugeron forte përmban laktozë.
Nëse ju është thënë nga mjeku se keni intolerancë ndaj disa sheqernave, pyesni mjekun përpara se të merrni këtë produkt mjekësor.

3. Si të merret Stugeron forte
Merreni gjithmonë Stugeron forte ekzaktësisht siç ju ka thënë mjeku.
Ju duhet të pyesni mjekun ose farmacistin nëse jeni i sigurt.

Pacientët e rritur dhe të moshuar

Indikacioni Doza ditore 1 tabletë = 75 mg
Çrregullime të ekuilibrit 1 tabletë një deri dy herë në ditë
Doza ditore më e lartë: 3 tableta.

Tabletat Stugeron forte 75 mg nuk rekomandohen për trajtimin e fëmijëve.

Nëse merrni Stugeron forte më shumë se ju duhet
Shenjat e para të mbidozimit janë përgjumje, marrje mendsh dhe moskoordinim i lëvizjeve.
Mbidozimi i rëndë manifestohet me hipotermi, kontraksione të muskulaturës skeletike (konvulsione), të vjella, mornica ose dridhje të pavullnetshme (tremor), presion i ulët i gjakut (depresion respirator).
Nëse shfaqet shenja e mbidozimit, mjeku do të marrë masat e nevojshme.

Nëse harroni të merrni Stugeron forte
Mos merrni dozë dyfishe për të zëvendësuar dozën e humbur.
Merreni barin rregullisht, çdo ditë rreth të njëjtës kohë.
Nëse harroni të merrni barin, merreni atë sa më shpejt që t’ju kujtohet.
Nëse doza tjetër pritet të jetë brenda dy orëve të ardhshme, merrni vetëm një dozë dhe harrojeni dozën tjetër.
Më vonë rifilloni skemën e dozimit të rregullt.

Nëse ju ndaloni së marri Stugeron forte
Edhe nëse ndiheni mirë dhe nuk keni më simptoma, ato mund të rishfaqen nëse ju ndërprisni trajtimin shumë shpejt.
Merreni barin për aq kohë sa ju ka përshkruar mjeku.
Nëse keni pyetje të mëtejshme për përdorimin e këtij bari  pyesni mjekun ose farmacistin.

4. Efektet e mundshme anësore
Si të gjitha barnat, Stugeron forte mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo çdokush mund t’i ketë ato.

Efektet anësore mund të klasifikohen në grupet e mëposhtme sipas frekuencës:

Shumë të zakonshme: Prek më shumë se 1 përdorues në 10
Të zakonshme: Prek 1 deri 10 përdorues në 100
Jo të zakonshme: Prek 1 deri 10 përdorues në 1,000
Të rralla: Prek 1 deri 10 përdorues në 10,000
Shumë të rralla: Prek më pak se 1 përdorues në 10,000
Të panjohura: Frekuenca nuk mund të vlerësohet nga të dhënat e disponueshme
Efekt anësor i zakonshëm: tharje goje.

Efektet anësore jo të zakonshme: nauze, të vjella, diarre.

Efektet anësore të rralla: dhimbje koke, parkinsonizëm nga cinarizina, reaksion mbindjeshmërie, hiperndjeshmëri ndaj dritës së diellit (fotosensibilitet), mungesë oreksi, rritje e peshës së trupit, djersitje, përgjumje, pagjumësi.

Efektet anësore shumë të rralla: vertigo, marrje mendsh, ankth i rëndë i shoqëruar me nervozizëm të lëvizjeve (axhitim pradoksal), sindrom i ngjashëm me dermatozën kronike inflamatore (lupus eritematoz), lodhje, ikter kolestatik.

I panjohur: depresion.

Nëse ndonjë nga efektet anësore bëhet serioz, ose vini re ndonjë efekt anësor që nuk është përmendur në këtë fletëudhëzues, ju lutem njoftoni mjekun ose farmacistin.

5. Si të ruhet Stugeron
Ruajeni larg arritjes dhe shikimit të fëmijëve.
Mos e përdorni Stugeron forte pas datës së skadencës së shënuar në paketim.
Data e skadencës i referohet ditës së fundit të muajit.
Ruajeni nën 25°C.
Barnat nuk duhet të hidhen në lavaman ose në plehërat e shtëpisë.
Pyesni farmacistin se si të hidhen barnat që nuk përdoren për një kohë të gjatë.
Këto masa ju ndihmojnë ju për të mbrojtur ambientin.

6.Informacione të mëtejshme

Çfarë përmban Stugeron forte

Substanca aktive është cinarizina.
Çdo tabletë përmban 75 mg cinarizinë.

Përbërësit e tjerë janë monohidrat laktoze, niseshte misri, niseshte e prexhelatinizuar, povidon, polisorbat 20 (E432), celulozë mikrokristaline (E460), silic anhidër koloidal dhe stearat magnezi (E572).

Si duket Stugeron forte dhe çfarë përmban paketimi
Tabletat janë të bardha, të rrumbullakta, të sheshta dhe kanë qoshe të mprehta.
Stugeron forte është i disponueshëm në kuti me 50 (5 x 10) tableta në pako blister.

Informacion mbi përshkrimin
Merret vetëm me recetë mjeku.

 KRKA
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive