Thursday, January 12, 2017

Trazem (tableta)

1. Çfarë është TRAZEM® dhe për çfarë është i destinuar
TRAZEM tabletat 5 mg përmbajnë nitrazepam, bari nga grupi i benzodiazepinave.
Është i destinuar për mjekimin e çrregullimit të gjumit (pagjumësisë) te të rriturit dhe formave të posaçme të epilepsisë te fëmijët.

Përmbajtja :
Një tabletë përmban: nitrazepam 5,0 mg.

Paketimi: Tabletat TRAZEM® 5 mg janë të paketuara në kuti e cila përmban 10 tableta.

Si vepron TRAZEM®
Bari TRAZEM® përmban nitrazepam i cili sforcon veprimin e acidit gama-aminobutirik (GABA), neurotransmiterit kryesor inhibitor në sistemin nervor qendror. Nitrazepam shpejton mekanizmin fiziologjik të gjumit me bllokim të ngacmimeve të cilat vijnë nga regjionet emocionale, shqisore, autonome dhe motorike. Në këtë mënyrë bari mundëson hyrje më të shpejtë në gjumë, zgjim të lehtë dhe hyrje të sërishme të lehtë në gjumë, si dhe siguron ëndrra normale dhe ndjenjë freskie gjatë zgjimit.
Përveç kësaj, nitrazepami zvogëlon disa forma të aktiviteteve epileptike të trurit.

Kur përdoret TRAZEM®
TRAZEM® tabletat janë të destinuara për mjekim të:
• Çrregullimit të gjumit i cili karakterizohet me fjetje të vështirësuar, zgjim të shpeshtë gjatë natës dhe/ose zgjim të hershëm në mëngjes, që është më së shpeshti pasojë e ngacmueshmërisë së tepruar psikike, telasheve, konflikteve, stresit ose lodhjes;
• Çrregullimeve organike të gjumit (si terapi shtesë);
• Epilepsisë te fëmijët (sulmet mioklonike, sindroma West, sindroma Lennox-Gastaut).

2. Çfarë duhet të dini para fillimit të përdorimit
Njoftoni mjekun nëse merrni barna tjera, keni ndonjë sëmundje kronike, ndonjë çrregullim metabolizmi, jeni të tejndieshëm në barna ose keni pasur reaksione alergjike në ndonjërin prej tyre.

Kur nuk duhet të merrni barin
Mos merrni TRAZEM® tableta 5 mg në rastet në vijim:
• Nëse jeni alergjik në nitrazepam dhe/ose komponentet ndihmëse të barit;
• Nëse jeni alergjik në barna tjera nga grupi i benzodiazepinave (psh. diazepam dhe ngjashëm);
• Nëse keni pengesa të theksuara në funksionin e mushkërive (depresion i theksuar respirator, insufiçiencë akute pulmonare);
• Nëse keni dëmtim të rëndë të funksionit të mëlçisë;
• Nëse keni sëmundje të cilën e karakterizon dobësi e theksuar e muskujve (miastenia gravis);
• Nëse keni pengesa me frymëmarrje kur flini (i ashtuquajturi “sindrom apnee” gjatë gjumit);
• Nëse vuani nga psikozat kronike, gjendjet fobike ose obsesive.

Vërejtje dhe masa të kujdesit
• Është i nevojshëm kujdes i posaçëm gjatë marrjes së tabletave TRAZEM te pacientët e moshuar, pacientët me aftësi të pakësuara mentale, me ndryshime organike në tru, pacientët me shtypje të lartë të syrit (glaukomë e këndit të mbyllur). Gjithashtu, njoftoni mjekun tuaj nëse keni pengesa në punën e veshkave, mëlçisë, mushkërive dhe/ose gjëndrës mbrojtëse. Në këto raste, mjeku do t’ia përshtatë dozën gjendjes suaj.
• Nitrazepam mund të shkaktojë keqësim të porfirisë, sëmundje trashëguese për të cilën është karakteristike grumbullimi i porfirinës në trup, kështu që është i nevojshëm kujdes i veçantë gjatë aplikimit të këtij bari te këta pacientë.
• Aplikimi i barit te fëmijët kërkon kujdes te fëmijët, pasi që nitrazepami në doza të mëdha të cilat aplikohen në mjekimin e disa formave të epilepsisë, mund të shkaktojë çrregullime të gëlltitjes dhe të frymëmarrjes.
• Ky bar nuk është i destinuar për mjekim të depresionit ose anksiozitetit të ndërlidhur me depresion, pasi që mund të shkaktojë ide vetëvrasëse ose tentim vetëvrasje.
• Mjeku juaj do t’ju këshillojë për sa kohë duhet ta merrni barin, pasi që marrja për një kohë të gjatë dhe/ose aplikimi i dozave të larta të nitrazepamit rritin rrezikun nga varshmëria fizike dhe psikike. Rreziku i manifestimit të varësisë është më e madhe te pacientët në historinë e të cilëve ekziston evidenca për alkoolizëm ose keqpërdorim të drogave, si edhe te pacientët me çrregullime të theksuara të personalitetit. Në rastet e përmendura, më e rëndësishmja është të ndërmerren kontrolle mjekësore, kurse terapinë me nitrazepam duhet ndërprerë me zvogëlim gradual të dozës së barit. Ndërprerja e menjëhershme e përdorimit të barit, edhe atëherë kur ka të bëj me terapi afatshkurtër, mund të jetë i përcjellur me simptoma abstinence siç janë depresioni, kokëdhimbja, dobësi e muskujve, nervoza, anksioziteti i theksuar, tendosja, shqetësimi, konfuzioni, ndryshimet e disponimit, pagjumësia kthyese, ndjeshmëria e tepruar, djersitja e shtuar, dhe diarrea. Në rastet e rënda mund të shfaqen çrregullime të përjetimit të personalitetit të vet dhe të ambientit (derealizimi i depersonalizimi), ndjeshmëri e tepruar në tingullin normal (hiperakuzia), mpirja e ekstremiteteve, tejndieshmëria në dritë dhe kontakt fizik, mashtrime shqisore (halucinacione) ose sulme epileptike. Rrallë shfaqen psikoza, gjendje të konfuzionit psikik total (delirium) ose ngërçe (konvulzione).
• Gjatë përdorimit të barit, rrallë shfaqen reaksione të kundërta nga të priturat, në formë të çrregullimit të sjelljes siç janë ekzaltimi, agresiviteti, konfuzioni, shqetësimi, tejndieshmëria, halucinacionet, sulme mllefi, ankthe nate, iluzione, reaksione psikotike dhe tentime vetëvrasjeje. Reaksionet e përmendura mund të jenë mjaft serioze, posaçërisht te personat e moshuar. Nëse paraqiten ndonjëra prej reaksioneve të përmendura, aplikimi i barit duhet të ndërpritet.
• Ky bar mund të shkaktojë humbje afatshkurtër kujtese (aq. amnezia anterograde).
Gjendja rëndom fillon 1 deri 2 orë mbas përdorimit të barit, dhe mund të zgjatë disa orë.
Për të zvogëluar mundësinë e shfaqjes së amnezisë anterograde mbas marrjes së barit, siguroni vetes 7 deri 8 orë gjumë të pandërprerë.

Përdorimi i tabletave TRAZEM® me ushqim dhe pije
Konsumimi i alkoolit ndikon dukshëm në veprimin e barit! Pacientët nuk do të duhej të konsumojnë alkool gjatë mjekimit me barin TRAZEM, pasi që me këtë veprimi i barit potencohet në mënyrë të theksuar.
Marrja e ushqimit nuk ndikon dukshëm në veprimin e barit TRAZEM.

Përdorimi në shtatzani dhe gjidhënie
Para se të filloni të merrni ndonjë bari, këshillohuni me mjekun ose farmacistin tuaj.

Shtatzania
Nitrazepam kalon barrierën placentare. Përdorimi i barit në tremujorin e parë mund të jetë e ndërlidhur me shfaqjen e defekteve të lindura, kështu që konsiderohet i kundërindikuar.
Përdorimi i nitrazepamit në tremestrin e dytë dhe të tretë është e mundshme vetëm te ekzistimi i indikacionit strikt, përkatësisht nëse mjeku vlerëson që leverdia nga bari për nënën tejkalon rreziqet e mundshme për fetusin. Nëse nitrazepami përdoret gjatë tremestrit të fundit të shtatzënisë mund të shkaktojë pengesa në frymëmarrje, ulje të shtypjes së gjakut dhe temperaturës së trupit, parregullsi në punën e zemrës dhe vështirësi të thithjes te i porsalinduri. Përdorimi i barit gjatë javës së fundit të shtatzanisë mund të shkaktojë depresion të sistemit nervor qendror të të porsalindurit.
Nëse jeni grua në periudhën reproduktive, dhe përdorni TRAZEM® tableta 5 mg, është e nevojshme të ndërmerrni kontracepsion efikas. Nëse gjatë terapisë planifikoni shtatzaninë ose shtatzania ju përcaktohet, është e nevojshme që për këtë të njoftoni mjekun tuaj.

Ushqyerja në gji
Nitrazepami kalon në qumështin e nënës. Nëse nënës i është rekomanduar terapia me nitrazepam, gjatë përdorimit të barit duhet të ndërpritet ushqyerja në gji dhe aplikohet regjimi i alternativ i të ushqyerit të foshnjës.

Ndikimi në aftësitë psikofizike gjatë drejtimit të automjeteve dhe makinave
TRAZEM® tableta 5 mg ndikon në aftësitë psikofizike, kështu që gjatë kohës së terapisë nuk rekomandohet drejtimi i automjeteve dhe/ose makinave.

Çfarë duhet të dini për materiet ndihmëse të cilat i përmban TRAZEM®
Në rast të jo-tolerancës në ndonjërin prej sheqernave, drejtojuni mjekut tuaj para përdorimit të këtij bari, pasi që në përbërjen e tij gjendet laktoza.

Çfarë duhet pasur kujdes nëse merrni barna tjera
Keni parasysh që këto informacione kanë të bëjnë edhe me barnat të cilat nuk i merrni më, sie edhe në barnat të cilat planifikoni ti merrni në të ardhmen. Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj nëse merrni, ose deri vonë keni marrë ndonjë bar tjetër, përfshirë edhe barna të cilat merren pa recetë mjeku.
• Të gjitha barnat të cilat ndikojnë ne enzimet e posaçme (mikrozomale) të mëlçisë mund të ndikojnë në veprimin e nitrazepamit, pasi që metabolizmi i këtij bari zhvillohet përmes këtyre enzimeve.
• Veprimi i nitrazepamit potencohet nëse njëkohësisht përdoren barnat me veprim qëndror siç janë: barnat për qetësim, barnat për mjekimin e depresionit dhe pagjumësisë, barnat kundër frikës, barnat kundër dhimbjes, barnat për induktimin e anestezisë (anestetikët), barnat të cilët përdoren për mjekimin e alergjive.
• Cimetidina, izoniazidi, disulfirami, eritromicina dhe tabletat për kontracepsion potencojnë efektet e nitrazepamit.
• Barnat për mjekimin e epilepsisë (antiepileptikët), posaçërisht nga grupi i hidantoinës dhe barbiturateve, rritin efektet e padëshirueshme dhe toksicitetin e nitrazepamit në organizëm, derisa përdorimi i nitrazepamit mund të shkaktojë rritje ose rënie të koncentrimit të fenitoinës në plazmë.
• Nitrazepam potencon veprimin e natrium oksibatit, kështu që evitoni përdorimin e njëkohshëm.
• Përdorimi i njëkohshëm i nitrazepamit me olanzapinë (intramuskular) mund të shkaktojë ulje të shtypjes së gjakut, ngadalësim të punës së zemrës dhe depresion të frymëmarrjes.
• Përdorimi i njëkohshëm me rifampicinë (antibiotik) mund të zvogëlojë veprimin e nitrazepamit.
• Nitrazepami bllokon efektet e levodopës, derisa potencon të metildopës.
• Barnat për mjekimin e astmës (psh. teofilina), mund të pakësojnë veprimin e nitrazepamit.
• Gjatë përdorimit të këtij bari mos përdorni preparate për qetësim të cilat përmbajnë valerianë (psh. çaj ose pika).
• Gjatë përdorimit të këtij bari nuk do të duhej të pini alkool, pasi që mund të shkaktojë depresion të sistemit nervor qendror.

3. Si përdoret TRAZEM®
Nëse mendoni që TRAZEM® shumë dobët ose shumë fuqishëm vepron në organizmin tuaj, drejtojuni mjekut ose farmacistit.

Dozimi dhe mënyra e përdorimit
Mjeku Juaj do Ju këshillojë për sa kohë do të merrni barin TRAZEM®. Mos ndërpreni terapinë sipas vendimit personal tuajin, edhe nëse ndjeheni më mirë, pasi që kjo mund të keqësojë gjendjen Tuaj shëndetësore. Gjithmonë kërkoni këshillën e mjekut tuaj, kurse marrjen e barit mos e ndërpreni pa udhëzim të tij.

Dozimi
• Çrregullimet e gjumit
Rekomandohet të përdoren doza minimale efektive të nitrazepamit, në një periudhë sa më të shkurtër kohore, nëse është e mundshme, marrë parasysh gjendjen e pacientit, rekomandohet përdorimi i kohëpaskohshëm i barit. Mbas arritjes së efektit terapeutike, doza e barit duhet gradualisht të zvogëlohet deri në ndërprerjen e plotë të barit.
Në terapinë e çrregullimit të gjumit rekomandohen tabletat TRAZEM® 5 mg të përdoren 20 deri 30 minuta para fjetjes.
Të rriturit
5 mg (një tabletë). Sipas nevoje doza mund të rritet deri 10 mg (2 tableta).
Në institucionet shëndetësore është e mundshme aplikimi i dozës deri 20 mg (4 tableta).
Fëmijët
Nuk rekomandohet përdorimi i tabletave TRAZEM® 5 mg në terapinë e çrregullimit të gjumit te fëmijët.
Dozimi te pacientët e moshuar, pacientët me aftësi mentale të kufizuara dhe te pacientët me dëmtim organik të trurit.
Mjekimi fillon me 2,5 mg nitrazepam (1/2 tableta) para fjetjes, kurse doza gradualisht mund të rritet deri më së shumti 5 mg (1 tabletë) para fjetjes.
Dozimi te pacientët me funksion të dobësuar të veshkave, mëlçisë dhe/ose gjëndrës mbrojtëse dhe te pacientët me insuficiencë kronike të mushkërive.
Doza e rekomanduar është 2,5 mg nitrazepam (1/2 tabletë) para fjetjes.

Kohëzgjatja e terapisë
Rekomandohet kohëzgjatje sa më e shkurtër e terapisë, rëndom prej disa ditë deri 2 javë, maksimalisht deri 4 javë (përfshirë edhe periudhën e pakësimit të dozës). Në rastet e posaçme është e nevojshme terapi më e gjatë me nitrazepam. Çdo përdorim i barit më i gjatë se 4 javë kërkon përpunim të sërishëm të detajuar të gjendjes së pacientit nga mjeku. Në parim, përdorimi i gjatë i nitrazepamit kërkon periudhë më të gjatë të pakësimit gradual të dozës së tij. Përdorimi i gjatë kronik, i barit nuk rekomandohet.
• Epilepsia te fëmijët
TRAZEM® tabletat 5 mg mund të përdoren në mjekimin e disa formave të epilepsisë te fëmijët (sulmet mioklonike, sindroma West, sindroma Lennox-Gastaut).
Dozat antikonvulsive të nitrazepamit (fëmijët deri 30 kg peshë trupore) sillen prej 0,3 mg/kg/ditë deri 1 mg/kg/ditë. Rekomandohet që doza ditore e barit të ndahet në tre doza njësore dhe në këtë mënyre të përdoret.
Janë shënuar reduktime 90% deri 100% në frekuencë të sulmeve mioklonike te fëmijët, me aplikim të dozës fillestare të nitrazepamit prej 0,5 mg/kg/ditë. Doza e mbajtjes së barit është sjellë prej 0,3 mg/kg/ditë deri maksimalisht 3 mg/kg/ditë. Doza mesatare e barit ka qenë 1 mg/kg/ditë.
Te fëmijët me sindromë Lennox-Gastaut mund të aplikohen 0,25 mg/kg/ditë, si dozë fillestare e nitrazepamit, mbas së cilës kryhet përshtatja graduale e dozës së barit për 0,25 mg/kg/ditë, çdo 2 javë. Doza mesatare e barit është 1,5 mg/kg/ditë. Diapazoni përfundimtar i dozave (dozat efektive) sillet prej 0,25 mg/kg/ditë deri 3 mg/kg/ditë. Rekomandohet që doza ditore të ndahet në doza njësore dhe në këtë mënyrë të përdoret.
TRAZEM® tabletat 5 mg nuk janë të përshtatura për përdorim te fëmijët më të vegjël se 6 vjeç.

Shënim i posaçëm
TRAZEM® tabletat 5 mg duhet gëlltitur me sasi të mjaftueshme lëngu.

Nëse keni marrë më tepër bari se sa që do të duhej
Nëse keni marrë dozë më të madhe të barit TRAZEM sesa që do të duhej, menjëherë bisedoni me mjekun ose farmacistin tuaj!
Merrni saktësisht tableta aq sa ju ka përshkruar mjeku juaj. Nëse keni marrë më shumë tableta sesa që do të duhej, menjëherë drejtojuni mjekut ose institucionit më të afërt mjekësor për ndihmë.

Nëse keni harruar të merrni TRAZEM®
Kurrë mos merrni dozë të dyfishtë për të kompensuar dozën e kapërcyer të barit!
Tabletën të cilën e keni lëshuar ta merrni, merreni sa më parë që është e mundshme , kurse ditën pasuese vazhdoni me përdorim të barit në kohën e zakonshme dhe në mënyrën e rekomanduar.

Çfarë ndodh nëse menjëherë ndërpreni marrjen e TRAZEM®
Nuk duhet të ndërpreni përdorimin e këtij bari sipas vendimit personal tuaj, edhe nëse ndiheni më mirë, pasi që mund të shkaktojë keqësim të gjendjes Suaj shëndetësore. Gjithmonë kërkoni këshillën e mjekut, kurse përdorimin e barit mos e ndërpreni pa udhëzimin e tij.

4. Efektet e padëshirueshme të barit
Sikurse edhe barnat tjera edhe tabletat TRAZEM® 5 mg mund të shkaktojnë disa efekte të padëshirueshme.
Efektet më të shpeshta të padëshirueshme janë përgjumja gjatë ditës pasuese, lodhja, përtesa, konfuzioni, trullosja, kokëdhimbja, plogështi e muskujve dhe e përgjithshme, pengesa në të ecur dhe pengesa të të parit . Këto efekte të padëshirueshme shfaqen kryesisht në fillim të terapisë, dhe qetësohen ose zhduken gjatë mjekimit me nitrazepam. Humbja për një kohë të shkurtër e kujtesës (a.q. amnezia anterograde) mund të shfaqet gjatë aplikimit të dozave terapeutike të barit, kurse rreziku i shfaqjes së këtij efekti të padëshirueshëm rritet me ngritjen e dozës së nitrazepamit. Është i mundshëm potencimi i gjendjes tashmë depresive të pacientëve gjatë aplikimit të nitrazepamit.
Efektet e padëshirueshme të barit të cilat shfaqen rrallë janë: marramendja, ulja e shtypjes së gjakut, pengesa në tretje, pengesa në të parët, ndryshime të libidos dhe urinim i vështirësuar.
Janë shënuar edhe raste individuale të diskrazive të gjakut (parregullsi në përbërjen e gjakut) dhe verdhëzës, gjatë marrjes së nitrazepamit.
Përdorimi i nitrazepamit në disa raste të veçanta, edhe në doza terapeutike, mund të shkaktojë varshmëri fizike dhe psikike, ndërsa ndërprerja e përdorimit të tij mund të shkaktojë shfaqjen e simptomave abstinenciale.
Janë shënuar raste të keqpërdorimit të nitrazepamit.

5. Ruajtja dhe afati i përdorimit
Ruajtja
Barin TRAZEM® ruajeni larg arritshmërisë së fëmijëve!
Të ruhet në temperaturë deri 25°C.

Afati i përdorimit
I shënuar në paketim.
Bari nuk duhet të përdoret mbas skadimit të afatit të përdorimit të shënuar në paketim!

Mënyra e dhënies të barit
Bari jepet vetëm në recetë mjekësore.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive