Wednesday, November 23, 2016

Paracetamol Alkaloid 120 mg/5 ml (tretësirë orale)

1. ÇFARË ËSHTË PARACETAMOL ALKALOID-i  DHE PËR ÇFARË PËRDORET?

Përmbajtja:
5 ml tretësirë orale përmbajnë 120 mg paracetamol.

Forma farmaceutike
Paracetamol Alkaloid tretësirë orale ka ngjyrë portokalli, likid me viskozitet uniform me aromë portokalli.
Tretësira orale është e paketuar në shishe me ngjyrë kafeje, nga qelqi neutral me vëllim 125 ml, e mbyllur me kapak të sigurisё nga plastika.

Paketimi
Kutia e kartonit përmban një shishe (1) të qelqit me 100 ml tretësirë orale, me kapakun e plastikёs të shkallëzuar për dozim dhe me fletëudhëzimin në brendësi të paketimit.

Si vepron Paracetamol Alkaloid-i?
Paracetamol Alkaloid përmban substancën aktive paracetamol, i cili është një analgjetik (substance e cila i mënjanon dhembjet) dhe antipiretik (e zvogëlon temperaturёn e rritur trupore dhe ethet).

Kur përdoret Paracetamol Alkaloid-i?

Paracetamol Alkaloid përdoret për mënjanimin e dhembjeve nga dalja e dhëmbëve, të dhembjeve të dhëmbit dhe të pezmatimit të fytit.
Si dhe e zvoglon temperaturën e rritur në lidhmëri me ftohjet dhe me infeksionet te fëmijët.
2. ÇFARË DUHET TË DINI PARA SE TË PËRDORNI PARACETAMOL ALKALOID?
Informoni mjekun nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike, çrregullim metabolik, nëse e dini që jeni alergjik ose nëse jeni duke marrë barna të tjera.

Kur nuk duhet të përdorni Paracetamol Alkaloid?

Nëse jeni alergjik (hipersensitiv) në paracetamol ose në cilindo përbërës tjetër të tretësirës orale Paracetamol Alkaloid.
Përkujdesje të veçanta me Paracetamol Alkaloid:

Nëse fëmija ka problem me veshka dhe/ose me mëlçi.
Nëse bebja është e lindur para kohe dhe nëse i ka më pak se 3 muaj.
Nëse fëmija ka intolerance të njohur në sheqerin e quajtur fruktozë.
Nëse fëmija i juaj merr edhe preparate të tjera të cilat përmbajnë paracetamol.
Nëse nuk jeni të sigurt lidhur me gjendjet e përmendura te fëmija juaj ju lutemi që para se ti jepni Paracetamol Alkaloid të drejtoheni te mjeku juaj ose te farmacisti.

Përdorimi i Paracetamol Alkaloid-it me ushqime dhe pije
Paracetamol Alkaloid-i mund të merret me ose pa ushqim.

Informacione të rëndësishme lidhur me disa përbërës të tabletave Paracetamol Alkaloid
Paracetamol Alkaloidi përmban fruktozë. Nëse mjeku juaj ju ka thënë se ju nuk i toleroni disa sheqerna, para se ta merrni këtë bar duhet të bisedoni me mjekun tuaj.
Ky bar përmban 3.75% v/v etanol (alkool), p.sh. më pak se 150 mg për dozë, ekuivalent me 3.75 ml birrë (5% v/v), 1.56 ml verë (12% v/v) për dozë. Është e rrezikshme për ata që vuajnë nga alkoolizmi. Duhet të merret parasysh për gratë shtatzëna ose gjidhënëse, për fëmijët e grupeve me rrezik të lartë si pacientët me sëmundje të mëlçisë, ose me epilepsi.
Ky bar pёrmban metilparaben dhe propilparaben tё cilё mund tё shkaktojnё reaksione alergjike(edhe tё vonuara).
Ky bar gjithashtu përmban ngjyrën Sunset të verdhë FCF (Е110), e cila mund të shkaktojë reaksione alergjike.

Në çfarë duhet patur kujdes nëse përdorni barna të tjera
Informoni mjekun ose farmacistin nëse jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, qoftë edhe ato pa përshkrimin e mjekut. Të keni parasysh se këto informacione mund ti përkasin barnave të cilat më nuk i pini, si dhe barnat të cilat planifikoni ti merrni në të ardhmen.

Në veçanti duhet ta informoni mjekun tuaj nëse fëmija juaj ndërkohë është duke i marrë këto barna:
•  Varfarinë ose barna tjera për të parandaluar koagulimin e gjakut;
•  Kolestiraminë (për trajtimin e nivelit të lartë të kolesterolit);
•  Metoklopramid ose domperidon (për trajtimin e nauzesë ose të vjelljeve);
•  Barna të tjera të cilat përmbajnë paracetamol.

3. SI TË PËRDORET PARACETAMOL ALKALOID-i?
Nëse vëreni se efekti i  barit është shumë i fortë ose shumë i dobët këshillohuni me mjekun ose farmacistin.

Dozimi dhe mënyra e përdorimit
Këtë bar duhet ta merrni saktësisht sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mos e ndryshoni dozën, ose ta ndërpreni marrjen e mëtejme pa konsultim paraprak me mjekun tuaj.
Mjeku juaj do ta përcaktojë dozimin dhe kohëzgjatjen e mjekimit.

Këtë bar fëmijës tuaj duhet tё ia jepni përmes gojës.
Fëmijët:
2 -3 muaj:          2,5 ml çdo 4-6 orë.
3 muaj – 1 vjeç:  2,5-5 ml çdo 4-6 orë.
1 -6 vjeç:            5-10 ml çdo 4-6 orë.
6 -12 vjeç:          10-20 ml çdo 4-6 orë.
Nuk rekomendohet te bebet e moshës  nën 2 muaj me përjashtim nëse këte e rekomandon mjeku.
Nuk duhet ti jepni më shumë se katër doza për 24 orë.
Të mos tejkalohen dozat e rekomanduara. Nëse simptomat nuk përmirësohen brenda 24 orëve duhet të konsultohet mjeku. Kohëzgjatja maksimale e përdorimit pa këshillën e mjekut është: 3 ditë. Zgjatja e përdorimit pa mbikqyrjen e mjekut mund të jetë e rrezikshme.
Ky bar duhet të përdoret vetëm nëse është i domosdoshëm.

Nëse përdorni Paracetamol Alkaloid  më shumë sesa duhet
Në rast se fëmija juaj merr sasi më të mëdha të Paracetamol Alkaloid-it  sesa që preferohet, duhet të kontaktoni sa më parë me mjekun tuaj ose farmacistin.
Me vete duhet të keni edhe barin ose paketimin e barit, në mënyrë që mjeku ta dijë sa çfarë keni marrë. Ai do ti përcaktojë masat që duhet të ndërmerren, në vartësi nga ashpërsia e intoksikimit/mbidozimit.

Nëse keni harruar ta merrni Paracetamol Alkaloid -in
Mos e dyfishoni dozën.
Nëse keni harruar që fëmijës ti jepni këtë bar, jepjani sa më parë që ju kujtohet. Nëse është koha për aplikimin e radhës, vazhdoni sipas orarit, ashtu si është përshkruar nga mjeku juaj.

Nëse e ndërpreni trajtimin me Paracetamol Alkaloid -it
Barin merreni sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mos e ndërpreni marrjen e barit edhe nëse ndjeheni më mirë.
Në rast të ndërprerjes mund të rikthehen simptomat e sëmundjes tuaj.
Nëse keni ndonjë pyetje tjetër lidhur me këtë bar, pyeteni mjekun tuaj ose farmacistin.

4.  EFEKTET ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat tjera, edhe Paracetamol Alkaloid-i  mund të ketë efekte të padëshiruara, por nuk do të thotë se këto do ti ketë secili pacient.

Nëse fëmija juaj ka ndonjë reaksion alergjik në këtë bar, menjëherë duhet ta dërgoni te mjeku.

Reaksioni alergjik mund të ketë:
- Frymëzënie momentale, shtërngime në gjoks ose kolaps i cili mund të përcillet me skuqje dhe urtikarie të lëkurës;
- Enjtje e fytyrës, gjuhës dhe fytit;
- Skuqje, pezmatim i buzëve dhe gojës, enjtje e fytyrës, ethe.

Nëse fëmija juaj do të ketë ndonjerin nga efektet e padëshiruara në vijim ndërprejeni administrimin e barit dhe menjëherë lajmërojeni mjekun tuaj:
- Mavijosje të pazakonshme, pezmatim të fytit dhe shenja tjera të infeksionit (këto mund të jenë shenja të sëmundjes së gjakut);
- Zënie e frymës te pacientët alergjik në apsirinë ose në barnat e tjera antiinflamatore josteroide;
- Dëmtime të mëlçisë;
Këto janë efekte të padëshiruara shumë të rralla te personat që marrin paracetamol.

Ju lutemi që të konsultoheni me mjekun tuaj ose me farmacistin nëse do të keni ndonjerin nga këto efekte të padëshiruara, ose ndonjë i cili nuk është shënuar në këtë fletëudhëzim.

 5. RUAJTJA DHE AFATI I PËRDORIMIT
Fëmijët të mos kenë arritje në këtë bar!
Ky bar nuk kërkon kushte të veçanta për ruajtje.

Afati i përdorimit
Të mos përdoretet pas kalimit të afatit të përdorimit të shtypur në pako.

Mënyra e marrjes së këtij bari
Ky bar merret vetëm me recetë të mjekut.

Masat speciale të shkatërrimit të barit të papërdorur
Barnat nuk duhet të hidhen në vende të papërshtatshme.
Pyeteni farmacistin për shkatërrimin e barnave të cilat nuk ju nevojiten.
Kjo masë do të ndihmojë në ruajtjen e ambientit.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive