Friday, October 21, 2016

Anemia

Funksioni i parë i gjakut, identifikimi i tij, është transporti i oksigjenit. Anemia, vjen nga Greqishtja (Αναιμία, dhe do të thotë "pa gjak", duke ju referuar defiçitit të eritrociteve me pasojë dhe ulje të Hb (që gjendet vetëm brënda eritrociteve) me pasojë zbehje dhe lodhje.

Megjithëse nga ana fispatologjike anemia përkufizohet si pakësim i masës totale të eritrociteve në qarkullim, ajo nga ana funksionale përkufizohet si pakësim i kapacitetit transportues të gjakut (Hb që gjendet vetëm brënda eritrocitit) për O2 dhe për pasojë si hipoksia indore.
Kapaciteti transportues i gjakut për oksigjenin zvogëlohet nga pakësimi i sasisë së Hb (si transportuesja e drejtëpërdrejtë e oksigjenit), me apo pa pakësim të numërit të eritrociteve qarkulluese. Të gjitha qelizat humane varen nga oksigjeni për të jetuar, shkallë të ndryshme të anemisë (të mungesës së Hb) do të kenë shkallë të ndryshme pasojash klinike dhe kjo do të përcaktohet nga shpejtësia e instalimit të anemisë, grada e saj, mosha e pacientit dhe kurba e diacimit të Hb nga oksigjeni – siç do të shohim më poshtë).
Anemia duhet të dallohet nga hipoksemia (pakësimi i presionit parcial të oksigjenit në gjak), megjithëse të dyja gjëndjet shkaktojnë hipoksi indore.
Duhet të kemi parasysh se është pigmenti i hekurit (Fe) që siguron ngjyrën e kuqe të Hb, në këtë mënyrë të eritoriceteve dhe për pasojë të vetë gjakut, meqënëse eritrocitet përbëjnë numërin më të madh te elementeve të figuruar të gjakut (pjesa e mbetur e gjakut pa eritrocite nuk ka ngjyrë të kuqe).
Kur pakësohet vlera e Hb, e shoqëruar ose jo me pakësim të numërit të eritrociteve, do të ketë dhe pakësim të ngjyrës së gjakut, për pasojë dhe të lëkurës dhe mukozave (zbehja), prandaj dhe përdorimi i termit anemi nuk është dhe aq i pallogjikshëm. Por nuk ka mungesë të gjakut (volumi total i gjakut ngelet i njëjtë, veçse do të pakësohet volumi i eritrociteve (hematokriti eritrocitar) dhe do të shtohet ai i plazmës, ndërsa volumi i dy serive të tjera është i pandjeshëm). Më e saktë do të ishte pa ngjyrë (an – jo, hemi – pigmenti që i jep ngjyrën eritrocitit dhe të gjithë gjakut, ose akromia por sidoqoftë nuk ka mungesë totale të ngjyrës, të Hb pra flitet për hipokromia) sepse ka një kuptim për faktin se eritrocitet i japin ngjyrë gjakut.
Pra, po pati pakësim të Hb (dhe/ose RBC) do të ketë pakësim të ngjyrës së gjakut me pasojë dhe të lëkurës dhe mukozave (ngjyra e lëkurës dhe e mukozave përcaktohet nga saisa e Hb, numëri i vazave të gjakut të nënlëkurës dhe mukozave të zonës meqënëse epiderma dhe epiteli nuk kanë vetë vaza gjaku, pra janë të tejdukshme, trashësia e lëkurës, vlera e bilurubinës, karotenit, lipideve qarkulluese). Kjo nuk ndodh po u ulën apo u rritën dy seritë e tjera.
Termi më i saktë për të përshkruar pakësimin e numërit të eritrociteve (me pasojë dhe vlerën e Hb) është eritropenia.
Termi 'anemi' i përdorur në mjekësinë klinike i referohet reduktimit poshtë vlerave normale të pranuara të Hb (sipas moshës dhe seksit të personit) me ose pa ulje të numërit absolut të eritrociteve. Me termin anemi përkufizohet pakësimi i sasisë totale të Hb, kundrejt vlerave normale fiziologjike. Pakësimi i Hb, me ose pakësimin e numërit absolut të eritrociteve, çon në shfaqen e simptomave dhe shënjave të anemisë.
Nga ana sasiore anemia është pakësimi me 20 % i vlerave respektive të referimit (për Hb) pra më pak se 12 g% (gr/dL) tek gratë dhe 13% (gr/dL) tek burrat.
Preferohet Hb më tepër se numëri i RBC sepse ekzistojnë anemi hipokrome mikrocitare (Anemia Ferriprive, Sindromet Thalassemike etj) ku numëri i eritrociteve është normal ose dhe mbi kufijtë e normës (talasemia).
Në praktikën e përditshëm në vënd të metodës më pak të zakonshme dhe më të shtrenjtë dhe të zgjatur të matjes direkte të masës eritrocitare që do të ishte më e sakta përdoren:
  • Përqëndrimit të Hb.
  • Vlerat e Hematokritit (Hct).
  • Numri i eritrociteve.
Këto parametra shpjegohen si numra në g/dl, % dhe mm3 dhe paraqesin eritrocitet në krahasim me plazmën (mjedisin e lëngshëm ku ato ndodhen).
Kështu që kur vlerësojmë aneminë, duhet të vlerësohet dhe volumi plazmatik (nëse është i rritur me pasojë hemodiluimin e elementeve të figuruar të gjakut, apo është i pakësuar me pasojë një rritje jo reale e numërit të elementeve të figuruar të gjakut. Në këto raste vlerësimi duhet bërë pas korigjimit të volumit plazmatik, apo pas një farë kohe.
Në vlerat normale të të tre parametrave ndikojnë një sërë faktorësh të rëndësishëm si seksi, mosha, raca, lartësia e vëndit ku jetojnë.
Regullimi i Hematopoezës
Kërkohet një ekuilibër dinamik i përsosur midis vdekjes së kontrolluar qelizore (apoptoza e qelizave të vjetëruara apo me ndyshime strukturore) dhe prodhimit të kontrolluar qelizor.
Funksioni bazë i eritrociteve është krijimi dhe mbajtja e një mjedisi sa më të shëndetshëm për integritetin fizik dhe funksional të hemoglobinës.
Eritrociti është qeliza më e thjeshtë në organizëm, por me një specializim shumë të lartë (e destinuar të vdesi pas mbarimit të funksionit të saj). Është një qelizë e sakrifikueshme për të siguruar strukturën dhe funksionin e transportuesit kryesor të oksigjenit në organizëm, Hb. Pas flakjes së bërthamës (nuk do të ketë ADN dhe ARN), nuk mund të quhet një qelizë e mirëfilltë, pavarësisht se këtë e bën për një detyrë madhore për të siguruar sa më shumë hapësirë për Hb. Ajo gjithashtu nuk ka organoidet më të rëndësishme për rigjenerimin e strukturave të dëmtuara gjatë ekzistencës së vetë (ribozomet për sintezën e proteinave, enzimave), nuk ka mitokondrie të domosdoshme për sintezën e energjisë me anë të Ciklit të Krebsit dhe Fosforilimit Oksidativ, por e siguron energjinë nga një rrugë jo shumë efektive siç është glikoliza anaerobe (citoplazmë) kur vetë transporton oksigjenin dhe ketë e bën që të sigurojë sa më shumë oksigjen për indet e tjera. Merr një formë që të sigurojë sipërfaqen më të madhe për një volum të caktuar dhe që kërkon energji të vazhdueshme, e siguron energjinë e nevojshme nga rrugë jo shumë efektive siç është glikoliza anaerobe e realizuar në citoplazmë, ka një rrugë unike siç është prodhimi i 2,3DPG që në vetevete konsumon më tepër energji, do të kalojë shumë herë në ditë në mikroqarkullim (stres mekanik dhe hipoksik), çdo 20 sekonda bën një qarkullim në të gjithë trupin (170.000 kalime) dhe të gjitha këto për 120 ditë (4 muaj).
Volumi total i gjakut është shuma e volumit plazmatik + masën eritrocitare (RCM-Red cell mass). TCRV-total red cell volume ose RCM, matet me Cr ose Tc radioaktiv dhe vlerat normale tek meshkujt janë 25-35 ml/kg dhe tek femrat 22-32 ml/kg. Volumi plazmatik është 40-50 ml/kg (2.25 litra volum qelizor në të gjithë sasinë e gjakut qarkullues ose 2250 ml : 70 kg ≈ 32 ml/kg).
Gjaku është ind lidhor special i lëngshëm. Lëngu, është uji i plazmës. Pra përdoren për gjakun të gjitha ligjet e hidrodinamikës (në rastin e gjakut si ind i lëngsfëm flitet per hemodinamikë). Flitet për eritrocite, leukocite, trombocite, lipide, proteina qarkulluese etj, sepse ato janë në qarkullimi të vazhdueshëm brënda një sistemi të mbyllur tubash dhe një pompe që e shtynë vazhdimisht në manyrë autonome). Nga mesatarisht 5 litra gjak, vetëm 2.25 litra (45 %) janë qelizat. Pjesa tjetër është plazma, që në vetvete ka 93 % ujë dhe 7 % substance solide (shumica proteina ku më kryesoret janë albumina, fibrinogjeni, por dhe lipide, elektrolitë, sheqer etj). Nga 2.25 litra qeliza vetëm 0.037 litra (1.6%) janë leukocite dhe më pak se 0.0065 litra (një lugë çaji) është volumi i të gjithë trombociteve aktualë qarkullues.
Diametri i eritrociteve është 6-8 Mm (mesatarisht 7.5 Mm).
  1. Me përmasa normale quhen normocite.
  2. Kur përmasat janë < 6 mikrometër quhen mikrocite (qeliza të vogla).
  3. Kur përmasat janë > 9 mikrometër quhen makrocitete (të mëdha).
  4. Kur përmasat janë > 12 mikrometër quhen megalocite.
Përsa i përket ngjyrës, eritrocitet janë normokrome, hipokrome, por jo hiperkrome përderisa një eritrocit normokrom do të thotë se ai është i mbushur në kapacitetin maksimal të tij për madhësinë që ka.
Për shkak të numërit të madh të eritrociteve që prodhohen çdo ditë nga PKK, kërkohen shumë prekursorë për sintezën e qelizave të reja dhe të sasive të mëdha të Hb dhe faktorë stimulues. Këto substanca janë:
  1. Metalet; hekur, manganez dhe kobalt.
  2. Vitamina; Vitamina B12, Acidi Folik, Vitamina B6, Vitamina C, Vitamina B1, Vitamina B2, Vitamina E luan një rol të rëndësishëm në sintezën e membranës plazmatike të eritrociteve dhe në rast mungese të saj mund të shkatohet anemi hemolitike.
  3. Aminoacide.
  4. Substanca rregullatore; Eritropoetina, Faktorët e rritjes {IL-3, GM-CSF, stem cell factor (SCF)}, androgjenët, glukokortikoidët, Tiroksina.
Për të siguruar prodhimin e eritrociteve (dhe të çdo qelize apo produkti) duhet lënda e parë dhe faktorët ndihmës frenues dhe nxitës, sipas informacionit gjenetik, por nëse për nevoja mjekuese apo patologji do të duhet të pakësosh ose të pengosh këto elemente dhe faktorë dhe do të ketë pakësim prodhimit të qelizave (mungesa e hekurit, vitaminave apo largimi jatrogjenik i hekurit me anë të proçedurës të salasos do të shoqërohet me pakësim të prodhimit në PKK të eritrociteve).
Një kujtesë për mjekët në kërkesën për të bërë analizën e gjakut periferik. Analiza e plotë e gjakut periferik (hemograma) është:
Gjak komplet + trombocit + retikulocit
Këtu përfshihen:
1.GJAKU KOMPLET
  • a) Seria e kuqe (eritrocitare)
    • Eritrocitet (RBC).
    • Hemoglobina.
    • Konstantet eritrocitare (MCV, MCH, MCHC) kur hemograma bëhet me aparat.
    • Hematokriti.
    • Përshkrimi i serisë së kuqe (ngjyra, madhësia, forma e eritrociteve, granulacione).
    • Retikulociti.
  • b) Seria e bardhë (leukocitare)
    • Leukocitet (WBC).
    • Formula Leukocitare.
    • Përshkrimi i serisë së bardhë (forma, përmasat, granulacionet).
  • c) Sedimenti (Shpejtësia e precipitimit të eritrociteve )
2. SERIA TROMBOCITARE
  • Trombocitet (Plt).
  • Përshkrimi i serisë trombocitare (përmasat, granulat).
  • Këtu mund të kërkohen dhe:
    • a) Koha e hemoragjisë (që vlerëson hemostazën primare pra numërin, morfologjinë, funksionin e trombociteve dhe elasticitetin e vazave të gjakut).
    • b) Koha e koagulimit (që vlerëson koagulimin, pra faktorët e koagulimit).
Nëse shënohet 'Gjak komplet + formulë', pacientit nuk i bëhen trombocitet dhe retikulocitet. Pra kjo mënyrë e të shkruarit për analizën e gjakut përiferik është e parregullt (formula leukocitare përfshihet brënda gjakut komplet).
Të paktën, kur analiza e gjakut periferik kërkohet për herë të parë, të kërkohet në mënyrë të rregullt (gjak komplet + trombocit + retikulocit).
Nëse analiza nuk është e plotë, shpeshherë hematologu është i detyruar ta dërgojë pacientin përsëri për të bërë analizën e gjakut (me kosto për pacientin dhe laboratorin).
DISA TE DHENA PER SERINE E KUQE
  1. Hb (gr/dl): 13.5-17.5 (M) dhe 12-15.5 (F).
  2. Hematokriti (Ht ose PCV në %): 42-52 tek meshkujt dhe 35-45 tek femrat.
  3. Numëri i eritrociteve (RBC, në million/mm3 ose μl): 4.5-6.5 (M) dhe 4-5.6 (F).
  4. Retikulocitet, vlera normale është 0-20 (0-25) ‰ ose 0-2 (0-2.5) %.
Hematokriti (Ht) ose Volume of Packed Red Cells (VPRC)
Volumi që zënë eritrocitet në përqindje (ose volumi në ml që zënë eritrocitet në 100 ml gjak) kundrejt volumit total të gjakut, quhet hematokrit (i serisë së kuqe). Pra në një volum të dhënë gjaku eritrocitet zënë deri në 45-50% të sasisë së gjakut dhe pjesën tjetër e zë plazma dhe elemtentet e tjera të figuruara te gjakut.
Pavarësisht se kur themi hematokrit kuptojmë gjithmonë volumin e RBC në njësinë e gjakut apo të të gjithë gjakut, kjo fjalë vlen dhe seritë e tjera (leukocrit dhe plateletcrit), por volumi i tyre në njësinë e gjakut të marrë për ekzaminim apo në të gjithë gjakun, krahasuar me volumin e RBC dhe volumin plazmatik është shumë i vogël. Përsa i përket funksioneve secila pjesë e gjakut ka funksione specifike, që nuk kanë lidhje me madhësinë, numërin, volumin, formën e përbërsve normal të gjakut.
Ulja dhe rritja e Ht është i lidhur drejtëpërdrejtë me numërin (volumin e eritrociteve), por nuk ka këtë lidhje me Hb (tek Anemitë Normocitare Hipokrome, eritrocitet dhe Ht janë normal, por Hb është më e ulët).
  1. Hematokriti tek meshkujt në nivelin e detit është 47 (42-52) % ose ml/100ml.
  2. Hematokriti tek femrat në nivelin e detit është 40 (35-45) % ose ml/100ml.
Në pozicionin shtrirë, tek një person normal, hematokriti bie mesatarisht 7% (4-10%) për 1 orë kur qëndron në pozicionin shtrirë, ndërsa kur ngrihet në këmbë Ht ngrihet me të njëjtat vlera për 15'. Këto ndryshime lidhen me alterimet e volumit të plazmës, ndërsa likidet lëvizin midis volumit qarkullues dhe hapësirës ekstravaskulare si rezultat i forcave hidrostatike.
Eritrosedimenti (ESR)
Me eritrosediment do të kuptojmë shpejtësinë e precipitimit të eritrociteve në një tub me diametër 1 mm të vendosur pingul, për një orë (mm/h). Norma 1-20 mm/h. Ndikohet nga numri i eritrociteve, seksi, mosha, proteinat plazmatike. Formula për moshën :

Duhet theksuar se kur matim Hb, vlerësojmë sasinë e Hb që gjëndet në brëndësi të RBC (një sasi e papërfillshme gjëndet në plazmë nga hemoliza intravaskulare fiziologjike) në 1 dl. Pra kur themi se Hb është 15 gr/dl duhet të mendojmë se në një dl (ose në 100000 mm3), pra normalisht në 5.000.000 x 100000 RBC (1 dl ka 100 ml ose 100 cm3, ose 100000 mm3) ka 15 gr Hb. Kjo do të thotë se në një RBC ka (normalisht) mesatarisht 15/500000000000 ose 0.00000000003 (30 x 10-9) gr Hb, pra do të dali në vlerat e 27-34 pg Hb (PEMH ose MCH).
Çdo RBC ka 640 milion molekula Hb. Çdo gr Hb lidh 1.34 ml oksigjen.
Çdo ditë tek një adult prodhohen rreth 200 miliardë RBC dhe po kaq eleminohen me apoptozë në SFMN (kryesisht në shpretkë). Eritrociti ka një jetëgjatësi prej 120 ditësh, pra vetëm 0.8 % e RBC shkatërrohen dhe zëvëndësohen çdo ditë (an erythrocyte has a lifespan of 120 days so that 0.8% of red blood cells are destroyed and replaced each day).
Indeksi i Ngjyrimit (IN) ose Vlera Globulare e Hb është raporti midis sasisë aktuale të Hb dhe numrit të eritrociteve të shumëzuar me 3 (vlera e Hb që duhet të jetë për një numër të caktuar eritrocitesh). Norma është 0.9-1.1 (normokromi) dhe më pak se 0.9 flasim për hipokromi. P.sh nëse numëri i eritrociteve është 4000000 mm3 dhe Hb është 12 gr/dl do të kishim; 4 x 3 = 12 që po të pjesëtohej më 12 raporti do të dilte 1 (normokromi). Nëse Hb do të ishte 10 gr/dl do të kishim; 10 : 4 x 3 = 10 : 12 = 0.83 (hipokromi).
Konstantet eritrocitare (të llogaritura ose të nxjerra nga analiza e gjakut periferik të bërë me aparat)
  1. Volumi Eritrocitar Mesatar (VEM ose MCV) është raporti Ht x 10: numërin e eritrociteve. Vlera normale 85-95 (fl ose µm³). Në këto raste flasim për normocitozë, më pak mikrocitozë, më shumë makrocitozë. Volumi i qelizave matet me µm³ ose fl.
  2. Përmbajtja Eritrocitare Mesatare në Hb (PEMH ose MCH) është raporti i Hb x10 : numërin e eritrociteve. Norma 27-34 pg. Në këto raste flasim për normokromi dhe poshtë kësaj vlere për hipokromi.
  3. Koncentrimi Eritrocitar Mesatar në Hb (KEMH ose MCHC) është raporti Hb : Ht x 100. Vlera normale 30-35 gr/dl. Në këto raste flasim për normokromi dhe poshtë kësaj vlere për hipokromi.
  • MCV-volumi mesatar i eritrociteve. MCV ≤ 80 fl tregon për mikrocitozë.
  • MCH-sasia mesatare e Hb, që gjëndet në secilën qelizë.
  • MCHC-përqëndrimi i Hb në një eritrocit "mesatar". MCHC ≤ 31 gr/dl dhe MCH ≤ 27 pg tregojnë për hipokromi.
MCV është treguesi kryesor. MCV zvogëlohet pas një muaji ose më shumë, nga koha e daljes së mikrociteve të para në gjakun periferik. Për këtë periudhë (të paktën 1 muaj) numëri i mikrociteve do të jetë i mjaftueshëm për të shkaktuar uljen e MCV.
Raporti MCV/RBC < 13 tregon për Talassemia Minor, ndërsa kur ky raport është > 13 tregon për Anemia Ferriprive.
MCH dhe MCHC kanë më tepër vlera studimore. Të dyja korelojnë me njëra tjetrën, por MCHC është më pak e përdorshme sepse zakonisht qëndron normale kur MCV dhe MCH ulen. MCHC gjendet më tepër e ulur tek defiçiti i hekurit dhe më rrallë tek patollogjite e tjera hipokrome. MCHC shumë e ulur tregon për një stad të avancuar të sëmundjes.
HDW (Hb Distribution Width) dhe vlerëson anizokrominë (variacionet e ngjyrës: normale, pakësim i lehtë, moderuar, mesatar dhe i thellë ose/dhe "hiperkrominë").
Disa aparate tregojnë dhe grafikë, për të vlerësuar MCV, variacionin e saj dhe praninë e popullatave të qelizave bimodale. Kur do të interpretohet analiza e gjakut periferik i bërë me CC të shikohen me kujdes dhe grafikët, sidomos kur nuk është bërë seria e kuqe. Histogrami tregon shpërndarjen e RCV (MCV), pra shpërndarjen e eritrociteve sipas madhësisë.
RDW (Red Cell Distribution Width) vlerëson anizocitozën . RDW 11-16% (13.4 ± 1.2%). RDW bëhet anormale (rritet) në aneminë ferriprive më shpejt se të gjithë parametrat e tjerë të qelizave të gjakut. Rritja e RDW sygjeron për defiçit të hershëm nutricional, sidomos për hekurin. RDW është treguesi i parë i defiçitit të hekurit. Në aneminë ferriprive vlerat janë 16.3 ± 1.8% kurse në talaseminë minore (α ose β) është 13.6 ± 1.6%.
Një klasifikim i anemive bëhet në bazë të MCV, RDW, HDW dhe histogrameve të eritrociteve.
Duhet të kemi parasysh se normalisht eritrocitet janë normokrome, normocitare, pra ka vënd rregulla e treshit (ka vlerë për ngjyrën, krominë). Çdo devijim nga madhësia, ngjyra, forma tregon një patologji. Nëse e aplikojmë rregullën e treshit, sidomos për aneminë hipokrome (ku normalisht nuk duhet të përdoret) e bëjmë duke e krahasuar nëse RBC do të kishin ngjyrë normale (normokrome).
Rregulla e treshit:
  • RBC x 3 = HGB
  • HGB x 3 = HCT (RBC x 9)
  • HCT x 3 = MCV
Ka vlerë për eritrocite normokrome, normocitare.
Vlerat normale të Hb:
Grua:12.1 to 15.1 (16.0) g/dl
Burrë:13.8 to 17.2 g/dl
Fëmijë:11 to 16 g/dl
Shtatëzane:11 to 12 g/dl
Vlerat normale të Ht sipas seksit dhe moshës:
Porsalindur:42 - 60%
Femijë:35 - 45%
Mashkull adult:41 - 53%
Femer adulte:36 - 46%
Cilat janë kriteret e anemisë?
  • RBC < 4 milion/mm3 (F) dhe 4.5 milion/mm3 (M).
  • Hb < 12, [11.8 (11.5)] gr/dl (F) dhe < 13 gr/dl (M).
  • Ht < 37 % (F) dhe 40 % (M).
Klasifikimi i Anemive
Anemitë mund të klasifikohen sipas :
  1. Skemave Citometrike (pra që mbështetet në përmasat e RBC dhe parametrave të përmbajtjes së Hb, MCV, MCH, MCHC).
  2. Sipas Mekanizmit (pakësim prodhimi, rritje e humbjes së gjakut, shkatërrim i shtuar të RBC).
  3. Skemave Erythrokinetic, që mbështetet në shkallën e prodhimit dhe të shkatërrimit të RBC.
  4. Skemave Biokimike/molekulare pra që vlerësojnë etiologjinë e anemisë në nivel molekular.
Klasifikimi Morfologjik (Citometrik) i Anemisë
Klasifikimi morfologjik i anemisë ishte rezultat natyral i vlerësimeve të gjakut nëpërmjet observimit laboratorik. Është provuar që ka një vlerë të rëndësishme klinike.
Matja e parametrave citometrik është më e lehtë dhe më pak e kushtueshme se parametrat e tjera dhe e bën këtë klasifikimin më të përdorshëm në praktikë.
  1. Anemia Hipokrome Mikrocitare: MCV < 80 fl, MCH < 27pg, (anemia sideropenike, sideroblastike (akumulim i Fe në mitokondriet e Eritroblasteve) dhe Talasemitë
  2. Anemia Normokrome Normocitare: MCV 80 - 94 fl, MCH 29,5 +- 2,5 pg (Sferocitosi Hereditare, PNH, AA, AH, mieloftizis (mielosostituzione), ACD).
  3. Anemia Makrocitare: MCV > di 94 fl, MCH > 32 pg (Anemia nga defiçiti i Vit.B12 dhe Ac.Folik, nga alkooli, hepatopati kronike, hipotiroidizmi).
Klasifikimi sipas mekanizmit
  1. Humbje akute apo kronike e gjakut.
  2. Shkatërrim i shtuar i RBC.
  3. Pakësim i prodhimit të RBC.
Klasifikimi Eritrokinetik
Klasifikimi në bazë të shkallës së turnoverit të RBC. Nëse është e lartë flitet për anemi normoregjenerative (hemoliza, hemoragji), ku PKK përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj anemisë me shtimin e prodhimit të eritrociteve dhe hedhjen e e tyre në gjak në faza prematuriteti (retikulocite deri dhe normoblaste). Një sërë testesh laboratorike përdoren si numëri i retikulociteve (disa laboratorë raportojnë numërin absolute të retikulociteve) dhe jo në përqindje në krahasim me numërin e RBC, testet e hemolizës, LDH etj.
Klasifikimi Biokimik
Hematologu gjithmonë përpiqet të përcaktojë shkakun e anemisë nëse është e mundur. Në disa raste është e lehtë, në disa raste jo. Në rastin e fundit përdoren një sërë testesh biokimike ndihmojnë për të kuptuar mekanizmin e sëmundjes. Të tilla janë (sideremia, ferrtinemia, vitamin B12 në serum, folemia, DCT, G6PDH.
Anemia është sëmundja më e shpeshtë hematologjike. Tradicionalisht vlera klinike e anemisë është nënvlerësuar (nuk ka dhimbje, por lodhjen si simptomin kryesor që nuk është shumë specifike dhe e mprehtë si dhimbja).
Nga ana tjetër, e patrajtuar ka pasoja serioze. Ajo shoqërohet me rritje të mortalitetit dhe morbiditetit si dhe me ulje të kualitetit të jetës.
Zbulimi i shkakut të anemisë, në disa raste është me i rëndësishëm se dhe vetë mjekimi i anemisë (anemi nga mungesa e hekurit me shkak p.sh, një kancer stomaku).
Po kështu mos trajtimi i anemisë ka pasoja në kostot e kujdesit shëndetësor dhe me ulje të produktivitetit në punë. Pra anemia duhet zbuluar dhe trajtuar shpejt. Duhet të përpiqemi të gjejmë shkakun dhe ta eleminojmë.
Klinika e Sindromit Anemik
Prania ose mungesa e shënjave klinike të anemisë përcaktohen nga 4 faktorë:
  1. Shpejtësia e instalimit të anemisë. Një anemi e instaluar (post hemoragjike akute, krizë hemolitike) shpejt ka më shumë shenja se sa kur instalohet gradualisht sepse në rastin e fundit sistemi kardiovaskular ka më shumë kohë për tu përshtatur.
  2. Shkalla e anemisë. Sa më e thellë të jetë anemia aq më të theksuara janë shënjat. Shenjat e anemisë shfaqen kur Hb është më pak se 9-10gr/dl. Por ka raste që pakësimi i Hb të jetë e theksuar dhe përsëri të mos ketë shënja ose të jenë shumë të pakta nëse ajo është instaluar gradualsht dhe personi ka qëne i shëndetshëm dhe në moshë të re. Në bazë të Hb anemia ndahet në anemi e gradës së (I) lehtë 11.5 (11.8 ose 12) -9 gr/dl: anemi e mesme (grada e II) ose e moderuar 9-7 gr/dl dhe anemi e thellë (grada e III) kur Hb është më pak se 7 gr/dl. Një referencë tjetër : Grada e tretë e anemisë 6.5-8 gr/dl dhe grada e katërt < 6.5 gr/dl.
  3. Mosha dhe gjëndja e përgjithshme e pacientit. Moshat e vjetra e suportojnë aneminë më vështirë se sa mosha e re dhe kjo lidhet me sistemin kardiovvaskular dhe kurbën e disocimit të Hb nga O2.
  4. Kurba e disocimit të Hb nga O2. Anemia në përgjithësi shoqërohet me zhvendosje të kurbës djathtas, pra e ka më të lehtë për të çliruar O2 nga Hb tek indet. Në rast se do të pengohet kalimi i O2 (disocimi i O2 nga Hb) atëhere do të kemi shënja më të theksuara të anemisë.
Simptomat. Dobësi, lodhje, këputje, më të theksuar në sforcimet fizike, palpitacione, vështirësi në frymëmarje, dhimbje koke (në pjesën e pasme të saj), miza para syve, zhurmë në vesh. Tek moshat e vjetra dhe kur instalohet shpejt mund të shfaqen dhe simptomat e angina pektoris etj.
Shënjat. Këto ndahen në shënja të përgjithshme dhe specifike.
Shënjat e përgjithshmepërfshijnë zbehjen e lekurës dhe të mukozave (të cilat shfaqen kur Hb është më pak se 9-10 gr/dl). Për të vlerësuar zbehjen duhet patur parasysh jo vetëm vlera e Hb por dhe volumi plazmatik, sasia e bilirubinës, sasia e vazave të gjakut në lëkure, trashësia e lëkurës. Anemia duket më mirë në membranat mukoze (buzët, goja, faringu, konjuktivat), llapa e veshit, nailbeds, shuplakat e duarve dhe në shputat e këmbëve (kur Hb < 7 gr/dl). Kur vlerësojmë ngjyrën e duarve të ngrohen fillimisht dhe të mbahen në nivelin e zëmrës.
Në rastet kur anemia instalohet shpejt dhe është e thellë mund të kemi takikardi, puls të shpejtë dhe goditës, tone të forta në zemër, zhurmë sistolike, kardiomegali.
Shënjat specifike janë në vartësi të tipit të anemisë p.sh tek anemia nga mungesa e Fe kemi rënien e flokëve, gjuha e shkëlqyer dhe e lëmuar, çarje të këndëve të buzëve, thonjtë të thyeshëm, të rafshët ose në formë të govatës (nga mungesa e hekurit). Në rastin e anemise hemolitike do të ketw ikter nga shtimi i bilirubinës indirekte. Në rastin e anemive kongenitale hemolitike do të ketw deformime të kockave, etj. Në sëmundje të tjera anemia mund të shoqërohet me neutropeni (infeksione), trombocitopeni (fenomene të shumta hemoragjike).
Në anemi të thellë mund të ketë një rritje të lehtë të temperaturës. Me përjashtim të episodeve hemolitike akute, një temperaturë > 38.3°C (101°F) duhet kërkuar për një infeksion, LM apo një sëmundje tjetër.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive