Sunday, October 23, 2016

Katarakti , Perdja e Syrit

Katarakti është mjegullim i thjerrëzës së syrit që pengon të shikuarit e pastër me anë të syrit. Shumica e rasteve të katarakt janë të lidhura me moshën. Kataraktet janë shumë të shpeshta te njerëzit në moshë të shtyrë. Më shumë se gjysma e popullatës mbi moshën 65 vjeçare kanë katarakt (studimet amerikane). Katarakti mund të paraqitet në njërin ose në të dy sytë. Ai nuk mund të shpërndahet nga njëri te syri tjetër.

Shkaktarët dhe faktorët e rrezikut te kataraktet

Çfarë i shkakton kataraktet?

Thjerrëza qëndron prapa irisit dhe bebëzës së syrit. Ajo funksionon pak a shumë si thjerrëza e kamerës. Ajo fokuson dritën në retinë, që gjendet në pjesën e pasme të syrit, ku regjistrohen pamjet që ne i shohim. Thjerrëza po ashtu rregullon fokusin e syrit, duke na lejuar të shohim gjërat më qartë si afër ashtu edhe larg. Thjerrëza është e përbërë kryesisht prej ujit dhe proteinave. Proteinat janë të renditura në një mënyrë precize ashtu që ta mbajnë thjerrëzën që kthjellët dhe të lejojnë kalimin e dritës nëpër të.

Por me kalimin e moshës, disa proteina mund të grumbullohen dhe të fillojnë ta bëjnë të turbullt një zonë të vogël të thjerrëzës. Kjo paraqiten kataraktin. Me kalimin e kohës, katarakti mund të bëhet më i përhapur dhe mund ta mjegullojë më shumë thjerrëzën, duke e bërë shikimin edhe më të vështirë.

Shkencëtarët dyshojnë se ka disa shkaktarë që kontribuojnë në paraqitjen e kataraktit, si duhani dhe diabeti. Ose, kjo mund të ndodhë për shkak se proteinat në thjerrëz ndryshojnë formën nga konsumimi ose dëmtimi me kalimin e viteve.

Si mund ta dëmtojë katarakti shikimin?

1. Kataraktet e lidhura me moshën mund ta dëmtojnë shikimin tuaj në dy mënyra:

Grumbullimi i proteinave ul qartësinë e pamjeve që arrijnë te retina juaj.
Thjerrëza përbëhet kryesisht prej ujit dhe proteinave. Kur proteinat grumbullohen, ato e mjegullojnë thjerrëzën dhe ulin dritën që arrin në retinë. Mjegullimi mund të bëhet aq i shprehur sa të shkaktojë pamje të turbullt. Shumica e katarakteve të lidhura me moshën paraqiten pikërisht për shkak të grumbullimit të proteinave.

Kur katarakti është e vogël, mjegullimi prek vetëm një pjesë të vogël të thjerrëzës. Ju mund të mos vëreni asnjë ndryshim në pamjen tuaj. Kataraktet tentojnë të ‘zhvillohen’ ngadalë, ashtu që shikimi përkeqësohet gradualisht. Me kalimin e kohës, zonat e mjegulluara të thjerrëzës mund të bëhen më të mëdha, dhe katarakti mund të rritet në madhësi. Si pasojë shikimi mund të bëhet edhe më i vështirë. Pamjet që ju shikoni mund të bëhen më të zbehta ose turbullta.

2. Thjerrëza e tejdukshme ngadalë ndryshon duke marrë ngjyrë më të verdhë/kafe, që e bën më të errët shikimin tuaj,

Derisa thjerrëza juaj ngjyroset ngadalë me kalimin e viteve, shikimi juaj gradualisht mund të marrë një hije ngjyrë kafe. Fillimisht, sasia e nuancës mund të jetë e vogël dhe mund të mos shkaktojë probleme në shikim. Me kalimin e kohës, rritja e nuancës mund ta bëjë më të vështirë të lexoni dhe t’i kryeni aktivitetet tjera rutinë. Ky ndryshim gradual në nuancë nuk ndikon në qartësinë e pamjeve të transmetuara në retinë.

Nëse ju keni ndryshim më të shprehur të ngjyrës në thjerrëzën e syrit, ju mund të mos jeni në gjendje ta identifikoni ngjyrë e kaltër dhe të purpurt. Ju mund të mendoni se keni të veshura çorapë ngjyrë të zezë, kur shokët tuaj ju thonë se në fakt keni të veshura çorap ngjyrë vjollcë të mbyllur.

Kur janë mundësitë më të mëdha për të zhvilluar kataraktin?

Termi “i lidhur me moshën” është ca mashtrues. Ju nuk duhet të jeni i moshuar për t’u prekur nga ky lloj i kataraktit. Në të vërtetë, njerëzit mund të keni katarakt të lidhur me moshën edhe në vitet e 40-ta ose 50-ta. Por gjatë moshës së mesme, shumica e katarakteve janë të vogla dhe nuk e pengojnë shikimin. Pas mohës 60 vjeçare, shumica e katarakteve pengojnë shikimin.

Kush është në rrezik të shtuar për t’u prekur nga katarakti?

Rreziku i kataraktit rritet me kalimin e viteve. Pra faktori kryesor i paraqitjes është mosha. Nga faktorët tjerë të kësaj sëmundje të syrit janë:

sëmundje të caktuara si diabeti
shprehitë personale si pirja e duhanit ose alkoolit
ambienti, si ekspozimi i tej-zgjatur në rreze të diellit.

Cilat janë simptomat e kataraktit?

Katarakti zakonisht formohet ngadalë dhe jep vetëm pak simptoma derisa fillon të bllokojë dritën në nivel sa ai bëhet i dukshëm.

Kur simptomat janë të pranishme ato përfshijnë:

Pamje e cila është e mjegullt, turbullt, e errët ose sikur shihni nëpër ndonjë cipë (pëlhurë). Prandaj, kjo sëmundje në popull quhet edhe perdja e syrit.
Shkurtpamësia progresive te të moshuarit, që shpesh e quajtur “shikim e dytë” pasi ata mund të mos kenë më nevojë për syze.
Ndryshime në mënyrën se si ju e shihni ngjyrën. Ngjyrat mund të duken më të zbehta ose sikur iu ka dalë ngjyra, pasi thjerrëza e turbullt vepron si filtër duke humbur një pjesë të ngjyrës.
Probleme në vozitje gjatë natës, kjo pasi shkëlqimi nga dritat e veturave që vijnë në drejtim të kundërt ose edhe dritat e rrugës mund të jetë shumë pengues.
Probleme me dritën gjatë ditës. Drita e diellit mund të jetë e padurueshme për syrin me katarakt.
Pamje e dyfishtë. Personi mund të shohë nga dy ose më shumë herë objektet në syrin që ka katarakt. Kjo simptomë mund të largohet me kalimin e kohës, kur katarakti bëhet më i shprehur
Ndryshime të menjëhershme në syzet e përshkruara.
Këto simptoma po ashtu mund të jenë shenjë e ndonjë problemi tjetër shëndetësor. Nëse keni ndonjërin prej këtyre shenjave, kontrolloni sytë tuaj te specialisti i syve.

A mund të parandalohen kataraktet?

Pasi shkaktari i saktë i katarakteve është i paqartë, nuk ka metoda të dëshmuara për t’i parandaluar ata. Pasi kataraktet dhe sëmundjet tjera të syrit si glaukoma janë të shpeshta në moshë të shtyrë, është e rëndësishme të bëhet kontrolli i rregullt i syve.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse ju keni faktorë të tjerë të rrezikut ose histori familjare të problemeve të syrit. Të rritur duhet të vizitojnë mjekun e syrit së paku një herë në çdo dy vite, ndërsa së paku çdo vit pas moshës 60 vjeçare.

Njerëzit me histori të problemeve të syrit ose sëmundje të tjera mjekësore të cilat mund ta rrisin rrezikun për sëmundje të syrit (si për shembull me diabet), mund të kenë nevojë për kontrolle mjekësore të syrit edhe më shpesh.

Çfarë mund të bëni për të mbrojtur shikimin?

Mbani syze të diellit dhe kapelë me rreth për të bllokuar rrezet ultravjollce të diellit të cilat mund ta ndihmojnë paraqitjen e kataraktit. Nëse pini duhan, hiqni dorë nga ku ves. Studiuesit po ashtu besojnë se ushqimi i mirë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për kataraktin e lidhur me moshë. Ata rekomandojnë të hahen perimet e gjelbra gjethore, pemët, dhe ushqimet tjera të pasura me antioksidues.

Nëse jeni rreth moshës 60 vjeçare ose mbi të, ju duhet të bëni një kontroll të hollësishëm të syve një herë në vit, ose së paku çdo dy vite. Po ashtu përveç kataraktit, specialisti i syve mund të shikojë edhe për shenja të degjenerimit makular të lidhur me moshën, glaukomës si dhe problemeve tjera të syrit. Trajtimi i hershëm i cilësdo sëmundje të syrit mund ta shpëtojë shikimin tuaj.

Si trajtohet perdja e syrit?

Simptomat e hershme të kataraktit mund të përmirësohen me syza të reja, ndriçim më të shtuar, syza kundër shkëlqimit (dritës së tepruar), ose me thjerrëza zmadhuese. Nëse këto hapa nuk ndihmojnë, operacioni është i vetmi trajtim i mundshëm. Ndërhyrja kirurgjike largon thjerrëzën e mjegullt dhe e zëvendëson atë me thjerrëz artificiale.

Perdja e syrit duhet të largohet vetëm kur shikimi dëmton kontrollin tuaj në aktivitetet e përditshme, si vozitja, leximi ose shikimi i televizorit. Ju dhe specialisti juaj i syrit mund ta merrni këtë vendim së bashku. Pasi të keni kuptuar dobitë dhe rreziqet e ndërhyrjes, ju mund ta merrni një vendim të mbështetur në informatat që keni nëse operacioni i kataraktit është i duhuri për ju. Në shumicën e rasteve, shtyrja e ndërhyrjes kirurgjike nuk do shkakton dëmtime afat-gjate të syve tuaj ose ta vështirësojë ndërhyrjen. Ju nuk duhet të nxitoni për ta bërë operacionin, nëse perdja e syrit nuk ju pengon në përditshmëri.

Ndonjëherë katarakta duhet të largohet edhe nëse nuk shkakton probleme në të shikuar. Për shembull, katarakti mund të eliminohet nëse pengon ekzaminimin ose trajtimin e ndonjë problemi tjetër të syrit, si degjenerimin makular të lidhur me moshën ose retinopatinë diabetike.

Nëse mjeku juaj specialist i syrit gjen se ju keni katarakt, ju mund mos keni nevojë për operacion të saj për disa vite. Në të vërtetë, ju mund kurrë të mos i nënshtroheni ndërhyrjes për të larguar perden e syrit. Nëse ju e kontrolloni shikimin vazhdimisht, ju dhe mjeku juaj mund ta diskutoni nëse dhe kur mund të nevojitet trajtimi.

Nëse ju zgjidhni operacionin, mjeku juaj mund t’ju këshillojë të drejtoni te ndonjë specialist për të larguar kataraktin.

Nëse ju keni katarakt në të dy sytë dhe keni nevojë për ndërhyrje, operacioni do të zhvillohet në secilin sy në kohë të ndryshme, zakonisht me dallim prej katër deri në tetë javësh nga njëri tjetri.

Shumë njerëz të cilët kanë nevojë për katarakt po ashtu kanë edhe sëmundje të tjera të syrit, si degjenerim makular ose glaukomë. Nëse keni ndonjë sëmundje tjetër përveç kataraktit, bisedoni me mjekun tuaj. Mësoni për rreziqet, dobitë, alternativat dhe çfarë rezultatesh mund të pritni nga operacioni i kataraktit
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive