Sunday, October 23, 2016

Herpes simplex

Herpes simplex është një infeksion shumë i shpeshtë virusal. Kjo sëmundje paraqitet në formë të një grupi flluskash të vogla që dalin në buzë ose rreth gojës. Lëkura rreth këtyre flluskave zakonisht është e pezmatuar (e skuqur, e ënjtur dhe e dhimbshme). Flluskat mund të hapen, dhe lëngu brenda tyre të rrjedhë dhe vendi të bëhet dregëz pas disa ditësh. Ato zakonisht shërohen nga disa ditë deri në dy javë.

Çfarë i shkakton flluskat?

Këto flluska që quhen edhe flluska ethesh, janë pezmatime të cilat shkaktohet nga infeksioni me virusin herpes simplex. Ekzistojnë dy lloje të këtij virusi, lloji 1 dhe lloji 2. Flluskat e etheve më së shumti shkaktohen nga virusi herpes simplex i llojit 1 (HSV-1) dhe ky lloj herpesi quhet edhe herpesi oral ose herpes simplex labialis (i buzëve).

Virusi herpes simplex i llojit 2, HSV-2, shkakton më së shumti herpesin gjenital. Por edhe HSV-1 e edhe HSV-2 mund të shkaktojnë të dyja llojet e herpesit, edhe atë labial ose të fytyrës, e edhe atë gjenital.

Si merret virusi herpes simplex?

Virusi herpes simplex futet në trup përmes ndonjë çarje në lëkurë rreth ose brenda gojës. Zakonisht shpërndahet kur një person bie në kontakt me flluskat e etheve të personit tjetër ose prek lëngun e infektuar, si për shembull kur personat përdorin të njëjtat enë, gota ose rruhen me të njëjtin zhilet, kur puth një person të infektuar, ose prek pështymën e atij personi. Prindi i cili ka flluska pezmatuese shpesh e shpërndan infeksionin te fëmija i tij në këtë mënyrë. Herpesi po ashtu mund të shpërndahet edhe në zona të tjera të trupit.

Cilat janë simptomat e herpesit?

Simptomat e para të herpesit labial mund të përshijnë dhimbje rreth gojës dhe buzëve, temperaturë, dhimbje në fyt, ose gjëndra të ënjtura në fytin tuaj ose pjesë të tjera të trupit. Fëmijët e vegjël ndonjëherë jargëzojnë para paraqitjes së flluskave të etheve. Pas paraqitjes të herpesit, flluskat e mbushura zakonisht shpërthejnë, lëngu rrjedh dhe pastaj vendi bëhet dregës dhe largohet pas disa ditësh ose disa javës. Te disa njerëz, pezmatimi i lëkurës mund të jetë shumë i dhimbshëm.

Disa njerëz e kanë virusin por te ata nuk paraqiten këto flluska në formë puçrrash. Ata persona nuk kanë as simptoma.

Si diagnostikohet herpesi?

Mjeku juaj mund t’ju tregojë se keni herpes duke ju bërë pyetje për të kuptuar nëse ju keni qenë në kontakt me virusin dhe duke ju ekzaminuar. Ju mund të duhet të bëni edhe disa analiza për të vërtetuar se është pikërisht kjo sëmundje ajo që supozohet.

Si trajtohet herpesi në buzë?

Pezmatimet në lëkurë zakonisht fillojnë të shërohet vetë brenda disa ditësh. Por nëse kjo shkakton dhimbje ose ju ndjeheni të turpëruar, ai mund të trajtohet. Trajtimi mund të përshijë kremra dhe pomada për lëkurë, dhe ndonjëherë edhe tableta për pirje. Trajtimi mund ta përshpejtojë largimin e flluskave për disa ditë, por mund po ashtu të lehtësojë edhe dhimbjen ose simptomat tjera që shkaktojnë shqetësim te pacienti.

Virusi herpes simplex që shkakton paraqitjen e këtyre flluskave nuk mund të mjekohet. Pasi ju infektoheni së pari me këtë virus, ai qëndron në trupin tuaj për gjithë pjesën e mbetur të jetës. Nëse pezmatimi me ethe paraqitet shpesh te ju, trajtimi mund ta zvogëlojë shpeshtësinë e paraqitjes së flluskave pezmatuese dhe ashpërinë e tyre.

Si mund t’i parandaloni paraqitjen e flluskave?

Ka disa gjëra të cilat mund t’i bëni për t’u ruajtur nga prekja me virusin herpes simplex.

Shmangni kontaktin me lëngjet e infektuara të organizmit, si për shembull të puthësh një person të infektuar.
 Shmangni ngrënien në enët, gotat dhe pajisjet tjera të cilat një person me herpes mund t’i ketë shfrytëzuar.
Pasi jeni infektuar me virus, nuk ka një mënyrë të sigurt për të parandaluar shpërthimin e flluskave. Por ka disa gjëra të cilat mund t’i bëni për të ulur numrin e shpërthimeve dhe të parandaloni shpërndarjen e virusit.

Shmang gjërat të cilat stimulojnë paraqitjen e flluskave, si stresin dhe të ftohtit ose gripin
Gjithmonë përdor zbutës buzësh dhe krem për mbrojtje nga dielli në fytyrën tuaj.
Rrezatimi i tepërt i diellit mund të bëjë që flluskat të shpërthejnë.
Shmang ndarjen e peshqirit, zhiletëve, bizhuterive, brushave të dhëmbëve ose objektet tjera të cilat personi me herpes mund t’i ketë përdorur.
Kur ju keni shpërthime të flluskave, sigurohuni t’i pastroni duart shpesh, dhe përpiquni të mos i prekni vendet e pezmatuara. Kjo mund t’ju ndihmojë të mos e shpërndani virusin në zonën rreth syrit ose gjenitaleve ose te njerëzit e tjerë.
Bisedo me mjekun nëse keni shpërthime të shpeshta të flluskave. Ju mund të jeni në gjendje të përdorni edhe tableta të përshkruara nga mjeku për të parandaluar shpërthimin e tyre.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive