Wednesday, November 2, 2016

Cefadril (tableta)

PËRBËRJA
Një tabletë përmban:
- Përbërës aktiv: Cefadroksil monohidrat (i barazvlefshëm me Cefadroksil anhidër 1.0 g) 1.050g.
- Përbërës shtesë: Laktozë, silic koloidal, stearat magnezi.

FORMA FARMACEUTIKE
8 tableta, secila me 1 g.
12 tableta, secila me 1 g.

KATEGORIA FARMAKOTERAPEUTIKE
Antibiotik ß-laktamik i grupit të cefalosporinave, për përdorim nga goja.

PËRDORIMET
Përdoret për trajtimin e infeksioneve të shkaktuar nga mikroorganizmat e ndjeshëm gram-pozitivë e gram-negativë.
Rrugët e frymëmarrjes: bronkopneumoni, pleurit, bronkit akute e kronike, laringotrakeit, faringit, otit, ndërlikime infeksioze të gjendjeve gripale, tonsilit, sinuzit.
Në urologji: cistit, pielit, uretrit, pielonefrit.
Në gastroenterologji: kolecistit, gastroenterit.
Në gjinekologji: adneksit, parametrit.
Në pediatri: të gjitha sëmundjet infektive të të porsalindurve dhe të fëmijëve.
Në dermatologji: infeksione të indeve të buta (abscese, ulcera nga dekubituset, furunkuloza) dhe të lëkurës.

KUNDËRINDIKIMET
Nuk duhet përdorur në rastet që dihet që pacienti ka mbindjeshmëri ndaj cefalosporinave.

PËRKUJDESJET GJATË PËRDORIMIT
Në rast të pamjaftueshmërisë së veshkave doza e cefalosporinave duhet ulur, në varësi të rezultateve të provave të funksionit të veshkave.
Përdorimi në të njëjtën kohë ose me një distancë kohore të shkurtër i barnave të tjerë që dëmtojnë veshkën, mund të rrisë helmueshmërinë mbi të, ndaj funksioni i veshkave duhet kontrolluar me kujdes.
Barna që mund të dëmtojnë veshkat janë kanamicina, streptomicina, kolistina, viomicina, polimiksina, neomicina, gentamicina etj.
Përdorimi i zgjatur i antibiotikëve mund të favorizojë rritjen e mikroorganizmave të pandjeshëm ndaj tyre. Në rast se një gjë e tillë shfaqet, duhen marrë masat e përshtatshme.
Përdorimi i cefalosporinave mund të ndikojë mbi rezultatet e disa analizave laboratorike, duke shkaktuar pozitivitet të rremë të glukozurisë me metodat Benedict, Fehling dhe “Clinitest”, por jo me metodat enzimatike.
Gjatë trajtimit me cefalosporina janë shfaqur vlera pozitive të rreme të testit Coombs direkt.

PARALAJMËRIME
Cefalosporinat duhen përdorur me kujdes tek personat që janë alergjikë ndaj penicilinave.
Si në nivelin klinik, ashtu edhe në atë laboratorik është vënë re një reaksion i kryqëzuar i pjesshëm ndërmjet penicilinave dhe cefalosporinave, dhe, sadoqë të rralla, janë shfaqur raste me reaksione ndaj të dy llojeve të antibiotikëve, nganjëherë edhe të tipit anafilaktik, sidomos pas përdorimit parenteral.
Tek femrat shtatzënë dhe tek fëmijët e vegjël ky antibiotik duhet përdorur vetëm nëse është i domosdoshëm, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të mjekut.

DOZIMI, MËNYRA DHE KOHA E PËRDORIMIT
Të rriturit: këshillohet një dozë prej 2-3 g/ditë, e ndarë në 2-3 doza (çdo 8-12 orë), në varësi të gjykimit të mjekut.
Në rastet e rënda përdoret një tabletë prej 1 g, çdo 6 orë.
Tabletat, të cilat mund të ndahen, pihen me pak ujë ose qumësht.
Parapëlqehet të merren me stomakun plot.
Fëmijët: 50-100 mg/kg peshë në ditë, e ndarë në 3-4 doza (çdo 6-8 orë).
Tableta mund të ndahet në 2 gjysma, secila nga 500 mg cefadroksil.

EFEKTET E PADËSHIRUARA
Reaksionet e padëshiruara të cefalosporinave kryesisht kufizohen në shqetësimet në stomak e zorrë dhe, rrallë, në shfaqjet e mbindjeshmërisë.
Shpeshtësia e shfaqjes së tyre është më e madhe në persona të cilët më parë kanë pasur reaksione të mbindjeshmërisë ndaj barnave e substancave të ndryshme dhe tek ata që kanë pasur probleme të natyrës alergjike, astmës, rrufës alergjike nga bari, urtikarieve etj.
Përgjithësisht, gjatë apo pas mjekimit me cefalosporina, janë shfaqur efektet e padëshiruara të mëposhtme: glosit, të përziera, të vjella, djegie të stomakut, dhimbje të barkut, diarre (heqje barku).
Më rrallë, janë shfaqur ndryshime në lëkurë, të kruara, urtikarie dhe dhimbje të kyçeve.
Me raste, janë shfaqur ndryshime, zakonisht kalimtare ose të rikthyeshme, të disa treguesve klinikë e laboratorikë, si eozinofili, leukopeni, neutropeni, rritje të transaminazave, bilirubinës dhe azotemisë. Janë raportuar edhe marrje mendsh, ndjenja të shtrëngimit në gjoks e vaginite nga Candida, kjo e fundit e lidhur me mbirritjen e mikroorganizmave të pandjeshëm.
Këto efekte të padëshiruara kërkojnë vëmendje nga ana e mjekut dhe marrjen e masave të përshtatshme.
Nëse është e nevojshme, mjeku mund të vendosë që mjekimi të ndërpritet.
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në rast se shfaqen efekte të padëshiruara që nuk janë përmendur në këtë fletë udhëzuese.

Kujdes: bari nuk duhet përdorur pas kalimit të datës së skadencës, të shënuar në kuti.

Ruajtja
Bari të mbahet në vende që nuk mund të arrihen nga fëmijët.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive