1. Çfarë është Flavamed® Hustentabletten dhe për çfarë përdoret
Flavamed® Hustentabletten është një produkt mjekësor që përdoret për hollimin (pakësimin e viskozitetit) e mukusit të rrugëve të frymëmarrjes kur ato janë të sëmura.
Flavamed® Hustentabletten përdoret në ato sëmundje të mushkërive dhe bronkeve që shoqërohen me krijimin e sekrecioneve mukoze viskoze dhe të vështira për t’u nxjerrë.
Pas përdorimit të Flavamed® Hustentabletten sekrecionet mukoze viskoze bëhen më të lëngshme dhe për pasojë ato nxirren më lehtësisht nëpërmjet kollitjes.
2. Përpara se të përdorni Flavamed® Hustentabletten
Mos e përdorni Flavamed® Hustentabletten:
Në rast se jeni alergjik (keni mbindjeshmëri) ndaj lëndës vepruese të Flavamed® Hustentabletten (ambroksolit hidroklorik) ose ndaj çdonjërës prej lëndëve të tjera përbërëse (ingredientëve) të Flavamed® Hustentabletten (shih paragrafin 6 “Çfarë përmban Flavamed® Hustentabletten”).
Në fëmijët nën 6 vjeç.
Tregoni kujdes të veçantë me Flavamed® Hustentabletten:
Në rast se në të kaluarën keni patur reaksione mbindjeshmërie të formës së rëndë të lëkurës (sindromë Stevens-Johnson, sindromë e Lyell).
Sindroma Stevens-Johnson është një sëmundje që karakterizohet nga temperatuara e lartë e shoqëruar me shpërthime në lëkurë dhe membranat mukoze, të cilat më pas shndërrohen në fshikëza.
Sindroma e Lyell, e cila është kërcënuese për jetën, njihet edhe si sindroma e lëkurës me fshikëza.
Shenjë tipike e kësaj sindrome është krijimi i fshikëzave në lëkurë të ngjashme me ato që krijohen pas djegieve.
Për këtë arsye, në rast se vëreni që në lëkurë ose membranat mukoze ju shfaqen ndryshime, ndërprisni menjëherë përdorimin e mëtejshëm të Flavamed® Hustentabletten.
Kërkoni pa vonesë ndihmën mjekësore!
Në rast se vuani nga intoleranca ndaj histaminës.
Ju duhet të shmangni përdorimin afatgjatë të këtij bari, pasi lënda vepruese e Flavamed Hustentabletten ka ndikim mbi metabolizmin e histaminës dhe mund të shkaktojë shfaqjen e simptomave të intolerancës (p.sh. dhimbje koke, hundë të zëna, të kruara).
Në rast se vuani nga dëmtimi i funksionit të veshkave ose sëmundje të rënda të mëlçisë.
Në këto raste ju mund të përdorni Flavamed® Hustentabletten vetëm në rast se tregoni një kujdes të veçantë (p.sh. e përdorni më rrallë (me intervale dozimi më të gjata) ose me dozë të pakësuar).
Në dëmtimet e rënda të funksionit të veshkave mund të vërehet akumulim i produkteve të prodhuara nga metabolizimi i lëndës vepruese të Flavamed® Hustentabletten;
Në rast se vuani nga një sëmundje e rrallë e bronkeve që shoqërohet me krijim të shtuar të mukusit (diskinezi ciliare primare).
Në këtë gjendje, mukusi nuk mund të transportohet jashtë mushkërive.
Në kushte të tilla, Flavamed® Hustentabletten mund të përdoret vetëm nën mbikqyrjen e mjekut.
Në rast se keni vuajtur nga ulçera peptike, përpara fillimit të trajtimit me Flavamed® Hustentabletten duhet të këshilloheni me mjekun lidhur me mënyrën e përdorimit pasi barnat mukolitikë mund të dëmtojnë mbrojtjen mukozale të stomakut.
Këshillohuni me mjekun përpara se të përdorni Flavamed® Hustentabletten.
Fëmijët
Flavamed® Hustentabletten mund të përdoret vetëm në fëmijët mbi 6 vjeç.
Përdorimi i njëkohshëm me barna të tjerë.
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se jeni duke përdorur apo keni përdorur deri para pak kohësh barna të tjerë, përfshi edhe ato që merren pa recetë mjekësore.
Barnat që frenojnë kollën (antitusivët)
Ndërkohë që merrni Flavamed® Hustentabletten, ju nuk duhet të përdorni barna të tjerë që frenojnë refleksin e kollës (barna antitusivë).
Prania e refleksit të kollës është shumë e rëndësishme me qëllim që sekrecionet mukoze të lëngëzuar të mund të nxirren jashtë mushkërive.
Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Kërkoni këshillën e mjekut ose farmacistit përpara përdorimit të çdo lloj produkti mjekësor (bari).
Flavamed® Hustentabletten mund të përdoret gjatë shtatzënisë dhe në periudhën e ushqyerjes me gji vetëm në rastin e udhëzimeve të qarta të mjekut!
Akoma nuk ekziston një përvojë e mjaftueshme mbi përdorimin e barit gjatë shtatzënisë dhe në periudhën e ushqyerjes me gji.
Megjithatë, në kafshë, është vërejtur që lënda vepruese e Flavamed®. Hustentabletten kalon në qumështin e gjirit.
Drejtimi i automjeteve dhe përdorimi i makinerive
Flavamed® Hustentabletten nuk ka, ose ka ndikim fare të parëndësishëm, në aftësinë për të drejtuar automjete dhe/ose përdorur makineritë.
Të dhëna të rëndësishme mbi disa lëndë përbërëse të Flavamed® Hustentabletten.
Ky produkt mjekësor përmban laktozë (sheqer qumështi).
Për këtë arsye, në rast se mjeku ju ka thënë që vuani nga intoleranca ndaj ndonjë sheqeri, përdoreni Flavamed® Hustentabletten vetëm pasi të jeni këshilluar më parë me mjekun.
3. Si përdoret Flavamed® Hustentabletten
Flavamed® Hustentabletten duhet të përdoret gjithmonë vetëm sipas udhëzimeve të kësaj flete udhëzuese.
Në rast se nuk jeni të sigurtë këshillohuni me mjekun ose farmacistin.
Përsa kohë që mjeku nuk e përshkruan ndryshe Flavamed® Hustentabletten duhet të përdoret sipas udhëzimeve të mëposhtme.
Respektoni udhëzimet lidhur me përdorimin me qëllim që Flavamed® Hustentabletten të tregohet efikas!
Në rast se nuk përshkruhet ndryshe nga mjeku, dozimi i zakonshëm është:
Mosha Doza e vetme Doza ditore maksimale
Fëmijët 6 deri 12 vjeç: ½ tablete 2 deri 3 herë në ditë (e barabartë me 15 mg ambroksol hidroklorik 2-3 herë) 1½ tableta (e barabartë me 45 mg ambroksol hidroklorik).
Të rriturit dhe të rinjtë mbi 12 vjeç: Gjatë 2 deri 3 ditëve të para, 1 tabletë 3 herë në ditë (e barabartë me 30 mg ambroksol hidroklorik 3 herë), më pas, 1 tabletë dy herë në ditë (e barabartë me 30 mg ambroksol hidroklorik 2 herë) 3 tableta (e barabartë 90 mg ambroksol hidroklorik).
Vini re:
Tek të rritur doza ditore mund të rritet në 2 tableta 2 herë në ditë.
Mënyra e përdorimit
Flavamed® Hustentabletten është mirë që të merret pas ushqimit i shoqëruar me një sasi të mjaftueshme lëngu (p.sh. ujë, çaj ose lëng frutash).
Tabletat mund të ndahen në dy gjysma të barabarta.
Kohëzgjatja e përdorimit
Flavamed® Hustentabletten nuk duhet të përdoret për më shumë se 4 deri 5 ditë pa këshillën e mjekut.
Në rast se ankesat tuaja pas 4 – 5 ditësh trajtim, nuk përmirësohen apo përkeqësohen këshillohuni menjëherë me mjekun!
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rastet kur keni përshtypjen që efekti i Flavamed® Hustentabletten është tepër i fortë ose i dobët.
Në rast se përdorni Flavamed® Hustentabletten më tepër nga sa duhet Deri tani nuk është vërejtur që të shfaqjen simptoma serioze të helmimit.
Sidoqoftë, përkohësisht mund të shfaqet nervozizëm dhe diarre.
Në rastet e marrjes së mbidozimeve shumë të mëdha mund të shfaqen shtim i pështymës (salivacion i shtuar), gromësira, të vjella dhe rënie të presionit të gjakut të shoqëruara me çrregullime të qarkullimit.
Në të tilla raste njoftoni mjekun.
Zakonisht nuk është e nevojshme marrja e masave të tilla si shkaktimi i të vjellave apo lavazhi gastrik, të cilat rezervohen vetëm në rastet e marrjes së mbidozimeve shumë të mëdha.
Këshillohet që trajtimi të bëhet në varësi të shenjave të mbidozimit.
Në rast se harroni të merrni Flavamed® Hustentabletten
Në rat se harroni të merrni Flavamed® Hustentabletten ose keni marrë një dozë shumë të vogël, thjesht vazhdoni të merrni mjekimin sipas dozimit të këshilluar sipas rradhës.
Mos dyfishoni dozën për të zëvendësuar dozën e harruar.
Në rast se keni pyetje të tjera lidhur me përdorimin e këtij produkti drejtohuni te mjeku ose te farmacisti.
4. Efektet e padëshiruara të mundshme
Si të gjithë barnat, edhe Flavamed® Hustentabletten mund të shkaktojë efekte të padëshiruara, ndonëse ato nuk shfaqen tek të gjithë.
Shpeshtësia e efekteve të padëshiruara është vlerësuar si më poshtë:
Shumë të zakonshme Më shumë se 1 në 10 pacientë të trajtuar.
Të zakonshme Më pak se 1 në 10 por më shumë se 1 në 100 pacientë të trajtuar.
Të pazakonshme Më pak se 1 në 100 por më shumë se 1 në 1000 pacientë të trajtuar.
Të rralla Më pak se 1 në 1000 por më shumë se 1 në 10000 pacientë të trajtuar.
Shumë të rralla Më pak se 1 në 10000 pacientë të trajtuar, e panjohur (e pamundur të vlerësohet nga të dhënat që disponohen).
Efektet e padëshiruara
Çrregullime gastrointestinal:
Të pazakonshme: Të përziera, dhimbje stomaku, të vjella Çrregullime të lëkurës dhe indit subkutan:
Shumë të rralla: Reaksione të rënda të lëkurës të tilla si sindroma e Lyell dhe sindroma Stevens-Johnson (shih paragrafin 2 “Tregoni kujdes të veçantë me Flavamed® Hustentabletten”)
Çrregullime të përgjithshme dhe reaksione tek vendi i administrimit:
Të pazakonshme: Reaksione mbindjeshmërie të tilla si shpërthime (rash) në lëkurë, enjtje në fytyrë (edema), vështirësi në frymëmarrje, të kruara, ethe Shumë të rralla: Reaksione alergjike të rënda (anafilaktike) që mund të shkojnë deri në gjendje shoku.
Masat në rast të shfaqjes së efekteve të padëshiruara
Në rast se ju shfaqen një apo më tepër efekte të padëshiruara të përmendura më lart ndërprisni menjëherë përdorimin e mëtejshëm të Flavamed® Hustentabletten.
Në rast se ndonjë nga efektet e padëshiruara bëhet serioz apo në rast se ju shfaqen efekte të padëshiruara që nuk janë përshkruar në këtë fletë udhëzuese njoftoni mjekun ose farmacistin.
5. Si ruhet Flavamed® Hustentabletten
Të mbahet në vende që nuk shihen dhe nuk arrihen nga fëmijët.
Mos e përdorni Flavamed® Hustentabletten pas datës së skadencës së shënuar në blister dhe në kutinë prej kartoni pas gërmave “EXP”.
Data e skadencës nënkupton ditën e fundit të muajit të shënuar.
Të ruhet në temperaturë nën 25 °C.
Barnat nuk duhet të hidhen në lavaman/lavapjatë, as në plehrat e shtëpisë.
Pyesni farmacistin se si duhet të veproni me barnat që nuk ju nevojiten.
Në këtë mënyrë ju ndihmoni në ruajtjen e mjedisit.
6. Të dhëna të tjera
Çfarë përmban Flavamed® Hustentabletten
Lënda vepruese është ambroksoli hidroklorik.
Çdo tabletë përmban 30 mg ambroksol hidroklorik.
Lëndë të tjera përbërëse (ingredientë) janë: laktozë monohidrat, amidon misri, celulozë pluhur, kroskarmelozë natriumi, povidon K 30, stearat magnezi.
Si paraqitet Flavamed® Hustentabletten dhe përmbajtja e paketimit
Tableta të rrumbullakta, me ngjyrë të bardhë, të sheshta në të dy anët dhe me buzë të rrumbullakosura, me një të thelluar që ndihmon ndarjen në njërën anë.
Flavamed® Hustentabletten gjendet i paketuar në kuti me 10, 20 ose 50 tableta.