Thursday, November 10, 2016

Flusetin (tableta)

Flusetin (tableta)

PËRBËRJA

Çdo tabletë e veshur me film përmban: Fluoksetinë klorhidrike 22.7mg, sasi e barazvlerëshme me 20.0mg fluoksetinë.

Përbërës joveprues: Laktozë, amidon misri, povidon, silic koloidal anhidër, stearat magnezi, metilhidroksipropil celulozë, dioksid titani, makrogol 400.

MEKANIZMI I VEPRIMIT
Fluoksetina është një frenues i fuqishëm dhe shumë përzgjedhës i rikapjes së serotoninës, e cila me veprimin e saj çon në grumbullim të serotoninës dhe përforcim të transmetimit serotoninergjik.
Fluoksetina ka edhe efekte antikolinergjike dhe antimuskarinike, por shumë të vogla.

FARMAKOKINETIKA
Pas marrjes nga goja, fluoksetina thithet thuajse tërësisht nga trakti tretës.
Përqëndrimi maksimal plazmatik arrihet për 6-8 orë.
Rreth 90% e barit lidhet me proteinat plazmatike.
Fluoksetina biotransformohet në mëlçi, duke formuar disa metabolitë (nga të cilët norfluoksetina është metaboliti i vetëm aktiv).
Rreth 60% e barit eleminohet nga organizmi me anë të veshkave, kryesisht në formë të metabolitëve. Gjysmëjeta e eliminimit të metabolitëve luhatet nga 4 në 6 ditë, ndërkohë që gjysmëjeta e eliminimit të norfluoksetinës është 4-16 ditë.

INDIKIMET
• Sindroma depresive.
• Çrregullimet obsesive-kompulsive.
• Bulimi nervore.

DOZIMI DHE MËNYRA E PËRDORIMIT

Për të gjithë përdorimet e lartpërmendura këshillohet dozimi i mëposhtëm:
20 mg në mëngjes si dozë fillestare.
Nëse, nëpërmjet përdorimit të kësaj doze, brenda disa javësh nuk arrihet efekti i dëshiruar, doza mund të rritet deri në arritjen e efektit të dëshiruar.

Udhëzime të përgjithshme lidhur me dozimin:
• Doza maksimale e fluoksetinës nuk duhet të kalojë 80mg në ditë.
• Dozat mbi 20mg/ditë mund të jepen si doza të vetme apo të ndara në dy doza (p.sh. në mëngjes e mbrëmje).
• Bari pritet ta japë efektin e tij më të mirë pas rreth 4 javësh trajtimi, madje nganjëherë edhe më vonë. Pas përdorimit të vazhdueshëm të  dozës më të vogël të efektshme të barit (deri në 6 muaj), mjeku mund të vendosë nëse është e nevojshme të vazhdohet mjekimi apo ky duhet ndërprerë shkallë-shkallë.
• Nuk ka të dhëna mbi efektshmërinë dhe sigurinë gjatë përdorimit të këtij bari tek fëmijët.
• Në pacientët me funksion shumë të dëmtuar të mëlçisë apo veshkave, tek të moshuarit, dhe tek ata që përdorin shumë barna në të njëjtën kohë, këshillohet të përdoren doza më të vogla të barit apo të rritet intervali ndërmjet dozave.

MBIDOZIMI

Simptomat: të përziera, të vjella, nervozizëm, reaksione maniakale dhe shenja të tjera të nxitjes së Sistemit Nervor Qëndror (SNQ) përfshirë konvulsione.

Mjekimi: duhet të sigurohemi që rrugët e frymëmarrjes jane të lira dhe duhet t’i japim pacientit menjëherë oksigjen.
Eshtë parë që përdorimi i karbonit aktiv ka qenë shumë i dobishëm.
Deri në përmirësimin e pacientit këshillohet një ndjekje e kujdesshme e aktivitetit të zemrës, shenjave jetike dhe marrja e masave të ndihmës së përgjithshme dhe simptomatike.

KUNDËRINDIKIMET
• Alergjia ndaj fluoksetinës apo ndonjërit prej përbërësvet të tjerë të barit.
• Përdorimi në të njëjtën kohë i fluoksetinës me frenuesit e monoaminë oksidazës (IMAO) ose tioridazinën.

EFEKTET E PADËSHIRUARA
Bari tolerohet mirë nëse përdoret sipas indikimeve të përcaktuara dhe me dozat e përshkruara nga mjeku. Mund të shfaqen të përziera, të vjella, diarre, humbje e oreksit, tharje e gojës, vështirësi në gëlltitje, çrregullime të tretjes dhe dhimbje barku, por ato janë në përgjithësi kalimtare dhe me vazhdimin e mjekimit zhduken gradualisht.
Në raste shumë të rralla mund të shfaqen skuqje të lëkurës, urtikarie, ankth, nervozizëm, acarim, pagjumësi, dhimbje koke, lodhje e tepërt, marrje mendsh, parestezi, zhurmë në vesh, hipertension, takikardi, konjuktivit, çrregullime të pamjes, rrufë, faringit, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje në muskuj, kyçe dhe/ose kocka, vështirësi gjatë urinimit, çrregullime të veprimtarisë seksuale, hipoglicemi, hipotireozë, hiperkolesterolemi, hipokalemi, hiponatremi, anemi dhe një prirje për hemorragji.
Këto efekte, shumë të rralla, kërkojnë ndërprerjen e mjekimit vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Një efekt tjetër i rrallë i fluoksetinës është djersitja e shprehur.

NDËRVEPRIMET ME BARNA TE TJERA
• Përdorimi në të njëjtën kohë i fluoksetinës dhe frenuesve të monoaminë oksidazës (IMAO) është i kundërindikuar (duhet të kalojnë të paktën 2 javë nga ndërprerja e IMAO-ve deri në fillimin e mjekimit me fluoksetinë, dhe të paktën 5 javë nga ndërprerja e mjekimit me fluoksetinë deri në fillimin e mjekimit me IMAO).
• Përdorimi në të njëjtën kohë i fluoksetinës me tioridazinën është i kundërindikuar (duhet të kalojnë të paktën 5 javë nga ndërprerja e mjekimit me fluoksetinë deri në fillimin e mjekimit me tioridazinë).
Astemizoli: rrezik i rritur për shfaqje të efekteve të dëmshme mbi zemrën; nuk këshillohet përdorimi i njëkohëshëm me fluoksetinën.
Klaritromicina: rrezik i rritur për shfaqje të helmueshmërisë së fluoksetinës; nuk këshillohet përdorimi i njëkohëshëm me fluoksetinën.
Tramadoli: përdorimi në të njëjtën kohë me të është i kundërindikuar në pacientët që gjatë jetës kanë bërë konvulsione.
Diltiazemi: nëse shfaqet ndonjë shenjë e toksicitetit prej tij (të përziera, skuqje të lëkurës, enjtje, dhimbje koke), doza e tij duhet ulur.
Aspirina: përdorimi i saj është i kundërindikuar në pacientët që kanë alergji nga fluoksetina.
Kinidina: rrezik i rritur për shfaqje të toksicitetit të secilit nga të dy barnat; dozat e tyre duhen ulur, sipas nevojës.
Ketorolaku: nëse është e mundur, përdorimi i tyre në të njëjtën kohë duhet shmangur, për shkak të rrezikut për shfaqje të halucinacioneve.
Antiepileptikët (fenitoina, karbamazepina): rrezik i rritur për shfaqje të toksicitetit të antiepileptikëve; doza e tyre duhet ulur, sipas nevojës.
Antipsikotikët (haloperidol, klozapinë): rrezik për shfaqjen e simptomave ekstrapiramidale; dozat e tyre mund të ulen, sipas nevojës.
Alprazolami, diazepami: rrezik i rritur për shfaqje të toksicitetit të benzodiazepinave; doza e tyre duhet ulur, sipas nevojës.
Litiumi: rrezik i rritur për shfaqje të toksicitetit nga litiumi (dobësi e përgjithshme, dridhje trupi, etje e theksuar, konfuzion) dhe të sindromës serotoninergjike (hipertension, hipertermi, miokloni); doza rregullohet sipas nevojës.
Antidepresivet triciklikë: nëse fillohet mjekimi me fluoksetinë, duhet ulur doza e triciklikut. Metoprololi: rrezik i rritur për shfaqje të efekteve të padëshiruara të metoprololit; doza mund të ulet, sipas nevojës.
Triptofani: rrezik i rritur për shfaqje të sindromës serotoninergjike; mund të ulen dozat e të dy barnave nëse nevojitet.
Flufenazina: shfaqja e shenjave të Parkinsonit është arsyeja e ndërprerjes së fluoksetinës.
Varfarina: rrezik i rritur për hemorragji; koha e koagulimit duhet matur vazhdimisht dhe dozat e varfarinës duhen rregulluar në varësi të saj.
Digitoksina, digoksina: rrezik për shfaqje të toksicitetit nga digitoksina ose digoksina (të përziera, të vjella, aritmi); doza rregullohet sipas nevojës.
Ginkgo: rrezik i rritur për shfaqje të sindromës serotoninergjike; doza rregullohet sipas nevojës.

PËRKUJDESJE TË VEÇANTA
• Shfaqja e skuqjeve në lëkurë, urtikarieve dhe/ose shenjave apo simptomave sistemike që flasin për një reaksion alergjik nga bari, janë një sinjal për ndërprerjen e barit.
• Fluoksetina duhet përdorur me kujdes tek pacientët që kanë pasur konvulsione.
• Meqë bari mund të ketë si efekt rënien në peshë, duhet pasur kujdes kur ky jepet si mjekim tek të kequshqyerit dhe tek pacientët që vuajnë nga anoreksia nervore (mungesë oreksi me origjinë nervore).

SHTATZANIA DHE USHQYERJA ME GJI
Kategoria e rrezikut në rast përdorimi gjatë shtatzanisë sipas FDA: C.
Tek gratë shtatzana nuk janë kryer studime të përshtatshme e të kontrolluara mirë.
Fluoksetina mund të përdoret gjatë shtatzënisë vetëm nëse përfitimi i mundshëm prej saj e tejkalon rrezikun që ajo paraqet për fetusin.
Fluoksetina eleminohet me anë të qumështit të gjirit.
Nëse e kanë të nevojshëm përdorimin e këtij bari gjatë periudhës së ushqyerjes me gji, nënat duhet të ndërpresin gjirin dhe të gjejnë një mënyrë tjetër ushqimi për fëmijën.

NDIKIMI MBI AFTËSINË PËR TË DREJTUAR AUTOMJETE DHE PËR TË PUNUAR ME MAKINERI
Si të gjithë barnat e tjerë psikoaktivë, edhe fluoksetina ndikon mbi këto aftësi të pacientit; për rrjedhojë, nuk këshillohet që gjatë kohës së mjekimit me këtë bar të drejtohen automjete apo të punohet me makineri.

KUSHTET E RUAJTJES
Bari mbahet në mjedise me temperaturë ndërmjet 15 dhe 30ºC, të ruhet nga drita.
Bari duhet mbajtur në vende që nuk mund të arrihen nga fëmijët.

KOHA E PËRDORIMIT
Data e skadencës është shënuar në kuti.
Bari nuk duhet përdorur pas kalimit të kësaj date.

NEVOJA PER RECETË MJEKËSORE
Bar që shitet vetëm me recetë.

PAKETIMI
Kuti me 10 tableta të veshura me film.
Kuti me 20 tableta të veshura me film.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive