Wednesday, November 16, 2016

Letrox (tableta)

Përbërja Letrox® 50

Një tabletë përmban: 53.2–56.8 mikrogram hidrat të levotiroksinë natrium (e barasvlefshme me 50 mikrogram levotiroksinë natriumi), si lëndë me veprim farmakologjik.

Përbërës të tjerë: dihidrat i hidrogjen fosfatit të kalciumit, celulozë mikrokristaline, natrium glikolat i niseshtesë, dekstrinë, gliceride të pjesshme, me vargje të gjata.

Përbërja Letrox® 100

Një tabletë përmban: 106.4–113.6 mikrogram hidrat të levotiroksinë natrium (e barasvlefshme me 100 mikrogram levotiroksinë natriumi), si lëndë me veprim farmakologjik.

Përbërës të tjerë: dihidrat i hidrogjen fosfatit të kalciumit, celulozë mikrokristaline, natrium glikolat i niseshtesë, dekstrinë, gliceride të pjesshme, me vargje të gjata.

Indikimet terapeutike

Zëvendësim i mungesës së hormoneve të tiroides në të tëra format e hypotiroidizmit.
Parandalim i ripërtëritjes dhe riformimit të strumës, pas heqjes kirurgjikale të saj, në pacientë me funksion normal të tiroides.
Trajtim i strumës beninje në pacientët me funksion normal të tiroides.
Mjekim shoqërues, në trajtimin e hipertiroidizmit me barna antitiroidienë, pas arritjes së gjendjes normale metabolike.
Pas trajtimit kirurgjikal të tumoreve malinjë të tiroides, me qëllim frenimin e rritjes tumorale dhe zëvendësimin e e hormonit që mungon.
Testi i frenimit (supresionit) të tiroides.
Kundërindikimet

Letrox® 50, 100 nuk duhet të përdoret në rastet e njohura të mbindjeshmërisë ndaj ndonjërit prej përbërësve të barit, apo në pacientë me hipertiroidizëm të patrajtuar, pavarësisht nga origjina.
Në kushte të tilla si, infarkt miokardi i para pak kohëve, inflamacion akut i muskujve të zemrës, apo në pacientë me insuficiencë adrenokortikale ose të hipofizës, të pamjekuar, Letrox® 50, 100 mund të përdoret vetëm kur mjeku, në mënyrë të qartë, e lejon një gjë të tillë.
Gjatë shtatzënisë, Letrox® 50, 100 nuk duhet të përdoret njëkohësisht me barna kundër hipertiroidizmit (frenues të tiroides).
Shtatzënia dhe e ushqyera me gji

Mjekimi zëvendësues me hormone të tiroides është veçanërsisht i rëndësishëm dhe duhet të vazhdojë gjatë shtatzënisë dhe periudhës së ushqyerjes me gji.
Megjithëse bari është përdorur gjërësisht gjatë shtatzënisë, nuk është vërejtur ndonjë rrezik për fetusin. Sasitë e hormoneve të tiroides që ekskretohen në qumështin e gruas, gjatë periudhës së ushqyerjes me gji, edhe kur dozat e levotiroksinës janë të larta, janë shumë të vogla dhe të padëmshme.
Gjatë shtatzanisë, në pacientet me hypotiroidizëm, mund të ketë një rritje të kërkesës për hormone të tiroides, për shkak të niveleve të shtuara të estrogjenëve (hormone seksuale femërore) në gjak. Prandaj, gjatë dhe pas shtatzënisë, duhet kontrolluar funksioni i tiroides, dhe në rastet e nevojshme, dozat duhet të përshtaten. Sidoqoftë, gjatë shtatzënisë Letrox® 50, 100 nuk duhet të përdoret njëkohësisht me barna kundër hipertiroidizmit (tireostatikë ose frenues të tiroides) pasi një veprim i tillë bën të nevojshëm përdorimin e dozave më të mëdha të barnave tireostatikë. Barnat tireostatikë, ndryshe nga levotiroksina, mund të kalojnë në qarkullimin fetal nëpërmjet placentës dhe të shkaktojnë hypotiroidizëm të fëmijës në barkun e nënës. Për këtë arsye, trajtimi i hipertiroidizmit gjatë shtatzënisë mund të bëhet vetëm duke përdorur doza të vogla të barnave tireostatikë.
Gjatë shtatzënisë nuk duhet të kryhet prova e frenimit të tiroides.
Gjatë shtatzënisë dhe në periudhën e ushqyerjes me gji duhet të respektohet me saktësi dhe nuk duhet të tejkalohet doza.
Përdorimi në të sëmurët e moshuar kërkon dozim të kujdesshëm dhe kontroll i shpeshtë mjekësor.
Përkujdesje në përdorim
Përpara fillimit të mjekimit me Letrox® 50, 100 duhet të përjashtohet prania e sëmundjeve të mëposhtme:

Sëmundje të arterieve koronare (p.sh angina pectoris), hipertension arterial, insufiçiencë hipofizave ose adrenokortikale, prania në gjendrën tiroide të zonave që prodhojnë hormone në mënyrë të pakontrolluar.
Duhet bërë çdo përpjekje që format e lehta të hipertiroidizmit, të shkaktuara nga përdorimi i levotiroksinës, të shmangen në rastet e insufiçiencës së qarkullimit të koronareve, insufiçiencës kardiake ose çrregullimeve të ritmit të zemrës, të shoqëruara me shtim të shpeshtësisë së pulsit.
Në rast se hypotiroidizmi është shkaktuar nga sëmundje të gjendrës së hipofizës, duhet vlerësuar mundësia e pranisë në të njëjtën kohë edhe të insufiçiencës adrenokortikale. Në këto raste, përpara fillimit të trajtimit me hormone të tiroides, duhet mjekuar insufiçienca adrenokortikale.
Me qëllim që të shmanget shtimi i niveleve të levotiroksinës në gjak, në gratë në menopauzë, që vuajnë nga hypotiroidizmi dhe kanë rrezik të shtuar për osteoporozë, funksioni i tiroides duhet kontrolluar më shpesh.
Ndërveprimet me barna të tjerë

Kolestiramina ose kolestipoli (barna që përdoren për të pakësuar yndyrnat në gjak) frenojnë përthithjen e levotiroksinës nga trakti tretës prandaj duhet të merren 4–5 orë pas marrjes së Letrox® 50, 100.
Përthithja e levotiroksinës nga trakti tretës mund të pakësohet nga përdorimi i njëkohshëm i barnave antiacidë që përmbajnë alumin, i karbonatit të kalciumit dhe i barnave që përmbajnë hekur.
Letrox®50, 100 duhet të merret të paktën 2 orë përpara kohës së përdorimit të barnave të lartpërmendur.
Propiltiouracili (tireostatik), glukokortikoidët (hormone adrenokortikalë), betabllokuesit (barna për uljen e presionit arterial të rritur) dhe lëndët e kontrastit mund të pengojnë kthimin e levotiroksinës në trijodtironinë (T3), që është edhe forma më aktive e hormoneve të tiroides.
Amiodaroni (bar për trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës) për shkak të përmbajtjes së lartë të jodit në molekulën e tij mund të shkaktojë si hipertiroidizëm, ashtu edhe hypotiroidizëm. Nevojitet një kujdes i veçantë sidomos në gushën (strumën) nodulare, veçanërisht kur është e pranishme mundësia e prodhimit të pakontrolluar të hormoneve të tiroides (zona me funksion të pavarur).
Administrimi (injektimi) i shpejtë intravenë i fenitoinës mund të shkaktojë shtimin e përqendrimeve në gjak të hormoneve të tiroides dhe të favorizojë zhvillimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës.
Salicilatet (barna kundër temperaturës së rritur trupore dhe dhimbjeve), dikumaroli (bar që pengon mpiksjen e gjakut), dozat e larta të furosemidit – 250 mg (bar që shton vëllimin e urinës), klofibrati (bar kundër yndyrnave të rritura në gjak) dhe barna të tjerë mund të rritin përqendrimet plazmatike të levotiroksinës.
Sertralina (bar kundër depresionit) dhe klorokinë/proguanili (bar kundër malarias dhe artritit reumatoid) pakësojnë efikasitetin e levotiroksinës.
Barbituratet (barna gjumëdhënës) dhe disa barna të tjerë mund të përshpejtojnë shkatërrimin e levotiroksinës nga mëlçia.
Nevojat për levotiroksinë mund të shtohen ndërkohë që përdoren barna hormonalë që pengojnë shtatzëninë (kontraceptivë oralë) ose terapia hormonale zëvendësuese pas menopauzës.
Produktet që përmbajnë sojë mund të dëmtojnë përthithjen e levotiroksinës nga trakti tretës. Si në fillim, ashtu edhe në mbarim të dietës me produkte që përmbajnë sojë, është e nevojshme të bëhet përshtatja e dozave të Letrox®50, 100.
Levotiroksina mund të fuqizojë veprimet e disa barnave që pengojnë mpiksjen e gjakut (rrjedhësit e kumarinës), ndërkohë që pakësojnë veprimin e barnave që përdoren për të ulur nivelin e sheqerit në gjak. Gjatë trajtimit të njëkohshëm me këto barna dhe levotiroksinë mjeku mund të kërkojë që të maten vlerat e koagulimit të gjakut dhe nivelet e glukozës në gjak, me qëllim që të bëjë përshtatjen e dozave të këtyre barnave kur një gjë e tillë është e nevojshme.
Kujdes!
Ndërveprimet e mësipërme mund të vlejnë edhe për barna që janë përdorur deri pak kohë më parë.

Dozimi, mënyra dhe zgjatja e përdorimit
Doza ditore, për secilin individ, duhet të përcaktohet nga të dhënat laboratorike dhe ekzaminimet klinike.
Trajtimi me hormone të tiroides kërkon fillim të kujdesshëm sidomos në të moshuar, në pacientë me sëmundje të arterieve koronareve, dhe në pacientë me forma të shprehura ose të lëna pas dore të hypotiroidizmit.
Kjo nënkupton një fillim me doza të vogla, të cilat rriten me ngadalë, përgjatë periudhave më të zgjatura kohore, nën një kontroll të vazhdueshëm të hormoneve të tiroides.
Përvoja ka treguar që në pacientët me peshë të vogël trupore ose me strumë nodulare të shprehur mund të jetë më i përshtatshëm përdorimi i dozave më të vogla.

Dozimi i Letrox® 50

- Në hypotiroidizëm, të rriturit marrin fillimisht ½–1 tabletë Letrox® 50, në ditë. Doza rritet nën drejtimin e mjekut me ½– 1 tabletë, në intervale prej dy deri katër javësh, deri në arritjen e një doze ditore 2–4 tableta.

- Për parandalimin e ripërtëritjes dhe rishfaqjes së strumës pas trajtimit kirurgjikal të saj dhe në strumën beninje, merret 1½ deri 4 tableta Letrox® 50 në ditë.

- Tek fëmijët fillohet me një maksimum prej 1 tabletë Letrox® 50 në ditë, ndërsa tek të porsalindurit me ½–1 tabletë Letrox® 50 në ditë. Doza, në mjekimet afatgjata, përcaktohet veç të tjerave nga mosha dhe pesha e fëmijës.

Më poshtë, jepet një përmbledhje e dozave të zakonshme, në mjekimin zëvendësues, në të porsalindur dhe fëmijë.

Mosha Doza (mcg/ditë) Doza (mcg/kg/ditë)
0–6 muaj 25–50 10–15
6–24 muaj 50–75 8–10
2–10 vjeç 75–125 4–6
10–16 vjeç 100–200 3–4
mbi 16 vjeç 100–200 2–3
- Në të porsalindurit, që vuajnë nga pamjaftueshmëria e hormoneve të tiroides, është shumë e rëndësishme që trajtimi të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që të arrihet një zhvillim normal mendor dhe fizik i fëmijës. Gjatë 3–4 viteve të para, përqendrimet në gjak të levotiroksinës duhen mbajtur në kufirin e sipërm të vlerave normale. Në 6 muajt e parë të jetës matja e levotiroksinës në gjak jep rezultate më të besueshme se sa matja e TSH (hormonit stimulus të tiroides). Normalizimi i niveleve të TSH, në raste të veçanta, mund të kërkojë deri në 2 vjet, megjithë dhënien e dozave të përshtatshme të levotiroksinës.

- Për trajtimin shoqërues në mjekimin e hipertiroidizmit me barna tireostatikë, përdoren 1–2 tableta në ditë.

- Në trajtimet afatgjata, në rast se është e nevojshme, këshillohet të përdoren tableta që përmbajnë doza më të larta.

Dozimi i Letrox® 100

- Në hypotiroidizëm, të rriturit marrin fillimisht deri ½ tablete Letrox® 100, në ditë. Doza rritet nën drejtimin e mjekut me deri ½ tablete, në intervale prej dy deri katër javësh, deri në arritjen e një doze ditore 1–2 tableta.

- Për parandalimin e ripërtëritjes dhe rishfaqjes së strumës pas trajtimit kirurgjikal të saj dhe në strumën beninje, merret deri 2 tableta Letrox® 100 në ditë.

- Tek fëmijët dhe të porsalindurit fillohet me një maksimum prej ½ tablete Letrox® 100 në ditë. Doza, në mjekimet afatgjata, përcaktohet veç të tjerave nga mosha dhe pesha e fëmijës.

Më poshtë, jepet një përmbledhje e dozave të zakonshme, në mjekimin zëvendësues, në të porsalindur  dhe fëmijë.

Mosha Doza (mcg/ditë) Doza (mcg/kg/ditë)
0–6 muaj 25–50 10–15
6–24 muaj 50–75 8–10
2–10 vjeç 75–125 4–6
10–16 vjeç 100–200 3–4
mbi 16 vjeç 100–200 2–3
- Në të porsalindurit, që vuajnë nga pamjaftueshmëria e hormoneve të tiroides, është shumë e rëndësishme që trajtimi të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që të arrihet një zhvillim normal mendor dhe fizik i fëmijës. Gjatë 3–4 viteve të para, përqendrimet në gjak të levotiroksinës duhen mbajtur në kufirin e sipërm të vlerave normale. Në 6 muajt e parë të jetës matja e levotiroksinës në gjak jep rezultate më të besueshme se sa matja e TSH (hormonit stimulus të tiroides). Normalizimi i niveleve të TSH, në raste të veçanta, mund të kërkojë deri në 2 vjet, megjithë dhënien e dozave të përshtatshme të levotiroksinës.

- Për trajtimin shoqërues në mjekimin e hipertiroidizmit me barna tireostatikë, përdoren ½–1 tabletë në ditë.

- Për fillimin e trajtimit dhe për rritjen e dozës, si në të rritur, ashtu edhe në fëmijë, në rast se është e nevojshme, këshillohet të përdoren tableta që përmbajnë doza më të vogla.

- Pas trajtimit kirurgjikal të tumoreve malinjë të tiroides, me qëllim frenimin e rritjes tumorale dhe zëvendësimin e hormonit që mungon, doza ditore është 1½ deri 3 tableta.

- Përpara kryerjes së shintigrafisë (testi i frenimit të tiroides) përdoren 2 tableta në ditë, për 14 ditë rresht.

Mënyra e administrimit
Doza ditore duhet të gëlltitet e tëra, e shoqëruar me mjaft ujë, në mëngjes, me stomak bosh, rreth 30 minuta para ngrënies së mëngjesit.

Kohëzgjatja e mjekimit
Mjekimi në hypotiroidizëm dhe pas heqjes kirurgjikale të tumorit malinj të tiroides zakonisht zgjat tërë jetën.
Në strumën beninje ose parandalimin e rishfaqjes së saj trajtimi zgjat nga pak muaj, ose vjet, deri tërë jetën.
Në mjekimin shoqërues të trajtimit të hipertiroidizmit, kohëzgjatja e mjekimit varet nga kohëzgjatja e trajtimit me barna tireostatikë.
Për trajtimin e strumës beninje nevojiten të paktën 6 muaj deri 2 vjet trajtim.
Në rast se gjatë kësaj kohe trajtimi me Letrox® 100 nuk është i efektshëm, duhet parë mundësia për forma të tjera mjekimi.
Në çdo rast kohëzgjatjen e trajtimit e përcakton mjeku.

Këshilla për ndarjen e tabletës
Tableta është prodhuar në mënyrë të tillë që të ndahet me lehtësi (shih më poshtë).
Vendoset tableta në një sipërfaqe të fortë, me shenjën e ndarjes të vendosur lart.
Më pas, shtypet tableta, vertikalisht nga lart poshtë, me gishtin e madh apo ndonjë gisht tjetër të dorës.
Si rregull, tableta ndahet lehtësht në dy pjesë.
Ushtrimi i një presioni të madh duhet mënjanuar pasi në raste të veçuara tableta mund të ndahet në më shumë se dy pjesë.
Me qëllim që mjekimi të jetë i suksesshëm duhet që Letrox® 50, 100 të merret rregullisht, sipas dozave të përcaktuara më lart.
Në rast se trajtimi ndërpritet, apo përfundohet përpara kohe, ka mundësi që, në varësi të sëmundjes bazë, të rishfaqen ankesat.

Mbidozimi

Në rast mbidozimi shfaqen simptomat tipike të hipertiroidizmit:
Palpitacione, çrregullime të ritmit të zemrës, angina pektoris, dobësi muskulare, ngërçe muskulare, vapë, djerësitje e shtuar, ethe, dridhje të gishtave, agjitim, pagjumësi, rënie në peshë, të vjella, diarre, çrregullime të menstruacioneve, rritje të presionit intrakranial.

Efektet të padëshiruara

Nëse përdoret në mënyrën e duhur, gjatë mjekimit me Letrox® 50, 100 nuk duhet të shfaqen efekte të padëshiruara. Nëse, në raste të veçanta, doza e bari nuk tolerohet, ose merret një doze më e madhe nga ajo që duhet, veçanërisht në rastet e rritjes së shpejtë të dozës në fillim të mjekimit, mund të shfaqen shenja tipike të hipertiroidizmit (shih Mbidozimi). Në këto raste, doza ditore mund të ulet ose marrja e tabletave mund të ndërpritet për disa ditë. Sapo efektet e padëshiruara të zhduken, mjekimi duhet të fillojë përsëri, me një dozim të kujdesshëm.
Në rastet e mbindjeshmërisë ndaj levotiroksinës apo ndaj përbërësve të tjerë të barit mund të shfaqen reaksione alergjike, si urtikaria, ngushtim i pemës bronkiale (bronkospazmë) dhe vështirësi në frymëmarrje dhe enjtje (edemë) e laringut. Në raste të veçuara ka patur raportime për shok alergjik të formës së rëndë.
Ruajtja:
Mbajeni larg arritjes së fëmijëve.
Të ruhet në temperaturë nën 25°C.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive