Saturday, October 1, 2016

Jodox (tableta)

Përbërja 1 tabletë Iodox® përmban 262 mikrogram jodur kaliumi (e barasvlershme me 200 mikrogram jod).
Përdorimet
Jodox® përdoret për:
- Parandalimin e pamjaftueshmërisë së jodit (p.sh. parandalimi i gushës në zonat me mungesë jodi si dhe pas heqjes së gushës së shkaktuar nga mungesa jodike);
- Trajtimin e strumës (gushës) eutiroide tek të porsalindurit, fëmijët, adoleshentët të rinjtë.
Kundërindikimet
Jodox® nuk duhet të përdoret në rastet e:
- Hipertiroidizmit të shfaqur;
- Hipertiroidizmit të fshehtë, në doza mbi 150 μg jod në ditë;
- Adenomës beninje ose adenomave autonome të gjendrës tiroide, në doza nga 300 – 1000 μg jod në ditë (përveç trajtimeve para operacionit).
Udhëzime të veçanta për përdorimin e barit gjatë shtatzënisë dhe gjatë ushqyerjes me gji:
Gjatë shtatzënisë vërehet një rritje e nevojave për jod dhe për këtë arsye, është shumë e rëndësishme të sigurohet një shtesë e përshtatshme jodi (200 μg në ditë).
Megjithatë, preparatet me përmbajtje jodi duhet të merren vetëm pasi të jeni konsultuar me doktorin.
Ndërveprimet
Barna të ndryshëm mund të ndikojnë në veprimin dhe në efektet e anësore të njëri-tjetrit.
Për këtë arsye duhet të njoftoni mjekun lidhur me barnat që përdorni ose keni përdorur kohët e fundit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, përveç të tjerave, për barnat antidepresivë (kripërat e litiumit), diuretikët që mbajnë kaliumin e që rrisin ekskretimin urinar si dhe barnat anti-tiroidienë.
Dozimi, mënyra dhe kohëzgjatja e përdorimit.
Nëse mjeku nuk e përshkruan ndryshe, rekomandohet përdorimi si vijon:
1. Për parandalimin e gushës
Foshnjat dhe fëmijët: ¼ – ½ tabletë Jodox® (e barasvlershme me 50 deri në 100 μg jod) në ditë.
Të rinjtë dhe të rriturit: ½ – 1 tabletë Jodox® (e barasvlershme me 100 deri në 200 μg jod) në ditë.
Gjatë shtatëzënisë dhe gjatë ushqyerjes me gji: 1 tabletë Jodox® (e barasvlershme me 200 μg jod) në ditë.
Parandalimi i rishfaqjes së gushës pas trajtimit kirurgjikal të saj apo pas trajtimit me barna që përmbajnë hormone të tiroides: ½ – 1 tabletë Jodox® (e barasvlershme me 100 deri në 200 μg jod) në ditë.
2. Për trajtimin e gushës
Të sapolindurit, fëmijët dhe adoleshentët: ½ – 1 tabletë Jodox®(e barasvlershme me 100 deri në 200 μg jod) në ditë.
Të rriturit: 1 ½ – 2½ Jodox®tableta (e barasvlershme me 300 deri në 500 μg jod) në ditë.
Tabletat duhen marrë me një sasi të mjaftueshme lëngu, pas ushqimit.
Veçanërisht për fëmijët rekomandohet që tabletat të merren me ushqim (p.sh. supë) ose me lëng.
Tabletat treten lehtë në lëngje, për këtë arsye mund të përzihen me qumësht, lëng frutash apo të ngjashme me këto.
Kjo mënyrë rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe foshnjat.
Përdorimi i Jodox® si terapi parandaluese, zakonisht bëhet për disa vjetë me rradhë dhe jo rrallë edhe për gjithë jetën.
Për trajtimin e gushës tek të porsalindurit, zakonisht mjaftojnë 2-4 javë trajtim, ndërsa për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit, si rregull kërkohet 6-12 muaj trajtim ose më tepër.
Sidoqoftë për kohëzgjatjen e mjekimit vendos mjeku juaj.
Efektet e anësore
Efektet anësore janë pothuajse të pamundura për çdo moshë kur Jodox® përdoret për qëllime parandaluese si dhe në trajtimet kuruese tek të sapolindurit, fëmijët dhe adoleshentët.
Megjithatë, në rastet e adenomave autonome masive në gjendrën tiroide dhe në rastet kur doza ditore e jodit është më e madhe se 150 μg, mund të shfaqen shenjat e hipertiroidizmit.
Kur përdoret për trajtimin e strumës (gushës) tek të rriturit (me doza mbi 300 μg deri në jo më tepër se 1000 μg jod në ditë), në raste të veçuara, mund të shfaqet hipertiroidizmi i shkaktuar nga jodi.
Në shumicën e rasteve kjo ndodh tek pacientët me adenoma autonome të gjendrës tiroide.
Veçanërisht të rrezikuar për një gjë të tillë, janë pacientët e moshuar me strumë të vjetër.
Vini re
Data e skadimit të këtij produkti është e shënuar në kutinë e kartonit.
Mbajini barnat në vende që nuk arrihen nga fëmijët!


Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive