Saturday, November 5, 2016

Digoksine 0.25 mg

1.ÇFARË ËSHTË DIGOKSINE DHE PËRSE PËRDORET
Digoksina është një glikozid kardiak digitalik që përdoret në menaxhimin e aritmisë supraventrikulare, dhe veçanërisht në fibrilacionin atrial dhe në insufiçiencë kardiake.
Veprimi kryesor i digoksinës është rritja e forcës kontraktuese të muskulit të zemrës dhe gjithashtu reduktim i përçueshmërisë së zemrës sidomos përçimi nëpërmjet nyjes atrioventrikulare.
Digoksina gjithashtu zotëron një veprim të drejpërdrejtë në muskujt e Iëmuar të enëve të gjakut dhe njëkohësisht veprim jo të drejtëpërdrejt që fillon në sistemin nervor autonom dhe veçanërisht nga një rritje në aktivitetin vagal.
Vihen re gjithashtu alteracione të reflekseve të aktivitetit autonom që varen nga efektet mbi sistemin cirkulator.
Mbi të gjitha këto efekte rezultojnë në efekte inotrope pozitive, efekte kronotrope negative, dhe ulje të aktivitetit të nyjes atrioventrikulare.
Si përfundim mund të themi që efektet e dobishme të digoksinës jane rezultat e veprimtarive të drejtëpërdrejta mbi muskulin e zemrës, si edhe i veprimit të tërthortë mbi sistemin kardiovaskular si rezultat i efekteve në sistemin nervor autonom.

Digoksine tablet 0.25 mg indikohet në:

Aritmitë kardiake
Insufiçiencë kardiake
2. PËRPARA SE TË MERRNI DIGOKSINE.
Mos merrni Digoksine në qoftë se:

jeni hipertensiv ndaj digoksines ose glikozideve të tjerë digitalik;
vuani nga takikardi ventrikulare ose fibrilacion ventrikular;
vuani nga aritmi supraventrikulare të shkaktuara nga sindromi Wolf-Parkinson – White;
vuani nga aritmi të shkaktuara nga intoksikimi me glikozide kardiake;
Keni bllok të plotë kardiak ose në bllok kardiak të shkallës së dytë veçanërisht në qoftë se pacienti ka pësuar ndonjëherë atak Stoke-Adams.
Në qoftë se mendoni se keni ndonjë nga gjëndjet e përmendura më sipër, mos i merrni tabletat, shkoni dhe flisni fillimisht me mjekun tuaj dhe ndiqni këshillat e dhëna.
Nëse shkoni te ndonjë mjek tjeter apo dentist njoftojeni që jeni duke marrë Digoksine.

Tregoni kujdes të veçantë me Digoksine.
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se:

jeni alergjikë ndaj Digoksine, ose glikozideve të tjerë;
jeni duke marrë injeksione të kriprave të kalciumit;
në qoftë se vuani nga dëmtim i funksionit të mëlçisë ose të veshkave;
në qoftë se sapo keni kaluar infarkt miokardi;
në qoftë se vuani nga hipotiroidizmi;
në qoftë se jeni duke përdorur kortikosteroide sepse ata nuk duhen përdorur gjatë mjekimit me Digoksine sepse mund të shkaktojnë hipokalcemi.
Marrja e Digoksine me ushqim dhe pije
Nuk ka të dhëna për veprimin e Digoksine nëse ajo merret e shoqëruar me ushqim apo me pije.

Shtatzania
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzanë ose po planifikoni të ngeleni shtatzanë.
Përdorimi i Digoksine gjatë shtatzanise nuk është i kundërindikuar.
Megjithatë këshillohet të përdoret pasi të ballafaqohen përfitimet terapeutike për nënën, me rreziqet e mundshme për fetusin.

Ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjën me qumësht gjiri.
Digoksine nuk është e kundërindikuar edhe gjatë gjidhënies.
Mjeku ose farmacisti do të diskutojnë mbi rreziqet dhe përfitimet e marrjes së saj në qoftë se jeni duke ushqyer foshnjën me gji apo keni në plan të bëni këtë.

Drejtimi i makinës dhe përdorimi i makinerive.
Tregohuni të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjetit ose përdorimit të makinerive.
Pacientët qe marrin Digoksine mund të shfaqin probleme me shikimin dhe me sistemin nervor qëndror dhe këta pacientë duhet të jenë të vetedijshëm për këto efekte të barit përpara se të përdorin makinën apo makineri të tjera.

Marrja e barnave të tjera.
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni marre së fundmi barna të tjera, edhe ato pa recetë.

Informoni mjekun tuaj në qoftë se jeni duke marrë ndonjë prej këtyre barnave:

alprazolami, amiodaroni, antikolinergjikët, benzodiazepinat, ciklosporina, diltiazemi, difenoksilati, eritromicina, esmotoli, felodipina, flekainidi, hidroksiklorokina, ibuprofeni, indometacina, itrakonazoli, kaptoprili, nifedipina, omeprazoli, propatenoni, propantelina, kinidina, kinina, tetraciklina, tolbutamidi dhe verapamili këto barna mund të rrisin nivelet e Digoksine në serum, siç duket duke rritur efektet e saj terapeutike e helmuese.
Aminoglutetimidi, aminoglikozidet ( që merren nga goja ), kolestiramina, kolestipoli, metoklopramidi, neomicina, penicilina, rifampicina, sukralfati, dhe sulfasalazina mund të ulin përthithjen gastrointestinale të digoksinës dhe e glikozideve digitalike siç duket duke ulur nivelet në serum dhe efektet terapeutike.
Ka edhe barna të tjera që mund të ndërveprojnë me glikozidet kardiake si albuteroli, amfotericina B, beta-bllokuesit, diuretiket e anses, disopiramidi, kriprat e kalçiumit,miorelaksuesit jodepolarizues, diuretikët që mbajnë kaliumin, suksinilkolina, simpatomimetiket, diuretikët tiazidike, tioaminat dhe hormonet e tiroides.
Këto barna mund të ndikohen nga Digoksine, ose mund të ndikojnë në mënyrën se si vepron.
Mund të keni nevojë të përdorni sasi të ndryshme të këtij bari ose të merrni barna të tjera.
Mjeku ose farmacisti juaj do tu këshillojë.

3. SI TA MERRNI DIGOKSINE?
Gjithmonë merreni Digoksine sipas këshillës së mjekut.
Në qoftë se nuk jeni i sigurt kontaktoni me mjekun ose farmacistin.
Në qoftë se ndjeni që efektet e Digoksine janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Tabletat duhet të gëlltiten me të paktën gjysëm gote ujë.
Tabletat e Digoksine disponohen ne formdozën : 0.25 mg.

Ju lutem ndiqni këshillat e mjekut për mënyrën e marrjes dhe dozimin e Digoksine.
Tabletat të merren me ushqim me një gotë ujë. Këshillojmë që tabletat ti merrni në të njejtën orë çdo ditë.
Dozat e këtij preparati për çdo pacient duhet të përcaktohen individualisht duke marrë parasysh moshën, peshën trupore dhe funksionin renal të pacientit.
Duhet të theksohet që dozat e rekomanduara janë vetëm për fillimin e mjekimit me digitalik.

Dozat për pacientët me sufiçiencë kronike të zemrës dhe mungesë të aritmisë supraventrikulare:
Në këtë rast nuk kërkohet dozë sulmi.
Zakonisht doza ditore është 0.125 deri në 0.25 mg për pacientët me funksion normal renal.
Ndërsa për të moshuarit doza ditore është 0.0625 mg.

Dozat për menaxhimin e fibrilacionit atrial ose të rrahjeve të shpeshta të zemrës në të rriturit dhe fëmijët mbi 10 vjeç:

Dozë sulmi e shpejtë:
Kur është e nevojshme dhe kërkohet një digitalizim i shpejtë doza që përdoret është:
0.75 deri në 1.5 mg si një dozë e vetme.
Në ato raste kur digitalizimi që kërkohet nuk është shumë urgjent ose është më e madhe mundësia e toksicitetit si për shembull tek të moshuarit, doza orale e sulmit duhet të jepet në doza të ndara çdo 6 ore prej njëra tjëtrës, në mënyrë që të merret një përgjigje klinike para se të merret doza pasardhëse.

Dozë sulmi e ngadaltë:
Digitalizimi mund të arrihet edhe më ngadalë me anë të dozave 0.25 deri në 0.75 mg, dozë e cila jepet një herë në ditë per një javë e ndjekur më pas nga një dozë e caktuar mbajtëse .
Përgjigja klinike vihet re që në javën e parë të mjekimit.
Kujdes : Zgjedhja midis dozës së shpejtë dhe të ngadaltë të sulmit varet nga gjëndja klinike e pacientit dhe nga fakti se sa urgjente ështe nevoja e tij për mjekimin.

Doza mbajtëse:
Zakonisht doza mbajtëse e digoksinës është 0.125 mg deri në 0.25 mg në ditë, por mund të variojë nga 0.0625 në 0.5 mg në ditë.
Në pacientët e moshuar terapia duhet të fillojë ngadalë dhe me doza më të vogla.

Dozat për fëmijët:
Dozat për fëmijët janë komplekse dhe bazohen në peshën trupore dhe stadet e zhvillimit ku ndodhet fëmija si dhe në përgjigjen që ka fëmija ndaj terapisë me digitalik.

Përdorimi i preparatit tek të moshuarit:
Për përdorimin e digoksinës tek të moshuarit duhet pasur parasysh funksioni renal i tyre dhe dobësia trupore e tyre sepse këto janë faktor të cilët ndikojnë në farmakokinetikën e digoksinës.
Megjithatë, mjeku juaj mund t’ju këshillojë të merrni një dozë tjetër në varësi të gjëndjes tuaj dhe reagimit ndaj medikamentit.
Mjeku juaj mund tu kërkojë të merrni Digoksine për një kohë më të gjatë.
Pyesni mjekun tuaj për këshillë në qoftë se nuk jeni të sigurt për sa kohë duhet ta merrni.

Në qoftë se keni marrë më shumë Digoksine:
Në qoftë se keni marrë më shumë Digoksine se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.

Në qoftë se keni harruar të merrni Digoksine:
Në qoftë se harroni një dozë merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.

4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË DIGOKSINE.
Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore.
Ndonjëherë ato janë serioze, shumicën e herëve jo.
Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore.
Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.

Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të mëposhtme ju shqetëson:

efekte anësore kardiovaskulare si :aritmi ( aritmite supraventrikulare janë më të zakonshme në foshnjat dhe fëmijët ) përfshirë takikardinë ventrikulare të parakohshme.
efekte në sistemin nervor qëndror, si dhembje koke, dobësi, apati, përgjumje, depresion mendor, konfuzion, çorientim.
Janë konstatuar edhe anoreksi, të përziera, të vjella, diarre dhe çrregullime në të parë.
Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

5. SI TA RUANI DIGOKSINE?
Mbajeni larg  fëmijëve.
Mos e përdorni DIGOKSINE pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.

6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Digoksine?
Lënda vepruese është: Digoksin.
Çdo tabletë përmban Digoksin 0.25 mg.
Përbërësit e tjerë janë: Laktozë monohidral, Xhelatinë , Amidon, CeIutozë mikrokristalore, Ujë i pastruar,Stearat magnezi.

Përmbajtja e paketimit.
Format e paketimit: kuti me 30 tableta.                                    PROFARMA
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive